• |
ide | kryesore

Si dështoi plani për të vrarë të penduarin Nuredin Dumani për 90 mijë euro

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Grabitja me armë e një “Audi Q5” verën e 2020-tës pranë shkëmbit të Kavajës ka zbuluar porosinë për një vrasje të dyfishtë kundrejt pagesës prej 90 mijë. Personi që do të kryente ekzekutimin është Hamid Skuqi, i arrestuar për vjedhjen me dhunë të një mjeti në pronësi të një shtetasi kosovar, bashkë me një shokun tij.


Sipas dosjes hetimore Skuqi pas arrestimit ka treguar se makinën e ka vjedhur me mikun e tij për të kryer vrasje, me porosi të një personi që quhej Gazi. Ky i fundit i ka kërkuar ekzekutimin e 2 vëllezëve, banesa e të cilëve gjendej në zonën e Shën Vlashit në rrugën e Nish Tullës, raporton ABC.


Ai ka mësuar saktësisht banesën e shënjestrave si dhe fotot e tyre, por nuk e dinte se për kë bëhej fjalë.

Burime për ABC bëjnë me dije se, nisur nga të dhënat që Skuqi ka treguar për hetuesit, ka dyshime që objektiv ishin vellezërit Dashamir e Nuredin Dumani.

Hetimet për këta rast janë veçuar, ndërsa ende nuk është bërë i mundur identifikimi i personit që ka urdhëruar vrasjen. Nga deklarimet e Skuqit, bëhet me dije se, shkak ishte bërë një konflikt për trafikun e drogës në Holandë mes porositësit dhe 2 vëllezërve.

Referuar dosjes hetimore, porositësi i kishte dhënë parapagesë 1 mijë euro Skuqit, si edhe një pistoletë tip Glock për të kryer vrasjen. Por atentati ka dështuar pasi mjetin që ata vodhën nën kërcënimin e armës, u fik pak kilometra pasi e rrëmbyen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.