• |
ide | kryesore

Partia e Edit të hapur ballkanik dhe Dritanoviçi malazez

2, Ide



1. Pse përkujtojmë ne Srebrenicën kur boshnjakët nuk merren shumë me hallet tona dhe nuk e njohin Kosovën? (thuhet shpesh nga shqiptarët në rrjetet sociale)
2. Në Bosnjë nuk u vranë boshnjakë, por njerëz! (Dritanoviç)
3. “Kuvendi i Shqipërisë konfirmon qëndrimin e Shqipërisë se mohimi i gjenocidit të kryer ndaj popullatës boshnjake në Srebrenice nga forcat serbe të Bosnjes përben shkelje të ligjit ndërkombetar, nxit fenomenin e pandëshkueshmerise ndaj krimeve të luftës si dhe shkel mbi dinjitetin e më shumë se 8 mije civilëve që u masakruan në Sreberenicë, të mbijetuarve dhe familjeve të tyre, por edhe ndaj rreth 10 mijë shqiptarëve të vrarë gjatë spastrimit etnik në Kosovë dhe 20 mije grave të dhunuara nga regjimi serb i Sllobodan Milosheviqit”. (Pjesë nga Rezolutoviçi i Kuvendit të Shqipërisë).
Pse?
1. Ne, shqiptarët, nuk ka pse të jemi tregtarë fatkeqësish. Nuk ka pse ta ngremë zërin kundër gjenocidit vetëm me raste, sipas atij parimit fshataresk “na kanë ardhur, do u vemi”. Është interes i gjithë njerëzimit që ndaj krimeve të mbahet qëndrim. E sidomos popujt me përmasa krahasimisht të vogla, e kanë të domosdoshme të ngrenë zërin kundër padrejtësive dhe pabarazive, sepse janë potencialisht të kërcënuar prej tyre. Veç kësaj, ka edhe interes të drejtpërdrejtë të shqiptarëve për denoncimin e krimeve gjenocidale të Serbisë, sepse janë një ndër viktimat e preferuara të ideologjisë mizore mbi të cilën është ndërtuar një program nacionalist grabitqar e shoven që dominon tash e dy shekuj në Serbi. Boshnjakët nuk e njohin Kosovën sepse janë të bllokuar nga Republika Srpska dhe partitë serbe të Bosnjës të dirigjuara nga Beogradi e Moska, ashtu siç ukrainasit nuk e njohin Kosovën për shkak të ndikimit direkt që ka patur Rusia deri para luftës në disa parti politike e oligarkë, si dhe në pjesë të popullsisë të atij vendi. Megjithatë, e përsërisim, është në përputhje me principet universale të drejtësisë të qëndrosh kundër krimeve, gjenocideve e pushtimeve, po ashtu është edhe në përputhje me vetëmbrojtjen tonë të ngremë zërin kundra mizorive ruse e serbe.
2. Po, në Bosnjë u vranë njerëz. Dhe ata që vranë ishin njerëz. Me kaq nuk kemi thënë asgjë. Dikush paguhet, dikush rritet në detyrë, duke mos thënë asgjë ose për të mos thënë asgjë. Ka që kryejnë studime e trajnime, magjistrime e doktorime, paguajnë instruktorë për të mësuar aftësinë se si të mos thuash asgjë por ta thuash bukur. Ka që paguajnë ekipe me spiçrajtër për të siguruar që nuk thuhet asgjë, në vendin e duhur e në kohën e duhur. Kështu dhe Dritanoviçi. Në Bosnjë, gjatë rrethimit të Sarajevës, po edhe gjatë vuajtjeve të qyteteve të tjera, e në përgjithësi gjatë luftës, nuk janë vrarë vetëm boshnjakë. Psh. ka patur aty edhe shqiptarë. Madje madje, ka patur edhe serbë, që nuk kanë marrë armët kundër fqinjëve, nuk i kanë lëshuar shtëpitë, dhe janë vrarë e kanë vuajtur krah për krah me boshnjakët. Ka dhe serbë që kanë luftuar në anën e Bosnjës, si psh. gjenerali Jovan Divjak, i cili qysh prej fillimit e la JNA-në dhe u angazhua me ushtrinë boshnjake në nivele të larta, në mbrojtjen e Sarajevës së rrethuar e më pas edhe si zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm boshnjak. Në 2011 Divjakun e ndali policia austriake, sepse kishte urdhërarrest nga Serbia, njëjtë si për gjithë çlirimtarët që luftuan kundër saj. S’ka pse habitemi këtu, secili popull, sado i dominuar nga ideologji shovene e vrastare, e ka fuqinë për të nxjerrë lastarë shprese që mbajnë anën e së drejtës. Edhe nga ana e boshnjakëve, nuk kanë qenë të gjithë viktima apo çlirimtarë. Psh. Fikret Abdiçi i “Bosnjës Perëndimore” u bë aleat me ushtrinë e Republikës Srpska dhe më vonë ka mbajtur burg i dënuar për krime lufte kundër boshnjakëve. Çdo popull ka njerëz që për ambicie personale, për inat, për lakmi, puthen me hasmin dhe ia kthejnë armën kundër të vetëve. Këto duhen thënë, sepse e tillë është historia. Por po ashtu duhet thënë se nuk është thjesht “vrasje e njerëzve nga njerëzit”. Ishte përpjekje për të hequr qafe një popull të tërë, boshnjakët. Pra ishte gjenocid. Autor ishte Serbia dhe ideologjia shovene e nacionalizmit serb, që kurrë nuk u ndërpre. Edhe në Kosovë ka patur shqiptarë që kanë bashkëpunuar me Milloshin, siç ka patur edhe serbë që kanë mbrojtur fqinjët me raste. Por dinamika ishte e qartë, synohej largimi i shqiptarëve prej trojeve ku kanë banuar prej shekujsh. Të mos thënit e të vërtetës haptazi e pa droje nuk ndihmon pajtimin mes popujve, por ndihmon vetëm rehatimin dhe normalizimin e nacionalizmit shoven serb. Serbia duhet ta ndalë atë lloj të nacionalizmit, dhe kjo arrihet duke kërkuar vazhdimisht ballafaqimin e tyre me historinë, me krimet e gjenocidet që i kanë bërë, deri sa të vihet drejtësia. Kështu që, hiqe viçin o Dritan. Nuk mjafton që ke kërkuar falje, për sa kohë që për të ruajtur pozitën tënde flirton me partitë beogradocentrike dhe me bekuesen e kriminelëve, kishën serbe, element kryesor radikal të ideologjisë shoviniste në nacionalizmin serb.
3. Partia Socialiste e Shqipërisë çoi në Kuvend një rezolutë për Srebrenicën. Por nëse ia lexon tekstin, merr vesh që në fakt është një Rezolutoviç. Kjo rezolutë kujdeset të na tregojë se fajtor për gjenocidin qenkan “forcat serbe të Bosnjës”. Pavarësisht faktit se njeriu kryesor i faktorit serb në luftë ishte Sllobodan Millosheviçi, i cili nuk ishte serb i Bosnjës po president i Serbisë. Pavarësisht faktit se fillimisht pala serbe u paraqit në luftë si JNA (ushtri jugosllave) e jo si ushtri e serbëve të Bosnjës. Pavarësisht faktit se mbi 4000 oficerë e ushtarë nga Serbia u angazhuan në masakrat e gjenocidin ndaj boshnjakëve në Bosnjë. Pavarësisht faktit se qindra paramilitarë serbë morën pjesë në luftë. Rezolutoviçi ka vendosur që t’ia lërë fajin vetëm serbëve të Bosnjës, sepse siç duket është me rëndësi të dorës së parë të mos ofendohet Vuçiçi, ish-ministri i Milosheviçit dhe nxënësi i Sheshelit që asokohe nxiste vrasjen e boshnjakëve mundësisht me qindra që të mos lodheshin me numërime. Hajde rezolutoviç hajde. Gjenocid ka pasur, po Millosheviçi e Serbia nuk paskan patur faj. Gjithë fajin e ka Mlladiçi e Karaxhiçi. Të cilët, natyrisht, deri vonë i ka ruajtur dhe i fshehur Serbia e Vuçiçit, teksa ky i fundit bënte dhe “aksione simbolike” duke vënë emrin “Ratko Mlladiç” në bulevarde të Beogradit. Rezolutoviç që ruan vëllamin Vuçiç. Pak rreshta më poshtë, rezolutoviçi kujdeset që të mos i referohet gjenocidit të shqiptarëve në Kosovë si i tillë, por me termin më të lehtë “spastrim etnik”. Pse? Sepse ende nuk e ka njohur bota, Haga, OKB-ja si gjenocid veprimtarinë serbe në Kosovë. O parti e Edit të Hapur Ballkanik, na takon neve shqiptarëve ta njohim të parët atë gjenocid që largoi nga vendi i tyre mbi një milion shqiptarë, dogji e shkatërroi mbi 150.000 shtëpi, përdhunoi mbi 20.000 dhe vrau mbi 12.000. Gjenocidi është krimi që synon zhdukjen e një etnie, dhe pikërisht këtë thuajse e arriti Serbia. Sepse i zhbiu shqiptarët nga Kosova. Na takon ne ta njohim të parët dhe të bëjmë çmos ta njohë dhe bota. Është idiotizëm të presim fillimisht verifikimin nga Haga, Strasburgu, Brukseli, Nju Jorku, që pastaj të flasim dhe ne, për faktin se një kombi të mjerë (të cilët jemi ne), një komb tjetër nën marrinë e shovinizmit deshi t’ia digjte gjysmën e trupit. Hiqeni viçin nga rezolutat e Kuvendit të Shqipërisë, se edhe turpi duhet ta ketë një fund.
Marre nga facebook i autorit Arber Zaimi



10 Comments

  1. MIRËMËNGJES ne radhe te pare per Patronazhistat e PS-se.

    MIRËMËNGJES ne radhe te dyte per delet shqiptare qe ende jane gjalle ne Ballkan.

    Ky autori arber zaimi qe shkruan pa lejen time kerkon te prishi vellazerine personale Timen me Vuçiçin.

    Ky autori arber zaimi duhet te largohet nga shqiperia sepse kerkon te ndaloje Karrierizmin Tim Rajonal.

  2. Edhe ti kishe bere nje shkimovic.

    Sa mire i justifikoje Boshnjaket e vecanerisht Ukrainasit per mos njohjen e Kosoves.
    Te kujtoj se ka mbi 8 vjet qe Ukraina eshte totalisht jashte influences ruse. Edhe boshnjaket, ne se duan mbeshtetje nga te tjeret, te behen njehere burra e ta mbeshtesin Kosoven qe ka vuajtur nga i njejti agresor si ata.
    Njekohesisht duhet te ishe edhe Zaimi pak me trim dhe ta permendje se Genocidi, Masakra e Sebrenices ishte vertete e tille dhe u krye ne syte e impotencen apo indiferencen e trupave te NATO-s, saktesisht atyre holandeze, cuditerisht te asaj Holande qe kerkon qimen ne veze tek ne kur behet fjale per integrimin e Shqoperise ne BE.

    1. Bosnjen nuk e le Republika Serbska ta njohi Kosoven. Gjenocidin ne Bosnje e bene shovinistet serbe dhe Jo NATO , e pse pra sipas teje u dashka ta transferojme fajin nga vrasesi tek tjetri,aq me teper kur ai Tjetri e cliroi Kosoven? Do t’a shplash pak CV Serbise apo pse? Nderkohe per Holanden ke te drejte,si per integrimin si per fajin per te cilin dhe kane kerku falje, por holandezet nuk ishin ne Bosnje si pjese e NATOS,keshtu qe mos deformo faktet

  3. Ne se Bosnjen nuk e le Republika Serbska, qe eshte nje nga njesite perberese te saj, ky eshte problemi tyre e jo yni. Kur te gjejne force per te qene te drejte e te sinqerte me te tjeret mund te pretendojne te njetin trajtim e respekt nga te tjeret kundrejt tyre.
    Sa per Serbine, nuk dua tja shplaj aspak CV-ne, perkundrazi dua ti nxjerr bojen, ti cjerr masken e ti heq grimin mashtrues qe ne se do te jemi te drejte e te sinqerte, po ja sponsorizon e suporton perendimi, ne se shohim se edhe pas gjithe ketyre mizorive, pa kerkuar kurre falje e me nje karshillek pro rus ndaj perendimit, Serbise i celen negociatat per pranim ne BE shume perpara fqinjeve jo fajtore per keto mizori e shpesh viktima te mizorive te tyre. Te kujtoj se nderkohe qe Serbia ka vite qe ka filluar negociatat per anetaresim, Kosova nuk ka as liberalizim vizash, Bosnja e ka liberalizimin e vizave, perfshire edhe Republiken Serbska qe permende ti si faktor negativ. Di ti ta kete kundershtuar Holanda apo ndonje vend tjeter apo ti kene vene kushte si ato qe i kane vene Shqiperise?
    Sa per forcat ushtarake holandeze, perpara se te akuzosh te tjeret per deformim te fakteve, informohu se si qendrojne keto fakte.
    Forcat holandeze ishin ne Bosnje si pjese e NATO-s e cila nga ana e saj kishte mandat nga OKB-ja per te derguar forca paqerruajtese.
    Eshte e vertete se kane kerkuar falje, por kjo ka ndodhur vone, shume vone dhe njekohesisht nuk i shfaqeson nga ky vepim shume i ulet pasi civilet boshnjake i kerkuan mbrojtje ketyre “paqeruajtesve” dhe ata i prene ne bese pasi komandanti i tyre bisedoi apo u kercenua nga krimineli Mlladic. Ekzekutimi i ketyre civileve te pafajshem u krye pikerisht nen hunden e tyre e ata nuk levizen as gishtin per ta ndaluar kete gje.
    Mund te kalohet kjo me nje falje?
    Po per Ukrainen c’fare justifikimi ke?
    Po Ukraina e njeh Genocidin Serb ne Bosnje? Po Genocidin serb ne Kosove?

    1. Tek komenti i dyte me pelqen arsyetimi yt. Pra t’ia cjerrim masken, e t’ia nxjerrim fytyren e vertete shovinisteve serbe.E ku eshte mundesia edhe kur ata skane shume faj , ti bejme me faj (sic bejne ata ndaj nesh gjithmone), e jo me kur kane fajin kryesor ne rastin konkret (gjenocidi ne Sebrenice). PRa ideja ime eshte qe per ti paraqitur serbet sa me gjakatar,kriminele, fajtore, ne si shqiptare sduhet te fokusohemi tek pjesa e fajit te Holandes.Dhe jo se po mbroj Holanden, se nuk eshte as nje nga shtetet qe e mbroj dhe qe ia kemi pare hajrin, ama gjithe fokusi per ta drejtu fajin,duhet te jete tek serbet,se ne fund te fundit spo genjejme,dhe jo tek te tjeret, aq me pak tek NATO dhe qe prape them qe forcat holalndeze ishin forca paqeruajtese nga OKB dhe jo nga NATO (Shiko ndonje vide dhe do shikosh siglen e OKB, video ste genjen).

  4. Per dika komente me siper; “Ja une e thaçe, po kujt ti flaç” tha Kth Spiri! Ps. Mos u merzit Z.Zaimi- kuraje se ke ata qe e duan kete vend e te mbeshtesin!

  5. Dmth narrativa qe po shesin serbet 20e ca vjet pas luftes ( qe e perdor Rama me fekalet e PS) qenka ajo se lufta ishte tip anarkie pa autor ku “njerezit vrane njerezit”, tip lufte civile, e pa pjesmarrje nga ushtria jugisllavo-serbe.
    Tip, etnia serbe e Bosnjes, vrau etnine Boshnjake e Shqiptare.

    Tek ne thuhej dikur para 30-35 vjetesh”E verteta mbrohet me gjak”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *