• |
ide | kryesore

Opozita në Maqedoninë e Veriut kundër propozimit francez, paralajmëron vijimin e protestave

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Nënkryetari i partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, Aleksandar Nikoloski paralajmëroi se protestat kundër propozimit francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë do të vijojnë të dielën.

Nikoloski, i cili është edhe deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, theksoi se janë planifikuar disa hapa që qeveria të mos e pranojë këtë propozim francez, që sipas tij, nënkupton vazhdimin e protestave dhe bllokadave në mbarë vendin, shkruan Euronews Serbia.

“Të dielën do të vazhdojmë sërish në orën 19:00 para godinës së qeverisë dhe ftoj të gjithë qytetarët të na bashkohen. Për ata që nuk mund të vijnë në Shkup, bllokada do të vazhdojë në pjesën tjetër të vendit. Ky është hap i rëndësishëm sepse protestat po japin rezultat”, u shpreh ai.

Sipas tij, propozimi francez shkatërron themelet e shtetit dhe popullit të Maqedonisë së Veriut.

Prej disa ditësh, Maqedonia e Veriut është përfshirë nga protestat, ku më të dhunshmet kanë qenë në Shkup, me përplasje të protestuesve dhe forcave të policisë.

Protestuesit kërkojnë që qeveria maqedonase të refuzojë propozimin e Bashkimit Evropian, të njohur si propozim francez, për fillimin e negociatave për anëtarësim.

Sipas tyre, ky propozim bën “bullgarizimin” e Maqedonisë së Veriut dhe nuk e njeh gjuhën dhe as historinë maqedonase.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *