• |
ide | kryesore

Destinacionet turistike që po kërcënohen nga ndryshimet klimaterike

-Instant, Planet



Ngrohja globale është shkaku kryesor i valëve ekstreme të të nxehtit, i stuhive shkatërruese dhe i shumë fenomeneve të tjera shqetësuese. Si po e përballon këtë situatë industria e turizimit?

Nëse dëshironi të shihni drejtpërdrejt ndikimin e ndryshimeve klimatike, bëni një udhëtim në Es Trenc, një nga plazhet më të bukura të Majorkës.

Këtu, bunkerë masivë prej betoni – të ndërtuar në mesin e shekullit të 20-të nga diktatori spanjoll Francisco Franco – fillimisht ishin fshehur mes dunave të rërës. Sot, këto struktura dallohen lehtësisht nga turistët: rritja e nivelit të detit ka marrë një pjesë të plazhit dhe ka ndryshuar rrënjësisht këtë peizazh bregdetar.

Në total, shkencëtarët kanë zbuluar se plazhi Es Trenc tani është 40 metra më i shkurtër se dikur. Nëse ngrohja globale vazhdon siç është parashikuar, shumë plazhe të tjera të Majorkës do të zhduken nga deti.

Numrat e vizitorëve arrijnë shifra rekord, plazhet janë në zhdukje

“Ne po vëmë re një humbje të madhe të sasisë së tokës në rajonin e Mesdheut,” tha Thomas Dworak, i cili koordinoi një studim nga agjencia federale e mjedisit të Gjermanisë mbi efektet e ngrohjes globale në turizëm, studim i cili u botua në vitin 2021.

Kjo është një perspektivë shumë shqetësuese për ishujt e tillë si Majorka, të cilat janë të njohura për pushuesit pikërisht për shkak të plazheve të tyre të gjera. Për momentin, megjithatë, asnjë nga këto shqetësime nuk është pasqyruar te numri i vizitorëve. Përkundrazi: Majorka ka një numër rekord vizitorësh këtë verë.

“Nuk ka shumë prova që dëshmojnë se njerëzit po ndryshojnë sjelljet e tyre në lidhje me udhëtimet për shkak të ndryshimeve klimatike,” tha Dworak. Megjithëse paralajmërimet për pasojat në industrinë e turizmit janë shtuar për shumë vite, ai tha se kishte pasur vetëm një numër të vogël studimesh që tregojnë potencialin e efekteve konkrete.

“Shumë europianë janë krijesa të zakoneve,” tha Dworak. “Dikush që i ka kaluar 20 vitet e fundit duke shkuar për pushime në Itali, do të vazhdojë ta bëjë këtë”.

Edhe katastrofa të tilla tronditëse natyrore si rënia e akullnajës në Dolomitet e Italisë në fillim të korrikut, e cila i mori jetën 11 njerëzve, duket se nuk lënë një përshtypje aq të qëndrueshme dhe aq të fortë sa për të ndryshuar mendjet e njerëzve.

Deri më tani, ndikimi ka qenë i kufizuar

“Nëse të njëjtat vende do të kenë përmbytje të përsëritura, ose rënie të akullnajave, kjo do të ndikojë gradualisht turizmin e atij rajoni,” tha Dagmar Lund-Durlacher, profesore e menaxhimit të turizmit të qëndrueshëm në Universitetin Modul të Vjenës.

Por, deri më tani, ajo tha se ngjarje të tilla kanë ndodhur në mënyrë sporadike në zona të ndryshme. “Njerëzit janë të vetëdijshëm për rrezikun,” tha ajo, “por ata nuk e lidhin rrezikun me një rajon të caktuar.” Karaibet, tha ajo, janë një përjashtim.

Në shtator 2019, stuhia tropikale Dorian goditi Bahamasin, duke shkaktuar shkatërrime masive të cilat gjunjëzuan sektorin e turizmit.

Resortet e skive ndodhen në disa nga rajonet më të prekura nga ngrohja globale, pasi rritja e temperaturave zvogëlon sasinë e reshjeve të borës.

“Kjo është ajo pjesë ku lidhja midis ndryshimeve klimatike dhe turizmit është më e dukshme,” tha Dworak. “Nëse një zonë ku ndodhen resorte për ski ka pasur pak ose aspak reshje bore për disa vite rresht, turistët që preferojnë sportet dimërore do të largohen nga këto destinacione.”

Rajonet alpine janë shumë të qarta për këtë problem, megjithëse shumë prej tyre kanë përdorur mjetet e prodhimit të borës nga bashkimi i ujit me ajrin me presion, për të kompensuar reshjet e munguara të borës. Prodhimi artificial i borës, sipas Ministrit të Turizmit të Tirolit të Jugut, Arnold Schuler, i ka shërbyer mjaft mirë rajonit në Italinë veriore.

Turistët vazhdojnë të vijnë në muajt e dimrit për të bërë ski dhe snowboard. Deri më tani, numri i vizitorëve në dimër dhe në verë ka mbetur në nivele të qëndrueshme.

Lexoni artikullin e plotë në Monitor.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *