• |
ide | kryesore

Zjarre edhe në Kosovë/ Policia, FSK-ja dhe KFOR-i u dalin në ndihmë banorëve

-Instant, Lajme, Të fundit



Disa fshatra në Mitrovicën e Jugut janë kapluar nga zjarri dhe zjarrfikësit bashkë me Policinë e Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe KFOR-in janë në vendngjarje. Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Fexhrije Pllana, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Jugut.

“Sot rreth orës 15:08 është raportuar për një zjarr në fshatin Cërnushë. Zjarri është përhapur në fshatin Kqiq, te pishat dhe fshatin Zasellë. Njësitë policore, zjarrfikësit, FSK dhe zjarrfikësit e KFOR-i janë në vendngjarje duke u munduar ta lokalizojnë zjarrin dhe ne rast nevoje edhe evakuimin e banoreve”, tha ajo.

Ndërsa zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se zjarret në Mitrovicën e Veriut nuk kanë qenë të mëdha dhe janë shuar shpejt.

“Nuk kanë qenë zjarre klasike. Janë këso zjarre qe po i djegin këto fushat, kanë qenë në fshatin Suhadoll, por i kanë shuar zjarrfikësit shpejt. S’ka më”, tha ai.

Europa po përballet me zjarre si pasojë e valës së të nxehtit që po mbretëron ditëve të fundit. Zjarret e mëdha në Europë janë bërë më të shpeshta, po shkaktojnë më shumë dëme dhe po bëhen më të vështira për t’u shuar. Francë , Spanja, Sllovenia, Kroacia dhe Greqia janë disa nga vendet që po përballen me zjarre. REL



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *