• |
ide | kryesore

Cesar Sampaio kujton si Brazili humbi finalen e Francë ’98: “Mendonim se Ronaldo po vdiste”

-Instant, Sport



Të jesh lojtari më i mirë në botë dhe të tërheqësh skuadrën tënde në finalen e Kupës së Botës, por papritur të jesh viktimë e një sëmundje dhe madje të rrezikosh jetën. Kjo, me pak fjalë, është ajo që i ndodhi në Francë ’98 Ronaldo Luis Nazario da Limas, Fenomenit, siç njihet nga të gjithë në botën e futbollit. Pak orë para finales së Brazilit të tij ndaj mikpritësve francezë, sulmuesi i shqetësoi të gjithë shokët e tij të skuadrës dhe shumë madje. Përfshirë edhe Cesar Sampaion, i cili, duke folur për Kicker, kujtoi ato momente tragjike.

Në orët para finales së shumëpritur të Botërorit 1998 në Francë mes vendasve dhe Brazilit, ndodhi diçka që tronditi jo pak dhomën e zhveshjes të Selecaos: Ronaldo, lojtari më përfaqësues i amerikano-jugorëve, pësoi papritur një sëmundje serioze. Ato momente janë përshkruar nga Cesar Sampaio, i cili ishte diga në mesfushën e atij Brazili me trajner Zagallon: “Tetë apo nëntë orë para finales, Ronaldo pati spazma të tmerrshme në hotel. Një skenë e tmerrshme, menduam se do të vdiste. Në atë moment ai ishte lojtari më i mirë në botë. Ishim shumë të shqetësuar”, u tha mesfushori gjermanëve të Kicker.

Sampaio zbuloi se nisur nga kushtet e fenomenit, trajneri Zagallo kishte vendosur të luante me Edmundon: “Papritmas gjërat dolën nga kontrolli në dhomat e zhveshjes. Menduam se Ronaldo po rrezikonte jetën dhe ishim përgatitur të luanim me Edmundon. Mjekët që e kontrolluan, nuk gjetën asgjë dhe i dhanë dritën jeshile dyzet minuta para se të dilte në fushë. Kishte nga ata që hezitonin ta shihnin në fushë, por Zagallo nuk donte të ishte trajneri që humbi finalen e Botërorit, ndërsa në stol ishte ulur lojtari më i mirë në botë…”.

Një histori për të cilën është folur dhe për të cilën është spekuluar gjatë, por që do të mbetet ende e mbështjellë me një tis misteri. Çfarë ndodhi në të vërtetë me Ronaldon atë natë?



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *