• |
ide | kryesore

Samiti i G7 në Alpet bavareze, agjenda e ngjarjeve në 3 ditët e ardhshme

-Instant, Lajme, Planet



Krerët e shteteve dhe qeverive të G7 u mblodhën në Alpet bavareze për samitin e tyre. Takimi zhvillohet nën përshtypjen e luftës në Ukrainë. Iniciativat e para mbështetëse për Kievin janë tashmë të njohura.

Në tre ditët e ardhshme, politika botërore do të zhvillohet përballë panoramës së Alpeve bavareze. Në Kështjellën Elmau filloi Samiti i shtatë vendeve industriale demokratike kryesore. Kancelari gjerman Olaf Scholz mirëpriti krerët e tjerë të shteteve dhe qeverive të G7 për takimin e tyre vjetor. Debatet do të fokusohen në situatën ekonomike botërore dhe politikën e sigurisë.

Gjatë samitit, në qendër të debateve do të jenë lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj. Vendet e G7-ës pritet të riafirmojnë mbështetjen e tyre për Ukrainën e sulmuar nga Rusia. Scholzi dëshiron të kërkojë mbështetjen e G7-ës për idenë e një “plani Marshall” për rindërtimin e Ukrainës së shkatërruar nga lufta. Në sajë të një plani të tillë, Shtetet e Bashkuara ndihmuan midis viteve 1948 dhe 1952 Gjermaninë dhe shtetet e tjera evropiane të ngriheshin përsëri në këmbë pas gjashtë viteve të luftës.

G7 Gipfeltreffen Schloss Elmau

Në takimin e G7-ës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të arrijnë një marrëveshje në parim për propozimin e tyre për një kufi ndërkombëtar për çmimin e naftës ruse. Kjo synon ta detyrojë Rusinë ta shesë naftën e saj në të ardhmen me një çmim shumë më të ulët për blerësit e mëdhenj si India. Kjo mund të funksionojë në mënyrë që Perëndimi t’i lidhë shërbime të tilla si sigurimi i transportit të naftës me pajtueshmërinë me kufirin e çmimeve. Priten premtime konkrete financiare në luftën kundër urisë, e cila është veçanërisht e përhapur në Afrikën Lindore dhe që po përkeqësohet me rritjen e çmimit të drithit për shkak të luftës. Në Elmau do të diskutohet edhe për çmimet e larta të energjisë dhe për mbrojtjen e klimës.

Schloss Elmau G7-Gipfeltreffen 2022
Olaf Scholz dhe gruaja e tij Britta Ernst mirëpritën kryeministrin britanik Boris Johnson dhe gruan e tij Carrie Johnson.

Bideni për unitetin perëndimor

Samitit i parapriu një takim dypalësh midis Scholzit dhe Joe Bidenit. Presidenti amerikan me këtë rast nënvizoi partneritetin e ngushtë me Gjermaninë dhe kancelarin. “Ne jemi partnerët më të afërt”, tha Bideni. Ai siguroi gjithashtu se vendet e G7 do të mbeten të bashkuara përballë luftës ruse kundër Ukrainës. “Ne do të qëndrojmë së bashku”. Scholzi foli për një “mesazh të fortë”. Presidenti rus Vladimir Putin i ka bërë llogaritë gabim duke pritur përçarje në kampin perëndimor pas sulmit në Ukrainë, shtoi Biden. Presidenti amerikan e falenderoi vazhdimisht Scholzin për punën e tij që nga marrja e detyrës, pa dhënë detaje./DW



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *