• |
ide | kryesore

60% e shqiptarëve nuk bën dot një javë pushime këtë vit, më keq se rajoni

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Kush ka frekuentuar rezidencat e pushimeve në vendin tonë sidomos në bregdet, e ka vënë re se pushuesit janë në pjesën dërrmuese të tyre nga Kosova, emigrantë ose të huaj dhe vendasit në raporte me ulëta. Barometri i Ballkanit për vitin 2022 tregoi se 60% e shqiptarëve të anketuar kanë pohuar se nuk mund të përballojnë shpenzimet për një javë pushime në vit. Kjo ishte përqindja më e lartë në Rajon. Përqindja e popullsisë që nuk ka mundësi të pushojë pësoi rritje në vitin 2022, pasi në vitin 2021 vetëm 39 % e të anketuarve pohuan se nuk mund të përballonin pushime 7-ditore. Barometri i Ballkanit gjeti se 44% e të anketuarve në Shqipëri u ankuan se familjet e tyre nuk ishin në gjendje ta mbanin shtëpinë e tyre të ngrohtë në mënyrë adekuate, ndërsa 27 % e tyre rrëfeu se kishte vështirësi për këto pagesa.


Ndërsa ushqimi dhe veshja ishin të papërballueshme (të paktën një herë) për 18% të popullsisë së Shqipërisë (nga 14% në 2020).  Ndryshe nga Shqipëria, qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës kishin më shumë aftësi financiare për të paguar shpenzimet bazë. Vetëm 10% e të anketuarve në Bosnje dhe Hercegovinë pretendonin se kishin hasur vështirësi në pagesën e qirasë, 11% u ankuan për vështirësinë për të paguar për faturat e ngrohjes apo këstet e kredisë. Ndërkohë, blerja e ushqimeve, veshmbathjeve dhe sendeve të tjera bazë nuk konsiderohet si problem madhor për 91% të të anketuarve.  58% e të anketuarve në këtë ekonomi thanë se ishin në gjendje të përballonin të paktën një javë pushime larg shtëpisë, në ndryshim nga 39% të cilët e kanë të pamundur.


Kosova në anën tjetër, shënoi një nivel relativisht të lartë të shqetësimit të qytetarëve për shpenzimet ditore. Fatura e qirasë u bë problem në një moment për 29% të qytetarëve, ndërsa 23% nuk mund të përballonin pagesën e këstit të kredisë.  21% kishin probleme për të mbajtur shtëpitë e tyre ngrohtë, ndërsa 18% i konsideruan furnizimet ushqimore të shtrenjta për buxhetin e tyre. Pushimi njëjavor ishte i papërballueshëm për 34% të të anketuarve në Kosovë, ndërsa 64% nuk e konsideronin është problem.

Një e pesta e qytetarëve nga Maqedonia e Veriut nuk kanë mundur të paguajnë qiranë e tyre. 13% e tyre kishin probleme me shpenzimet e ngrohjes, ndërsa 12% nuk mund të përballonin furnizimet bazë.  pothuajse gjysma e popullsisë pretendoi se ata nuk mund të rezervonin një pushim njëjavor pasi e tejkalonte buxhetin e tyre.  Nga ana tjetër shumica e të anketuarve në Mal të Zi (79%) ishin në gjendje të paguanin qiranë e tyre mujore, dhe 80% mund të përballojnë pagesën e këstit të kredisë së tyre.

Ngrohja e shtëpive të tyre nuk konsiderohej si problem financiar për 87% të popullsisë, ndërsa 12% e gjetën furnizimin me ushqim të papërballueshëm të paktën një herë në vit. 39% e të anketuarve në Mal të Zi nuk mund të përballonin pushimet e tyre.

Serbia ndan një prirje të ngjashme me ekonomitë e tjera në Rajon. Rreth 19% nuk mund të paguanin qiratë e tyre të paktën një herë në vit, ndërsa 15% e kishin të vështirë të paguanin këstin e kredisë së tyre. 83% mund të përballonin të paguanin faturat e ngrohjes, ndërsa shumica dërrmuese (88%) ishin në gjendje të përballonin shpenzimet e ushqimit.  Ngjashëm me fqinjët e saj, 44% e serbëve ka vështirësi me pushimet./ Monitor

https://www.monitor.al/60-e-shqiptareve-nuk-ben-dot-nje-jave-pushime-kete-vit-me-keq-se-rajoni/

2 Comments

  1. Nuk ka problem, mjafton te beje KM me qelbesirat neper ndertesat qeveritare me paret tona. Te shkoje “i nderuari” me aeroplan personal (charter) me paret tona e te zihet me fqinjet duke i bere karshillik Evropes.. Ne nuk duam gje, partia te jete mire!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.