• |
ide | kryesore

Kurti zbulon çfarë i ka thënë Ramës për miqësinë me Serbinë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Kryeministri i Kosovës Albin Kurti thotë se “teza e bërë projekt për shkëmbim territoresh ishte shumë mirë që dështoi”. Në intervistën e dhënë për Syri Tv, Kurti thumboi kryeministrin Edi Rama se “Serbinë e njeh shumë më mirë se ai”.

“Serbia ka 48 baza sulmuese rreth kufirit me Kosovën. Me 50-150 ushtarë të armatosur. 28 prej tyre janë ushtarake dhe 20 janë xhandarmëri. Dhe janë në atë zonën tokësore të sigurisë 5 km, e cila ka qenë e zbrazur deri në gushtin e vitit 2001. E pas gushtit 2001, ata janë futur aty.

Unë nuk besoj se do të na sulmojnë këtë javë edhe pse quhen baza sulmuese. Unë e kam rritur buxhetin e vitit 2022 veçanërisht për bujqësinë dhe ushtrinë, 52 % për ushtrinë. Unë nuk i besoj Beogradit edhe kur flet diçka që duket paqedashëse dhe gjithçka që bën, është luftënxitëse” – tha Kurti që shtoi se synimet e Serbisë ia ka sqaruar edhe Edi Ramës.

“Sigurisht unë ja kam sqaruar këtë gjë, që kur se njihemi. Nuk besoj që PS është Partia e Punës, mirëpo sa i përket disa iniciativave rajonale ne nuk pajtohemi. Unë besoj se Serbia do të destabilizojë Ballkanin, që nuk është neutrale, por ka marrë anën e Kremlinit.

Nuk mund të jesh neutral mes zjarrfikësit dhe zjarrit. Ata i kanë 14 aviona MIG29. 8 i kanë marrë nga Bjellorusia dhe 6 nga Rusia dhe këtu nuk ka dilema” – tha Kurti.

Por çfarë thotë Rama për këtë qasje të Serbië? Sipas Kurtit Rama ka dy linja argumentimi.

“Në njërën anë, nganjëherë konsideron se ne po e mbivlerësojmë rrezikun, ndërsa në anën tjetër nganjëherë tregon për një rrezik që mund të jetë edhe më i madh, prandaj duhet të jemi një çike më të kujdesshëm.

Unë mendoj se nuk kemi ça të jemi të kujdesshëm ndaj Serbisë, sepse çfarë do qëndrimi xhentil, bujar nga ana jonë, nga Beogradi lexohet si dobësi. Ata nuk e kuptojnë bujarinë shqiptare, xhentilensën, nuk e kuptojnë të qenit i fortë në parime dhe me fjalë të buta. Kur ke fjalë të buta ndaj tyre, mendojnë se je i dobët” – tha kreu i qeverisë së Kosovës. ©LAPSI.al



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *