• |
ide | kryesore

“Me mirë mercenarë”/ Kërkohet largimi i ministrit në Kosovë pas zbulimit të komenteve për UÇK-në

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Në Kosovë ka shkaktuar debate të shumta publikimi i një serie komentesh të bëra vite me parë nga ministri Financave, Hekuran Murati dhe që lidhen me UÇK-në.

Ai që ka ndezur më shumë debatet është një koment i bërë në vitin 2016-të ku Murati thotë se Kosovës do t’i kishte rënë më lirë nëse do të merrte mercenarë në vend të UÇK-së, të cilëve nuk kishte pse t’u thoshte as faleminderit.

“Bile edhe mercenarë me pas angazhu na kish dalë ma lirë. 3 muj ka 2 mijë euro bajnë 6 mijë euro për kry. 20 mijë mercenarë (të përgatitun ushtarakisht) kishin me na kushtue veç 120 milionë euro gjithsej, Edhe as faleminderit s’kish pasë nevojë me ju thanë”, – shkruante në atë kohë Murati, një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas publikimit në media, ky mesazh është fshirë, por tashmë janë përfaqëues të shumtë të opozitës, ish-luftëtarë, veteranë të luftës, pjesëtarë të shoqërisë civile e qytetarë që kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit. Për këtë është iniciuar edhe një peticion online.

Megjithatë në faqen e tij në Facebook kanë mbetur sërish komente kritike të Muratit për UÇK-në. Një prej tyre është dyshimi i tij për numrin e 46 mijë veteranëve. Ai pyet se “me kë kanë luftuar këta veteranë, kur statistikat thonë se në luftën e Kosovës janë vrarë rreth 1 mijë e 500 ushtarë serbë, rreth 300 nga UCK-ja dhe rreth 1 mijë e 200 nga NATO”.

Më tej në një qëndrim tjetër të tij, në Facebook, i shkruar në vitin 2018, Murati ka ironizuar me veteranët, duke thënë se: “Vec sa të kthehen veteranët prej deti, se e sheh Hashimi qysh guxon me i falë tokë Serbisë”.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka shpërndarë në rrjetet sociale numrin e ministrit duke u kërkuar qytetarëve që t’i kërkojnë ministrit të largohet. Molliqaj ka thënë se Murati nuk mund të jetë ministër i një Kosovë të çliruar prej UÇK-së. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *