• |
ide | kryesore

Plas skandali/ Klinika në Shkup bënte eksperimente me të sëmurët me Covid

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Eksperiment i paaprovuar me qeniet njerëzore në vend që t’i kuronte nga COVID-19. Ky ishte trajtimi që morën pacientët që u shtruan në klinikën private “Zhan Mitrev” në Shkup për t’u trajtuar nga virusi.

“Filtrimi i gjakut” apo Hemofiltrimi që “Zhan Mitrev” u ofronte pacientëve me covid si shpresë e vetme për shpëtim nga vdekja, del të ketë qenë eksperiment mjaft i rrezikshëm që u kushtoi me jetë shumë pacientëve. Ky trajtim ofrohej në paketë 3-5 mijë euro për seancë.

Trajtimi me hemofiltrim ishte bërë duke mos u treguar pacientëve dhe familjarëve të tyre se me ta po bëhej një eksperiment shkencor. Nuk u ishte treguar as për rreziqet e as për pasojat që sillte ky trajtim.

Ky skandal u zbulua nga një hulumtim i bërë nga IRL (Investigative Reporting Lab) tek të cilët kishin ardhur mbi 24 ankesa nga familjarët që humbën të dashurit e tyre në klinikën “Zhan Mitrev” nga trajtimi që morën kundër COVID-19.

Jo të pakta ishin rastet e pacientëve që përfundonin tragjikisht pas “Pastrimit të gjakut” si pasojë e infeksioneve bakteriale në gjak që më pas u sillte vdekjen.

I tillë është edhe rasti i familjes Brezevi, të cilët në Zhan Mitrev humbën kryefamiljarin pikërisht nga kjo arsye. Sipas tyre, doktorët e Zhan Mitrev ua fshehën rezultatet laboratorike që dëshmonin se familjari i tyre po merrte infeksione bakteriale spitalore të njëpasnjëshme. Në vend të pasqyrës së vërtetë klinike, u jepnin raporte të rrejshme me rezultate negative për prezencë të baktereve në gjak.

Në analizat që ata vetë i siguruan nga burime të tjera dëshmohej se familjari i tyre që po mjekohej në Zhan Mitrev, po merrte infeksione bakteriale spitalore të njëpasnjëshme.

“Pavarësisht insistimit për të zbuluar të vërtetën, spitali u tregua jo transparent me ne”, – thonë familjarët. Pacientit nga familja Brezevi iu përkeqësua gjendja dhe më pas ndërroi jetë.

Por ai nuk ishte i vetmi. Si Brezevi përfunduan edhe shumë të tjerë që u trajtuan me “Hemofiltrimin” magjik. Sipas IRL, asnjë nga këto raste me helmim gjaku nuk u paraqit në institucionet shëndetësore shtetërore edhe pse me ligj është e obligueshme.

Vetëm gjatë kohës së pandemisë, klinika Zhan Mitrev përfitoi mbi 17 milionë euro vetëm nga trajtimi i pacientëve më COVID. Aso kohe ishin mjaft të shpeshta paraqitjet publike të vetë pronarit dhe doktorit kryesor, Zhan Mitrev në mediat vendase, duke proklamuar “Pastrimin e gjakut” si zbulimi më i avancuar për trajtim të pacientëve me COVID.

IRL gjithashtu ka dalë me disa fakte që sipas saj vendosin në pikëpyetje edhe titujt shkencorë dhe profesional të Zhan Mitrev. Sipas tyre, një pjesë e madhe e titujve po del të jenë të rrejshëm dhe të blerë nga organizata të huaja që nuk ekzistojnë ose që kanë qenë pjesë e mashtrimeve.

Hulumtimi i bërë ndjek rrugën dhe metodologjinë e funksionimit të një prej mjekëve më të paguar në vend. Në fokus të hetimit është periudha 2020-2021 gjatë trajtimit të pacientëve me COVID-19, ku ishte aplikuar metoda e hemofiltrimit.

Kjo metodë zbatohej vetëm në këtë klinikë, bazuar tek një rekomandim i përkohshëm dhe tejet strikt i një organizate shëndetësore.

Hulumtimi i IRL gjithashtu zbërthen dëshmi se si institucionet përgjegjëse shëndetësore nuk kanë ditur për veprimet e paligjshme të kësaj klinike, për trajtime që duhen dhënë leje dhe miratime përkatëse, por edhe mbikëqyrje e specializuar institucionale.

Pas këtij raportimi ka reaguar ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut që ka premtuar se do të ketë hetim të plotë për rastet. ©LAPSI.al



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *