• |
ide | kryesore

Lajçak: Situatë e re në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha të enjten në Beograd se vendimi i një nate më parë i qeverisë së Kosovës mbi përdorimin e targave të makinave dhe dokumenteve personale të lëshuara nga autoritetet serbe, ka krijuar një situatë të re në marrëdhëniet ndërmjet të dyja palëve dhe ka ndryshuar “planet dhe temat” e diskutimeve gjatë vizitës së tij në rajon.


Qeveria e Kosovës vendosi të mërkurën që të kufizojë deri në fund të shtatorit përdorimin aktual të targave të makinave që hyjnë nga Serbia apo janë të regjistruara në Serbi dhe të vendosë masën e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve personale të qytetarëve serbë që hyjnë në Kosovë.


Vendimi nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se Prishtina me këto vendime “synon të dëbojë serbët nga Kosova”, ndërsa akuzoi vendet kryesore perëndimore për mbështetjen e vendimeve të Prishtinës..

Presidenti serb i cili në mbrëmjen e së mërkurës u takua me zotin Lajçak, tha se “dialogu është rrëfim bosh”.

“Çfarë bisedimesh pas vendimeve të tilla? Nuk ka gjë prej tyre”, tha ai, duke akuzuar autoritetet në Prishtinë se “po planifikojnë ndërhyrje në veriun e Kosovës më 1 tetor”.

Zoti Lajçak nuk deshi të komentojë të enjten këtë pohim të presidentit serb por tha se “duhet të kërkojmë zgjidhje nëpërmjet bisedimeve dhe jo nëpërmjet përplasjeve”.

Zoti Lajçak i cili të enjten shkoi në Beograd pas një vizitë treditëshe në Prishtinë, tha se tashmë është krijuar situatë e re që ka ndryshuar planet e tij.

“Unë erdha në rajon që të përgatis takimin e radhës të udhëheqësve dhe të flasim për përparmin në procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Tani duhet të zgjidhim këtë situatë. Nuk guxojmë të lejojmë ndonjë krizë”, tha ai.

Që nga fillimi i tetorit të vitit të kaluar Kosova dhe Serbia zbatojnë një marrëveshje të përkohshme sipas së cilës targave të makinave u vendosën fletë ngjitëse aty ku shihen simbolet shtetërore të të dyja palëve.

Marrëveshja e përkohshme u arrit më 30 shtator pas disa ditësh trazirash në veriun e Kosovës, ku grupe serbësh bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit për përdorimin e targave.

Ndonëse ishte vendosur një afat gjashtë muajsh për një marrëveshje përfundimtare rreth kësaj çështjeje, më 13 maj palët dështuan të pajtohen rreth saj.

Qeveria e Kosovës vendosi të mërkurën që makinat që kanë targa me shkurtesat e qyteteve të Kosovës e që janë lëshuar nga autoritetet serbe, t’u mundësohet regjistrimi me targa të Kosovës, RKS nga 1 gushti deri më 30 shtator të këtij viti.

Qeveria e Kosovës vendosi po ashtu që personat që hyjnë në Kosovë me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve të tilla.

Një masë e tillë zbatohet nga autoritetet serbe ndaj qytetarëve të Kosovës që nga viti 2008 kur ajo shpalli pavarësinë.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011 dhe që atëherë janë arritur një varg marrëveshjesh, por zbatimi i tyre është ende një sfidë.

Serbia e mbështetur nga Moska, kundërshton pavarësinë e Kosovës që është njohur nga vendet kryesore perëndimore./ VOA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.