• |
ide | kryesore

Tirana kërkon përmbysjen e madhe, Vllaznia ndjek ëndërrën: Laçi ka gjithcka në dorë për historinë

-Instant, F1, Sport



Tre skuadrat shqiptare zbresin sonte në fushë me objektivin kalimin e raundit të dytë të Conference League, që duket një mision më i thjeshtë për Lacin, e më i komplikuar për Vllazninë e sidomos Tiranën. Kurbinasit do të luajnë në orën 20.00 në Elbasan Arena kundër Petrocub, ndaj të cilëve kanë barazuar pa gola në Moldavi. Debutimin e mbrëmjes në fakt e bën Vllaznia, që në orën 19.30 luan në Krajovë kundër Universitateas, duke nisur nga 1-1 i fiksuar në ndeshjen e parë. Në orën 21.00 është radha e Tiranës, e thirrur në cështje në Bosnjë të përmbysë humbjen 0-1 kundër Zrinjski Mostar.

TIRANA – Në heshtje për të shembur kritikat me performancën në fushë. Tirana ka zgjedhur këtë mënyrë përpara se të zbresë sonte në fushë kundër Zrinjski Mostar në ndeshjen e kthimit të raundit të dytë të Conference League. Humbja në shtëpi, ndonëse minimale, i ka reduktuar shumë shanset e kualifikimit, por pas 3 humbjeve radhazi në Europë bardheblutë do të kërkojnë përmbysjen. Dilemat e vetme të Orges Shehit lidhen me lojtarin që do të udhëheqë sulmin, me dualitetin mes Hasani e De Silvës. Totre duhet të rikthehet në mesin e fushës, për të formuar repartin me Limajn e Aleksin, me teknikun që e konsideron shumë të ri Qefalijan për ti vendosur mbi supe peshën e një ndeshje që duhet rikuperuar në transfertë. Tirana pritet të luajë ndaj boshnjakëve me një 11-she që fillon nga Bekaj në portë, Toshevski në të djathtë, Behiratçe, Najdovski e Ismajlgeci në mbrojtje. Reparti nevralgjik i mesfushës është pa dilema, ndërsa në sulm nëse luan Hasani, në qendër do të jetë Seferin, ndërsa me brazilianin, Taulanti do të luajë si zakonisht në krah, bashkë me Xhixhën.

LAÇI – Alternativa e vetme është fitorja dhe është pikërisht ajo që Laçi do të kërkojë në 90 minutat e kthimit kundër Petrocub në raundin e dytë të Conference League. Barazimi në transfertë me 10 lojtarë e ka rritur besimin në kampin e kurbinasve se përpara publikut të tyre mund të rrëmbejnë kualifikimin, por në të njëjtën kohë i ka lënë pa shërbimet e Spahiut, që u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 28 të ndeshjes në Moldavi. Zëvendësimi i mesfushorit të lindur në Belgjikë është edhe dilema e vetme e Shpëtim Duros, në lidhje me formacionin. Tekniku po vlerëson dy alternative, duke zbritur Zarubicën në linjën e mesfushës, për t’i hapur kështu edhe vendin Guindos në qendër të sulmit, që është edhe hipoteza më e mundshme. Golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar e nisi nga pankina në ndeshjen e parë me Petrocub, por tani duket i favorizuar për të udhëhequr repartin, i asistuar në krahë nga Mazrekaj e Akiniemi. Zgjedhja e dytë është që në krah të Ujkës dhe Zikos të luajë Turkaj në mesfushë, duke i lënë krahun e djathtë të mbrojtjes Cucit. Në portë Dajsinani nuk ka rivalë, ndërsa përpara tij Roganovic e Malota do të mbrojnë qendrën me Velkoskin në të majtë. Natyrisht Duro do të ketë më shumë minuta për t’i dhënë Babatundes, që po rikuperon formën me shpejtësi, por ende i pamundur të përballojë ngarkesën e 90 minutave. Laci kërkon fitoren për të shkuar në raundin e tretë të turneut dhe mjafton edhe një gol pa pësuar për tia arritur. E për një skuadër që në 270 minuta në Europë nuk ka pësuar ende nuk duket një mision i pamundur…

VLLAZNIA – Një barazim në debutimin europian që lë shumë skenarë hapur, nga avantazhi për Universitatea Craiova deri te mundësitë e kualifikimit të Vllaznisë: 1-1 në Loro Borici megjithatë nuk i ka lënë të kënaqur shkodranët, pavarësisht emrit të kundërshtarit. Tani bëhet e vështirë sigurisht, sepse kërkohet një fitore në transfertë, gjë që është e komplikuar, por në futboll gjithcka mund të ndodhë. Goli i Hoxhaj patjetër që është një nxitje për të dhënë maksimumin në 90 minutat e kthimit. Mungesa e vlerës së realizimit në fushën kundërshtare është një bonus që Vllaznia mund ta shfrytëzojë plotësisht dhe Josa në këtë pikë e di se mund të bëjë lojën e tij, duke provuar shanset për të bërë historinë me shkodranët, duke i cuar për herë të parë në raundin e tretë të një kompeticioni europian. Kundërshtari është favorit dhe kjo nuk ka dyshime, por fakti që skuadra e Josës jo domosdoshmërisht duhet të zbilancohet në kërkim të golit i rrit shumë shanset për sukses, e pikërisht për këtë stafi teknik i kuqebluve mendon edhe penalltitë si zgjidhje. Formacioni që luajtur në 90 minutat e para në Loro Borici dha sinjale pozitive, por kjo nuk do të thotë se Josa nuk ka menduar ti sistemojë edhe më mirë gjërat. Gjithësesi, deri të enjten ka kohë për të përcaktuar detajet e fundit, por ajo që vlen është besimi që ekziston për të rrëmbyer një kualifikim të ëndërruar. Shkodranët kanë udhëtuar drejt Rumanisë dy ditë përpara për ti krijuar komoditetet sa më të mëdha skuadrës, duke evituar mbingarkesën fizike dhe duke e përshtatur edhe me klimën atje si detaje që ndoshta mund të bëjnë diferencën kundër Universitateas.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *