• |
ide | kryesore

Beteja e madhe ka filluar, Ukraina nis sulmin për të marrë jugun

-Instant, Arkiva, Planet, Të fundit



Ditët dhe javët e fundit, analistët kanë filluar t’i bëjnë jehonë zërave në rritje se një kundërofensivë ukrainase rreth qytetit Kherson në jug të vendit, është e pashmangshme. Nuk ka asnjë dyshim se qyteti më i madh ukrainas që ka rënë nën kontrollin e ushtrisë ruse që në ditët e para të pushtimit, do të ishte një “trofe” me peshë për forcat ukrainase në

se do të arrihet të rimerret. Por nga ana tjetër, është e paqartë nëse Ukraina do të jetë në gjendje të përballojë një ofensivë për ta rimarrë qytetin jugor, apo nëse ka rezervat e duhura në dispozicion për një operacion të tillë.

Cilat janë shenjat e një kundërsulmi të tillë?

Një nga shenjat më të dukshme se Kievi mund të përgatisë një kundërofensivë ndaj kryeqytetit rajonal me të njëjtin emër, janë një seri sulmesh mbi 3 ura, tek të cilat mbështeten forcat ruse për të sjellë në rajon furnizime dhe materiale për trupat e tyre, të cilat luftojnë në perëndim dhe në veri të qytetit.

Kherson është i rrethuar gjeografikisht nga lumenjtë Dnieper dhe Inhulets. Mbi ta duhet

të kalojnë të gjitha përforcimet dhe furnizimet ruse që shkojnë në front. Kirill Stremousov, kreu i autoriteteve pushtuese të Rusisë në rajonin Kherson, tha se ura Antonivskyi mbi lumin Dnieper mbeti në këmbë edhe pas goditjeve me raketa nga ukrainasit.

Por ajo ka pësuar dëmtime serioze ndaj duhet të qëndrojë e mbyllur për automjetet dhe këmbësorët. Pas sulmeve të mëparshme, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe pretendoi se forcat e armatosura ruse mund të tentonin të ndërtonin ura lundruese përtej lumit, për të kompensuar shkatërrimin e infrastrukturës së urave të tjera.

Por ky pretendim nuk është konfirmuar. Në fushën e betejës, Ukraina i ka shtuar sulmet e saj kundër pozicioneve ruse në rrethinat e Kherson-it. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se trupat ukrainase kanë avancuar “hap pas hapi” drejt çlirimit të qytetit.

Më 10 korrik, zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk iu lut banorëve të Kherson-it që të largoheshin sa më shpejt që të ishte e mundur nga rajoni, përpara fillimit të një kundërsulmi të planifikuar. Ajo ishte një deklaratë e qartë, që tregonte synimin e ushtrisë ukrainase për të avancuar në këtë rajon.

Madje Serhiy Khlan, një këshilltar i kreut të rajonit të Kherson, shkoi aq larg sa të premtonte në një intervistë televizive për një televizion ukrainas se “rajoni i Kherson do të çlirohet patjetër brenda muajit shtator”.

Sipas raportit ditor të Institutit për Studimin e Luftës mbi pushtimin rus të Ukrainës, trupat ukrainase goditën më 26 korrik depot ruse të municioneve, si dhe bazat ku ka një përqendrim më të lartë të trupave ruse në rajonin e Kherson. Po ashtu, ai përmendi pretendimet e Komandës Operative Jugore të ushtrisë ukrainase, se forcat ruse kishin dështuar në një tentativë kundërsulmi kundër linjave të tyre mbrojtëse në veri të Kherson-it.

Si po menaxhohet pushtimi i Kherson-it nga Rusia?

Si një nga qytetet e para në Ukrainë, që u pushtua nga rusët që në fillim të luftës, këta të fundit kanë pasur më shumë kohë për ta konsoliduar praninë e tyre aje. Qyteti i Kherson-it u pushtua për herë të parë nga trupat ruse më 3 mars, një disfatë për të cilën pjesërisht u fajësua kreu i atëhershëm i Shërbimit Ukrainas të Sigurisë (SBU), për mos-shkatërrimin në kohë të urave mbi lumin Dnieper (dhe të cilat tani po sulmohen nga trupat ukrainase) për të ndalur përparimin e ushtrisë ruse që në momentet e para të pushtimit.

Sipas shumë raportimeve, Rusia po synon të forcojë kontrollin e saj mbi qytetin dhe rajonin përreth Kherson-it, dhe madje duke e aneksuar atë. Kirill Stremousov ka folur publikisht për qëllimin e administratës së tij për të mbajtur një “referendum” mbi shkëputjen hipotetike të rajonit nga Ukraina dhe aneksimin e saj nga Rusia.

Në muajt që pasuan pushtimin e qytetit nga Rusia, autoritetet pushtuese të Moskës futën monedhën e tyre rublën si monedhën zyrtare në territorin e pushtuar. Po ashtu, ata kanë filluar të shpërndajnë pasaporta ruse për popullatën, duke kopjuar taktikat e mëparshme që kanë ndjekur në Krime, Donbas, Transnistria moldave si dhe në 2 rajonet e pushtuara në Gjeorgjinë fqinje.

Po cilat janë perspektivat e ardhshme të kësaj kundërofensive?

Ndërsa forcat ruse dhe ato ukrainase po përleshen ashpër për territorin përreth Khersonit, është e qartë se po rritet presioni mbi qytetin dhe forcat mbrojtëse. Ndërsa Kherson nuk ka pasur të njëjtin prioritet në shpërndarjen e trupave dhe pajisjeve si në luftimet në Donbas, Ukraina do të humbiste shumë nga avantazhet që gëzon si pala mbrojtëse në pushtimin rus, apo nëse do të hidhej në kundërsulm ndaj forcave ruse pranë Khersonit.

Armët perëndimore, si sistemi i artilerisë HIMARS, i ka dhënë mundësi forcave ukrainase të frenojnë përparimet e ushtrisë ruse, dhe mund të ndihmojnë edhe në lehtësimin e një avancimi drejt Kherson-it. Por është e dyshimtë nëse ato mund të krijojnë mundësinë e një depërtimi më të thellë në territorin e pushtuar ukrainas në juglindje.

Ndërsa udhëheqësit ushtarakë ukrainas kanë premtuar më herët ofensiva ndaj Khersonit që nuk u realizuan kurrë, Kievi ka të ngjarë të pozicionohet për të tentuar një kundërsulm të ri ndaj këtij qyteti. Rimarrja e Khersonit do të ishte një fitore strategjike dhe një nxitje për moralin e Ukrainës, e cila deri më tani nuk ka qenë në gjendje të rimarrë asnjë qytet të madh të pushtuar nga pushtimi rus, përveç qyteteve në Ukrainën Veriore dhe ato rreth Kievit pas tërheqjes së trupave rusë në atë zonë gjatë muajit prill./ ABC

Shënim:Wesley Culp, studiues në Qendrën për Studimin e Presidencës dhe Kongresit. Ai shkruan rregullisht për Rusinë dhe Euroazinë.



3 Comments

  1. Veyrm ARMATA E MADHE e BONAPARTIT do te bente pune kunder ketyre neandertaleve androcide bolshevike!

    Kujtoj me gezim, ndersa lexoj, sesi ARMATA E MADHE franceze vrau rreth 40mije ruse ne pak dite gjate fushates se Rusise…

    Eh, c’dite!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *