• |
ide | kryesore

Çfarë ndodhi/ Pas braktisjes nga kabineti qeveritar, Boris Johnson jep dorëheqjen

Kryesore
boris johnson



Kryeministri britanik Boris Johnson është larguar nga posti i drejtuesit të Partisë Konservatore këtë të enjte, mbas valës së dorëheqjeve të anëtarëve të qeverisë së tij, të nxitur edhe nga mënyra se si u trajtua skandali i fundit seksual nga ana e kreut të qeverisë. Johnson planifikon të qëndrojë në rolin e kryeministrit derisa të vendoset një pasardhës, që me shumë gjasë do të emërohet në vjeshtë. Vendimi i kryeministrit përmbyll një 48-orësh tronditës për politikën britanike, që nisi të martën në mbrëmje me dorëheqjen e papritur të dy prej ministrave më të lartë, kancelarit të Thesarit, Rishi Sunak, dhe atij të shëndetësisë, Sajid Javid. Kjo ngjarje u pasua nga një mori deklaratash për dorëheqje nga ligjvënës dhe zyrtarë të tjerë gjatë gjithë ditës të mërkurë dhe të enjten në mëngjes.

Dorëheqja e Johnson sjell një fund të papritur të një mandati që filloi me këmbë të mbarë: pas fitores dërrmuese të zgjedhjeve tre vjet më parë dhe triunfit të nxjerrjes së Britanisë nga Bashkimi Europian. Ndonëse një mandat në dukje i suksesshëm, ai u shemb nën peshën e një serie të pamëshirshme skandalesh. Dita se kur Johnson do të largohet është e pasigurtë por ka të ngjarë që të varet nga afati kohor për zgjedhjen e një udhëheqësi të ri. Periudha e mbetur në pushtet për kryeministrin është në duart e Komitetit të vitit 1922, organi që përfaqëson ligjvënësit mbështetës të Partisë Konservatore. Anëtarët e Komitetit pritet të shfrytëzojnë pushimet verore për të përfunduar procesin e përzgjedhjes së kreut të ri të Partisë Konservatore që do të bëhet kryeministër. Kreu i ri i qeverisë pritet të jetë zgjedhur deri në kohën e konferencës vjetore të partisë në vjeshtë.

Në një reagim për ngjarjen opozitari dhe kreu i Partisë Laburiste Keir Starmer, tha se ishte “lajm i mirë për vendin që Boris Johnson të japte dorëheqjen”, por shtoi se kjo duhet të kishte ndodhur kohë më parë.

“Ai ka qenë gjithmonë i papërshtatshëm për atë detyrë. Johnson është përgjegjës për gënjeshtra, skandale dhe mashtrime. Të gjithë ata që kanë qenë bashkëpunëtorë të tij duhet të ndihen të turpëruar sot”, shkruan Starmer në një letër të postuar në llogarinë e tij në Twitter.

Telashet për Johnson shpërthyen javën e kaluar kur një ligjvënës konservator, Chris Pincher, i dehur në një nga klubet e Londrës ‘i futi duart’ dy meshkujve. Johnson e kishte emëruar Pincher në një pozicion të lartë partiak në shkurt, pavarësisht ankesave të mëparshme për sjellje të papërshtatshme nga ana e Pincher. Pas shpërthimit të skandalit, kryeministri britanik fillimisht mohoi se kishte dijeni për ankesat e mëparshme, por më vonë u zbulua se ai ishte i informuar për to dhe përfundimisht Johnson pranoi se kishte bërë një gabim që kishte emëruar Pincher. Pas incidentit anëtarët e partisë së Johnson nisën të largoheshin nga qeveria njëri pas tjetrit duke shprehur kundërshtime ndaj udhëheqjes së kryeqeveritarit britanik e duke e akuzuar këtë të fundit për mungesë integriteti në detyrë.

Mëngjesin e kësaj të enjteje kanë dhënë dorëheqjen Brandon Lewis, sekretari i shtetit për Irlandën e Veriut; Helen Whately, sekretare e thesarit; Damian Hinds, ministri i sigurisë; dhe George Freeman, ministri i shkencës. Michelle Donelan, e cila sapo kishte marrë detyrën e sekretares së arsimit disa orë më parë, kur paraardhësi i saj, Nadhim Zahawi, u vendos në një pozicion të ri të lirë të kabinetit, gjithashtu dha dorëheqjen.

“Largohu me dinjitet”, thirrja e zyrtarit më të lartë të financave në Mbretërinë e Bashkuar karshi Johnson

Nathim Johnson

Nadhim Zahawi, të cilin kryeministri Boris Johnson i Britanisë e emëroi në postin e kancelarit të Thesarit të martën e kësaj jave, vetëm një ditë më vonë u shfaq në emisionet e mëngjesit britanik, duke i kërkuar kryeministrit të ikte. Mes trazirave që shkaktoi vrulli i dorëheqjeve, që këtë mëngjes kapi shifrën e 53 të tilla, deklarata e Zahawi-t nuk bëri gjë tjetër veçse rriti presionin ndaj Johnson për t’u dorëzuar.

“Kryeministër, ju e dini se cila është gjëja e duhur për të bërë. Ndaj duhet të largoheni tani”, shkroi Zahawi në një letër që postoi në llogarinë e tij në Tëitter. Kancelari i thesarit zbuloi gjithashtu se, së bashku me kolegët e tjerë, ai e kishte vizituar zotin Johnson të mërkurën në mbrëmje për ta këshilluar që “të largohej me dinjitet”.

Ishin dorëheqjet e para, ato të kancelarit të Thesarit, Rishi Sunak dhe sekretarit të shëndetësisë, Sajid Javid që nisën valën e rebelimit kundër Johnson nga anëtarët e partisë së tij. Zërat për një ‘kryengritje kundër kryeministrit’ në fakt qarkullonin që pas publikimit të pamjeve të festave në Downing Street që shkelnin rregullat e vendosura nga vetë qeveria në kuadër të ndalimit të përhapjes së koronavirusit.

Ish-sekretari i shtetit për Irlandën e Veriut Brandon Lewis shkroi në Twitter: “Një qeveri e denjë dhe e përgjegjshme mbështetet në ndershmërinë, integritetin dhe respektin e ndërsjellë – me shumë keqardhje të thellë personale më duhet të largohem nga qeveria pasi nuk besoj më se këto vlera po mbështeten”.

Sekretarja e dorëhequr e thesarit, Whatelyi i tha Johnson në letrën e saj: “Nuk mund të pranohen gabime të njëpasnjëshme dhe të kërkohet falje vazhdimisht e vazhdimisht. Situata është bërë alarmante”.

Ndërkohë Hinds shkroi në Twitter: “Nuk duhet dorëheqja e dhjetëra kolegëve, por për vendin tonë dhe besimin në demokracinë, ne duhet të kemi një ndryshim lidershipi”.

Skandali ‘Pincher’ ishte qershia mbi tortë

Chris Pincher

Emërimi i Chris Pincher në një post qeveritar dhe skandali i fundit i ngacmimit seksual kanë dominuar debatet politike në Britani. Por drama ‘Pincher’ ishte e fundit në një seri të skandaleve që kanë rrethuar Johnson kohët e fundit.

Vitin e kaluar, kritikat për grumbullimet e paligjshme në zyrat qeveritare gjatë bllokadës së koronavirusit në 2020 dhe 2021, të quajtura shpejt “partygate”, qarkullonin nëpër medie dhe hodhën spekulime se Johnson dhe të tjerët në rrethin e tij të brendshëm mund të përballeshin me ‘ndëshkim’. Pas një hetimi, policia e gjobiti Johnson për thyerjen e rregullave të bllokimit në Downing Street, me anëtarët e stafit të tij që u zbulua se kishin mbajtur disa festa të zhurmshme në kundërshtim me rregulloret e pandemisë që qeveria e tij kishte miratuar.

Gjithashtu, vitin e kaluar kryeministri mbrojti me vendosmëri një ligjvënës konservator, Oëen Paterson, pasi ky i fundit u përfshi në një skandal lobimi. Pas disa ditësh Johnson ndryshoi mendje dhe kërkoi falje për qëndrimin e tij.

Në pranverën e vitit të kaluar, po ashtu u ngritën shumë pikëpyetje rreth rinovimit të kushtueshëm të banesës së Johnson në Downing Street nr. 10, i cili u financua pjesërisht nga një donator i Partisë Konservatore. Akuzat nxitën një hetim nga Komisioni Zgjedhor i Britanisë dhe Partia Konservatore u gjobit me 17,800 paund, ose rreth 21,000 dollarë, për dështimin e raportimit të saktë të donacionit.

Kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i Britanisë së Madhe?

Teksa Boris Johnson ka dhënë dorëheqjen si lider i konservatorëve, vëmendja është përqëndruar te pasuesi i tij. Ka një sërë emrash që qarkullojnë si kandidatë potencialë për të marrë vendin e Johnson:

Jeremy Hunt
  • Jeremy Hunt

Jeremy Hunt, ish-sekretari i jashtëm, të cilin zoti Johnson e mundi në garën e fundit të lidershipit të partisë, është ndër pretendentët kryesor për kryeministër. Pavarësisht se humbi garën e lidershipit në vitin 2019, Hunt mbetet një anëtar me ndikim në parti.

Hunt ka kryesuar Komitetin e Përzgjedhur të Shëndetit dhe Kujdesit Social që nga janari 2020. Gjatë gjithë pandemisë, ai ka qenë një kritik i zëshëm i qasjes së qeverisë ndaj Covid-19. Hunt fillimisht e kundërshtoi Brexit-in në një referendum të 2016-ës, por në vitet që pasuan ai ka dalë në mbështetje të tij.

Rishi Sunak
  • Rishi Sunak

Rishi Sunak, ish-kancelari i Thesarit, dorëheqja e të cilit të martën i dha një goditje të rëndë Johnson-it, është parë prej kohësh si një lider i mundshëm partie, edhe pse reputacioni i tij është dëmtuar nga disa polemika. Imazhi i tij politik mori një goditje kur u bë publik fakti se gruaja e tij kishte shmangur pagimin e taksave duke pretenduar një status special dhe se ai vetë kishte vazhduar të mbante një kartë jeshile të SHBA-së, duke e lejuar atë të jetonte dhe të punonte në Shtetet e Bashkuara, disa muaj pasi ai u bë zyrtari më i lartë financiar i Britanisë. Ai u gjobit gjithashtu për shkeljen e rregullave të bllokimit të koronavirusit pasi mori pjesë në festën e ditëlindjes së Johnson në 2020.

Liz Truss
  • Liz Truss

Liz Truss, sekretarja e jashtme që u emërua nga zoti Johnson vitin e kaluar, shihet si një yll politik në rritje. Ajo ka mbajtur poste të rëndësishme në qeveri nën kryeministrat David Cameron dhe Theresa May. Truss është sekretarja e parë femër e jashtme për një qeveri konservatore dhe përkrahja e saj për sanksionet kundër oligarkëve rusë në fillimin e luftës në Ukrainë u brohorit nga publiku.

Megjithatë, ajo ka shprehur mbështetje të fortë për Johnson pas largimit të dy prej ministrave të kabinetit të tij të martën, kështu që mbetet për t’u parë nëse kjo besnikëri mund ta dëmtojë atë politikisht.

Nadhim Zahawi
  • Nadhim Zahawi

Nadhim Zahawi, i cili u emërua si kancelar i Thesarit disa orë pas dorëheqjes së Rishi Sunak, është ngritur në radhët e Partisë Konservatore gjatë dekadës së fundit dhe shihet si një pretendent i fortë për të udhëhequr partinë. Ndonëse i afërt me kryeministrin Johnson, ai e bëri të qartë të mërkurën se fokusi i tij kryesor ishte shërbimi publik ndaj vendit.

Zahawi ka mbajtur postin e sekretarit të arsimit dhe ka shërbyer si ministër i vaksinave gjatë kulmit të pandemisë. Ai lindi në Irak në vitin 1967 dhe emigroi në Britani me familjen e tij në vitet 1970 kur Sadam Huseini erdhi në pushtet. Zahawi ka folur shpesh për mënyrën sesi Britania i ka dhënë atij dhe familjes së tij “gjithçka” dhe se si ai e ndjen detyrë që t’i shërbejë kombit.

Sajid Javid
  • Sajid Javid

Sajid Javid, ish-sekretari i shëndetësisë, largimi i të cilit të martën së bashku me Sunak ndihmoi në nisjen e ortekut të dorëheqjeve të qeverisë, shihet gjithashtu si një kandidat i fortë për postin e lartë. Javid ka mbajtur një sërë postesh në kabinet si nën z. Johnson dhe paraardhës të tij May dhe Cameron.

Javid është djali i dy emigrantëve pakistanezë. Prindërit e tij mbërritën në Britani në vitet 1960. Ai u bë personi i parë me ngjyrë që mbajti postin e sekretarit të brendshëm kur u emërua në këtë detyrë në vitin 2018. Ndryshe nga shumë prej kolegëve të tij ligjvënës konservatorë, ai vjen nga një familje modeste, ndonëse arriti të ngrihej në gradat më të larta të qeverisë.

 

Suella Braverman
  • Suella Braverman

Prokurorja e Përgjithshme e Britanisë, Suella Braverman, të mërkurën i bëri thirrje Johnson të largohej teksa shtoi se ajo planifikon të kandidojë në zgjedhje për ta zëvendësuar atë.

“Nëse ka një garë lidershipi, unë do ta vendos emrin tim në ring”, tha ajo për rrjetin e lajmeve ITV.

Braverman ka kërkuar që Johnson të jepte dorëheqjen, por ajo nuk hoqi dorë nga roli i saj në qeveri edhe pse tha se nuk e mbështeste kryeministin aktual të Britanisë. Ajo u emërua si prokurore e përgjithshme në shkurt 2020. ©Lapsi.al

Burimi: The New York Times

Pershtati: Lapsi.al



12 Comments

    1. Klloun apo jo…100 me 0 per Putinovic
      Aferim djalit!
      Konstant…gjith ata gjakprisur ne qeveri ….me dekada pune serioze

  1. Te pakten keta dorehiqen! Jo si keta barbonat tane, qe po ngulen bythen ne karrige, nuk kujtohen fare te levizin.

    Eh sa larg civilizimit qe jemi!

  2. Sa turp… Ka njerëz akoma që bredhin mbas SALIUT… Turp…Mos të ketë një politikan tjetër demokrat që të udhëheq popullin edhe të zhduket kjo qeveri… Por vetëm Sala me plehrat e tij kanë ngelur!!!!! . Turp,e rrezuan te vetet dhe jo opozita

  3. të paktën 6 nga 24 kompanitë e denoncuara nga Monika Kryemadhi ishin hetuar nga Prokuroria e Tiranës që vitin 2018 për mashtrim me skemën e TVSH dhe evazion fiskal. Prokuroria mori të pandehur dhe arrestoi 7 pronarë të këtyre kompanive në vitin 2019, të cilët u dënuan nga gjykata me mbi 17 vite burg. Pra bëhej për një skemë të zbuluar, të denoncuar dhe të ndëshkuar nga drejtësia

    1. Dhe anglezet qe talleshin me berluskonin dhe italianet.
      U bete gazi i botes bashke me leshpakrehurin debil. Tani gjeni nje sarsvaticandra dhe bejeni kryeministre.

  4. Iku nje luftenxites qe nuk e ka merituar asnjehere oostin e larte te Kryeministrit britanik.

    Ajo qe terheq vemendjen eshte doreheqja e ministrave njeri pas tjetrit qe e detyroi Johnson te largohet. Kjo ndodh kur postet nuk jepen per t’i sherbyer Kryeministrit, por vendit dhe me dinjitet.

  5. viziten e pare edi plehera e beri ne Rusi eshte rastesi!!!! Te dyten ne Kine rastesi!!! gGjykojeni vete!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *