• |
ide | kryesore

Banorët e Kombinatit denoncojnë Ramën dhe Veliajn: Po u bëjnë presion gjykatave

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Një grup banorësh të lagjes së Kombinatit në Tiranë kanë shpërndarë një peticion të cilin e kanë dorëzuar në ambasadat më të rëndëishme në vend kundër kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj.


Por cila është çështja? Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 disa apartamente në zonën e Kominatit u vendosën fillimisht të riparoheshin pasi nuk kishin dëmtime të rënda, por më pas Bashkia vendosi shembjen e tyre. Banorët e dërguan çështjen në gjykatë dhe deri tani vendimet kanë qenë në favor të banorëve por sipas banorëve Rama dhe Veliaj po ushtrojnë presion edhe publikisht kundër gjykatësve.


“Ne, një grup i familjeve të prekura nga vendimmarrjet e Bashkisë Tiranë në zonën e Kombinatit Tiranë, dhe avokatët e tyre, shprehim indinjatën tonë të thellë ndaj deklaratave publike të papërgjegjshme të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe Kryeministrit Edi Rama, kundër gjyqtarëve që gjykojnë çështjet e ngritura nga ana jonë në gjykatë. Me përbuzje dënojmë këto akte rrugaçërie politike të këtyre dy individëve të veshur me pushtet, që nuk kanë aspak respekt për shtetformimin, pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe figurën e gjyqtarit” – thuhet në një deklaratë të Grupimit për Mbrojtjen e Kombinatit.

“Erion Veliaj është përfaqësuesi zyrtar i palës së paditur në këto procese gjyqësore dhe flet nga kjo pozitë, si një gjyqhumbës. Ai gënjeu publikun sikur i ka fituar të gjithë gjyqet, ndërkohë që nuk ka fituar asnjë. Ai tashmë ka ushtruar edhe presion hapur publikisht ndaj gjyqtarëve që gjendur përballë fakteve të abuzimit të Bashkisë Tiranë, kanë vendosur të shfuqizojnë aktet e paligjshme që dëmtojnë interesat legjitime të qytetarëve të zonës së Kombinatit.

Ai gjithashtu ka aluduar se “banorët e Kombinatit janë yshtur nga partitë politike opozitare”, pa asnjë bazë jo vetëm faktike, por edhe logjike, për sa kohë asnjë banor i prekur dhe as avokatët nuk janë të atashuar në asnjë forcë politike dhe madje me raste edhe të anatemuar nga segmente të caktuar opozitarë. Edi Rama është përfaqësuesi i organit më të lartë të pushtetit ekzekutiv.

Pavarësisht se nuk i takon aspak të ndikojë te pushteti gjyqësor, ai po e bën këtë gjë hapur dhe publikisht, duke ushtruar presion ndaj gjyqtarëve të çështjeve, pasi nuk pranon dot idenë që një gjykatë lokale mund të ndërhyjë në misionin e tij të vetshpallur prej lideri global.

Të dy bashkë, gjoja nën petkun e interesit publik për të rehabilituar dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, po shprehen se janë disa padi absurde që po pengojnë zhvillimin. Ndërkohë që këto padi “absurde” janë fituar në gjykatë dhe gjejmë rastin të falenderojmë gjyqtarët për kurajën, profesionalizmin që kanë.

Erion Veliaj, pa asnjë bazë, në mënyrën më të poshtër të mundshme, shprehet publikisht se gjyqtarët po marrin para nga qytetarët. Nëse është kështu, i kërkojmë Erion Veliajt që të bëjë kallëzimin në organet e drejtësisë për këto “fakte” që paska dijeni. Nëse nuk e bën, e paralajmërojmë që po kryen veprën penale të moskallëzimit të krimit. Por nëse del që ai nuk ka fakte, ka vepra të tjera penale për të cilat mund të përgjigjet.

Qytetarët e Kombinatit janë njerëz të ndershëm që jetojnë në banesa modeste dhe po i mbrojnë ato në mënyrën më qytetare të mundshme, duke kërkuar që veprimet e Bashkisë Tiranë t’i nënshtrohen kontrollit gjyqësor. Dhe ata po i fitojnë gjyqet njëri pas tjetrit. Atyre nuk i është kërkuar asnjë pagesë nga asnjë gjyqtar, por përkundrazi, fitoret e tyre mbështeten tërësisht mbi faktet e administruara në gjykatë, që janë të qarta si drita e diellit, të vërtetuara katërcipërisht nga provat shkresore dhe ekspertët e fushës.

Nëse këta dy individë, Erion Veliaj dhe Edi Rama do të donin interesin publik kaq shumë sa e deklarojnë, atëherë t’i bëjnë punët mirë dhe në përputhje me ligjin dhe të mos u vijë aspak keq kur qytetarët i drejtohen gjykatës. Fundja, veprimet e administratës duhet të kontrollohen nga gjykata, u vjen mirë apo u vjen keq ndokujt. Qytetarët e ndershëm dhe të guximshëm nuk kanë vdekur akoma në këtë vend. As gjyqtarët me integritet që i marrin vendimet në përputhje të plotë me bindjen e tyre të drejtë dhe me ligjin.

Ne jemi të bindur që dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi, ndërhyrjeje apo paragjykimi, nga palët në proces dhe zyrtarët e lartë. Qendrime të tilla nuk bëjnë gjë tjetër, veçse nxisin në publik ndjenjën e armiqësisë ndaj pushtetit gjyqësor, krijojnë imazhin e gabuar mbi gjyqësorin dhe cenojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarit. Gjithashtu, ato ndikojnë negativisht në ushtrimin e detyrës nga gjyqtarët, duke u bërë presion për dhënien e vendimeve në kundërshtim me bindjet e tyre, në cenim të pavarësisë dhe paanësisë.

Praktika e marrjes nëpër gojë e gjyqtarëve nga qeveritarët e pakënaqur duhet të ndalojë me çdo kusht. Përndryshe, të gjitha fjalët e bukura të thëna në shqip apo anglisht për reformën në drejtësi, do të mbeten thjesht fjalë pa përmbajtje” – thuhet në deklaratën e Grupimit për Mbrojtjen e Kombinatit.

Për këtë çështje ka edhe një letër të hapur të avokatëve Dorian Matlija dhe Irena Dule të dorëzuar në KLGJ, ILD, Këshillin e Evropës, delegacionin e Bashkimit Evropian, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, OSBE, etj. thuhet se Rama dhe Veliaj janë duke ushtruar presion që gjykata të vendosë në favor të tyre.

“Disa familje në zonën e Kombinatit, Tiranë, pronat e të cilëve janë vendosur të shemben me Vendime të Këshillit Bashkiak Tiranë, i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, për të kundërshtuar këto vendime. Deri tani, gjykata në çdo rast të përfunduar ka pranuar padinë dhe ka shfuqizuar Vendimet e Këshillit Bashkiak si akte të paligjshme. Një pjesë tjetër e proceseve vijon gjykimin në gjykatën e shkallës së parë dhe bazuar mbi provat e administruara në proces konstatohet ekzaktësisht e njëjta gjendje, me të njëjtën prognozë.

Vlen të theksohet se përfundimet e gjykatës janë bazuar në prova shkresore dhe akt ekspertiza teknike të pakundërshtueshme, ku në çdo rast është konkluduar pa asnjë ekuivok se pallatet nuk janë të dëmtuar në masën që ligji parashikon shembjen e tyre, ndryshe nga sa ka pretenduar Bashkia Tiranë dhe Këshillit Bashkiak Tiranë. Në të gjitha rastet shkalla e dëmtimit ka qenë dukshëm më e ulët dhe vlera e punimeve të parashikuara nga Bashkia ka qenë dukshëm e fryrë në mënyrë fiktive.

Në cilësinë e avokatëve të banorëve të prekur, shprehim shqetësimin në vijim, i cili kërkon një reagim energjik nga ana e institucioneve që qeverisin pushtetin gjyqësor, si dhe të gjithë faktorëve që mbështesin parimin e drejtësisë së pavarur dhe të paanshme, kundrejt çdo entiteti që e cenon këtë parim.

Në të paktën një rast të konstatuar nga ana jonë, Kryeministri i vendit, dhe në dy raste të tjera specifike nga Kryetari i Bashkisë Tiranë që është edhe palë në këto procese gjyqësore, kanë anatemuar, akuzuar për korrupsion dhe kërcënuar gjyqtarët që kanë shfuqizuar vendimet e paligjshme të Këshillit Bashkiak Tiranë. Këta gjyqtarë kanë pasur “mëkatin” e vetëm që me short t’u binte gjykimi i këtyre çështjeve dhe ata kryen detyrën me profesionalizëm dhe integritet të lartë, duke u bazuar në ligj dhe në një bindje të shëndoshë të bazuar mbi prova të pakundërshtueshme.

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj dhe Kryeministri shkojnë edhe më tej duke thurur akuza publike për korrupsion ndaj gjyqtarëve. Si njohës të banorëve të Kombinatit, nuk mund të mos theksojmë se ata që i janë drejtuar gjykatës kanë një nivel modest ekonomik, ku edhe përfaqësimin në gjykatë (shpenzimet avokatore) e kanë pjesërisht pro bono, madje ka edhe prej tyre që janë përjashtuar nga shpenzimet gjyqësore, për shkak të pamundësisë financiare. Të hedhësh akuza për korrupsion të gjyqtarëve nga këta banorë, në këto kushte që dihen mirë nga Bashkia Tiranë, është në rastin më të mirë dashakeqe dhe në rastin më të keq është kriminale.

Për shkak të këtyre deklaratave, ne si avokatë të banorëve të prekur të Kombinatit, ndihemi të cenuar në ushtrimin e profesionit tonë, për shkak të presionit që ne perceptojmë se do të pasojë natyrshëm te gjyqtarët e çështjeve në vijim, por jo vetëm.

Njëherazi si avokatë dhe si qytetarë ndiejmë indinjatë kur shohim se si Kryeministri i vendit dhe një palë kundërshtare në gjyq siç është Bashkia Tiranë, përdorin mjete jo ligjore si propaganda në media, duke akuzuar hapur dhe kërcënuar gjyqtarët, për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve. Bashkia Tiranë i ka të gjitha mundësitë të përdorë mjetet ligjore, siç është ankimi në një gjykatë më të lartë.

Duhet shtuar se, akuzat e ngritura kundër gjyqtarëve, kur ata nuk kanë asnjë mundësi mbrojtje pasi nuk kanë të drejtë të flasin në media kundër këtyre presioneve dhe shpifjeve, e bën presionin edhe më të rëndë.

Gjithashtu, kujtojmë se gjyqtarët sot punojnë në kushte ngarkese të jashtëzakonshme, pasojë anësore e reformës në drejtësi, punojnë në kushte presioni për shkak të vetingut, i cili veç të tjerash kërkon angazhim ekstra për përgatitje, punojnë në kushte ku u është vënë kundër edhe “publiku” për shkak të propagandës dhe gjuhës së urrejtjes së përdorur rregullisht ndaj tyre prej 6 vitesh.

Në këtë kontekst, presioni dhe akuzat në deklaratat mediatike të ngritura nga Kryeministri i vendit dhe Kryebashkiaku i qytetit me 1/3 e popullsisë së vendit, kundër gjyqtarëve të identifikueshëm, është një akt intimidues, ndikim i hapur në ushtrimin e profesionit, që në rastet konkrete po drejtohet ndaj gjyqtarëve më me integritet dhe profesionalizëm në vend.

Aktiviteti i pushtetit ekzekutiv mund dhe duhet t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor dhe kjo është një garanci për të ruajtur balancën e pushteteve, që dallon çdo demokraci nga shtetet autokrate. Me këtë duhet të mësohet çdo shtetar, sado të lartë ta ketë numrin e votuesve.

Në përfundim ju drejtohemi me këtë letër të hapur në formë denoncimi ndaj këtyre deklaratave dhe autorëve të tyre, për të nxitur edhe reagimin e institucioneve përkatës, si dhe faktorit ndërkombëtar të investuar në mbështetjen e paanësisë dhe pavarësisë së gjyqësorit, në emër të ruajtjes së kësaj pavarësie dhe të ushtrimit të qetë të detyrës së gjyqtarit, si elementi më thelbësor i shtetit të së drejtës” – thuhet në letrën e hapur të avokatëve. ©LAPSI.al

2 Comments

  1. Ne nje vend normal do detyroheshin te jepnin doreheqjen dhe perballeshin me ceshtje penale. Ketu asgje dhe patronazhister vetem sa marrin me shume zemer.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.