• |
ide | kryesore

Një 70 vjeçare mes drejtuesve të Chelsea: njihuni me Barbara Charone, PR legjendar i yjeve të pop-it

-Instant, Sport



Muzikë e re në shtëpinë e Chelsea. Pronari i ri Todd Boehly ka emëruar këshillin e ri të administratorëve të shoqërisë Blues dhe mes drejtuesve të klubit do të jetë edhe legjendarja e PR, Barbara Charone, që në portofolin e klientëve të saj ka emra si Madonna dhe Rod Stewart. 70-vjeçarja mbërriti në Stamford Bridge së bashku me drejtuesit e tjerë të rinj, pas largimit të Bruce Buck dhe Marina Granovskaia.

Amerikanja ka punuar si PR për Madonna, Rod Stewart dhe Keith Richards dhe aktualisht drejton agjencinë e saj MBC, e cila merret me Foo Fighters, Depeche Mode, Lewis Capaldi dhe të tjerë. Megjithatë, fundjavat e saj, prej më shumë se tre dekadash, kanë qenë gjithmonë të rezervuara për Chelsean.

Gruaja është një abonente historike në Stamford Bridge, ka brohoritur gjithmonë për klubin e Premier League dhe ishte në tribunat e Allianz Arena të Mynihut kur klubi fitoi Champions League-n e parë në 2012, kundër Bayernit vendas. Barbara gjithashtu mori pjesë në hartimin e himnit të Chelsea Blue Day, krijuar nga solisti i Madness Suggs në vitet ’90.

Charone konsiderohet si “PR muzikore më e fuqishme” e Britanisë. Ajo e filloi si gazetare muzikore në Shtetet e Bashkuara, më pas emigroi në Angli në vitin 1974, ku filloi të shkruante për revistën Sounds dhe më pas të punonte si e pavarur për Rolling Stone. Ajo ishte gjithashtu një nga shkrimtarët e parë për NME.

Pas kësaj, ajo filloi karrierën si PR për emrat më të mëdhenj të muzikës. Tifoze e Blues, por edhe e Rolling Stones, Barbara e ka intervistuar grupin disa herë, duke krijuar një marrëdhënie besimi me Mick Jagger dhe shokët e tij. E ishte piëkrisht ajo që ndihmoi kitaristin e grupit Keith Richards kur ai përfundoi në burg në Kanada në vitet ’70.

Tani, fillon aventura e re e saj si drejtuese e Chelsea. Një rol që siç ka shpjeguar në mikrofonat e The Big Issue, e ka pranuar menjëherë, pa e menduar: “Donin të kishin dy tifozë në bord. Ata donin një grua dhe erdhën tek unë. Sigurisht që i thashë po menjëherë. Është super emocionuese”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *