• |
ide | kryesore

Abuzimi me tenderin 24 milionë lekë për kanalet vaditëse, mbyllet gjyqi për Fatos Tushen

-Instant, Lajme, Të fundit



Gjyqi për ish-kryebashkiakun e Lushnjes Fatos Tushe ka përfunduar. GJKKO ka vendosur të shpallë vendimin më 13 korrik për Tushen dhe 21 të hetuarit në Bashkinë Lushnjë, ndërsa ditën e sotme është mbajtur seanca e mbrojtjes.

Kujtojmë se Fatos Tushe u vu në pranga më 6 korrik të 2021-shit së bashku me 21 të pandehur të tjerë që akuzohen se abuzuan me tenderin 24 milionë lekë për kanalin vaditës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj, duke favorizuar firmën “EuroAlb shpk” që kishte sjellë ofertën më të lartë. Punimet, fitimet dhe punën, kjo firmë i ndau me një kompani tjetër të biznesmenit Ibrahim Lami, mik me Tushen dhe me lidhje familjare me biznesmenin që fitoi tenderin, Bujar Muratin.

Tushe, akuzohet edhe për shpërdorimin e karburantit të shtetit duke furnizuar makinat e të njohurve të tij, mes tyre edhe të djalit të një deputeti dhe një gazetari të njohur në Tiranë, si edhe ka ndërhyrë për një banesë që po ndërtohej pa leje, që inspektorët të mos shkonin për kontroll. Ish-kryebashkiakut dhe 19 të pandehurve nga grupi i është pranuar gjykimi i shkurtuar. Kështu çështja është veçuar vetëm për biznesmenin Bujar Murati dhe Natasha Myrtajn. Ish-kryebashkiaku i Lushnjës u shkarkua nga detyra nga një vendim i Këshillit të Ministrave pas aferave korruptive në të cilat ai ishte përfshirë.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *