• |
ide | kryesore

FOTO/ Conte ‘turpëron’ lojtarët e Spurs para 6 mijë tifozësh: Kane e bën të vjellë, Son shembet përtokë

-Instant, Sport



Dihet mirë se një nga dogmat e Antonio Contes si trajner është nevoja që çdo element i skuadrës së tij të ketë një gjendje fizike perfekte dhe një rezistencë të pamatshme ndaj lodhjes. E seancat e para stërvitore të Tottenhamit në Korenë e Jugut e tregojnë fare mirë. Ose më saktë, e demonstron gjendja e disa prej lojtarëve kryesorë të Spurs në fund të seancës rraskapitëse të zhvilluar në stadiumin e Seulit para 6 mijë shikuesve.

Tottenhami i Antonio Contes ndodhet në Korenë e Jugut ku ai do të qëndrojë për disa javë dhe do të luajë dy miqësore, njëra me përfaqësuesen e K-League dhe tjetra kundër Sevillas. Vendi aziatik nuk është sigurisht vendi më i mirë në botë për të kryer një përgatitje, me temperaturat e larta dhe plot lagështi. Por përfitimi ekonomik për një turne të tillë është aq i rëndësishëm sa klima është në hije, edhe pse stërvitja me metodat e Antonio Contes në Seul nuk duhet të jetë e këndshme. Për saktësi pyesni lojtarët e Spurs, të rraskapitur pas një prej seancave brutale të trajnerit leçez.

Para gjashtë mijë tifozëve, të mbledhur veçanërisht për idhullin vendas Son Heung-min, dhe nën urdhrat e përgatitësit atletik Gian Piero Ventrone, skuadra në fund të seancës u detyrua të përshkonte 42 xhiro të fushës 105 metra të gjatë (kush vinte nga kombëtarja “vetëm” 30 xhiro). Në fund të këtij ushtrimi të tmerrshëm, shumë lojtarë të Spurs u rrëzuan, me Harry Kane që madje volli në anë të fushës dhe heroin vendas Son që u shemb në tokë i rraskapitur.

Më dinaku u tregua Kulusevski, ndoshta sepse e kuptoi se me çfarë do të përballej. Suedezi u kthye në dhomën e zhveshjes pas gjysmë ore për një dhimbje në pulpë. I njëjti problem edhe për Ivan Perisic, i cili e ndoqi të gjithë seancën nga ana e fushës. Ose ndoshta dy ish-lojtarët e Serie A e dinin mirë metodën brutale të stërvitjes së Contes…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *