Me rastin e 62 vjetorit të lindjes së ish-Presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, Kombëtarja shqiptare e veteranëve të futbollit ka marrë pjesë në turneun tradicional që zhvillohet në Prishtinë. Ndeshjet janë zhvilluar pikërisht në stadiumin që mban emrin e ish-futbollistit të famshëm dhe ish-presidentit të ndjerë të FFK-së, Fadil Vokrri, duke mbledhur kështu emra që kanë bërë histori në futbollin mbarëkombëtar. “Kjo datë ka sjellë në jetë një nga legjendat e futbollit dhe ish-presidentin e FFK-së, Fadil Vokrri – tha presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka -. Do të kishim shumë dëshirë që të jetonte më gjatë, por me atë çfarë ka bërë gjatë gjithë jetës së tij dhe kontributin e dhënë për futbollin, ai, nuk do të vdesë kurrë. Nuk do të vdesë jo vetëm në memorien e komunitetit tonë të futbollit, por edhe në memorien e çdo shqiptari, si një njëri që ka kontribuuar në futboll, si një familjar i mirë por edhe në të gjitha këndvështrimet e tij”.
Sfida e parë e turneut, që organizohej në kujdesin e veçantë të Federatës së Futbollit të Kosovës, ka qenë ajo ndërmjet veteranëve të Prishtinës dhe Llapit, skuadra në të cilat luajti gjatë karrierës së tij ish-presidenti i FFK-së, dhe më pas ndeshja kryesore ajo ndërmjet veteranëve të Kombëtares së Kosovës dhe veteranëve të Kombëtares së Shqipërisë. Shqipëria u mund nga Kosova me rezultatin 2-1, në ndeshjen vëllazërore dhe dhuroi plot emocione dhe spektakël. Kosova kaloi në epërsi në minutën e 2-të me golin e Xhavit Mehmetit, teksa më vonë ish-futbollisti i njohur i Prishtinës, Sheremet Isufi, shënoi në minutën e 25-të, duke fikusra shifrat në 2-0.
Në ceremoninë e zhvilluar në fund të turneut për ekipet pjesëmarrëse anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Ismajl Ajeti e Agim Nura, së bashku me emrat e njohur të futbollit si Ajet Shosholli, Sulejman Mema, Ramadan Cimili e Ramiz Krasniqi, shpërndanë medaljet, teksa ekipi i veteranëve të Kosovës u shpall fitues i trofeut “Fadil Vokrri”. Kjo ishte sfida e dytë vëllazërore për këtë vit mes veteranëve të futbollit të Shqipërisë dhe Kosovës, teksa e para u luajt më 17 shkurt 2022 në Prishtinë, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. “Kur e njeh Fadilin jo vetëm si legjendë, por edhe si bashkëpunëtor e si mik, atëherë emocionet janë edhe më të mëdha – vlerësoi numri 1 i futbollit kosovar Agim Ademi -. Gjithmonë do ta kujtojmë në këtë datë në mënyrën tonë. Fadil Vokrri ishte mbret i fushës së blertë dhe jam shumë i lumtur që kam qenë bashkëpunëtor i tij për shumë kohë. Sot, kjo datë është emocionuese normalisht edhe për familjarët, për kolegët e tij të karrierës, për bashkëpunëtorët e tij në FFK dhe për fansat e futbollit, të cilët deri më sot nuk mund ta zëvendësojnë Fadil Vokrrin, sepse ai i kishte gjërat e veçanta e që janë të paarritshme, pavarësisht se edhe tani kemi futbollistë të jashtëzakonshëm. Sot, Fadili do t’i bënte 62 vjet. Ai jetoj pak por veprat e tij flasin sikur të jetonte 200 vjet. Prandaj, me veprat e tij, ai, gjithmonë do të jetë i pranishëm dhe nuk do të harrohet nga të gjithë shqiptarët”.
Si cdo ndeshje vellazerore,duhet te perfundonte barazim. Dhe jam kunder qe te mbivleresohet kaq shume Fadil Vokkri. Merita ka, por nuk ishte ndonje patriot i madh. Edhe emrin e stadiumit do e meritonin shume persona te tjere para tij