• |
ide | kryesore

Tensionohet situata/ Serbët bllokojnë rrugët në veri të Kosovës

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës, që gjendet në Komunën e Leposaviqit.

Besim Hoti nga Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se është vendosur një bllokadë edhe në Rudarë të Zveçanit, përkatësisht në rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë. Fshati Rudarë gjendet pesë kilometra nga Mitrovica.

Hoti po ashtu tha se bllokada është vendosur edhe në fshatin Zupqë, që gjendet në afërsi të magjistrales Bërnjak-Mitrovicë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka mbyllur pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak – për qarkullim të udhëtarëve dhe automjeteve – për shkak të bllokadave të vendosura dhe ka njoftuar qytetarët që të përdorin rrugë alternative.

Qytetarët duke përdorur rrugë alternative pas bllokadave në veri të Kosovës.

Sirenat po dëgjohen vazhdimisht në Mitrovicë të Veriut, që rëndom lëshohen kur ka ndonjë organizim. Hoti nga Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në këtë komunë janë dëgjuar sirena, por ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë më pas.

Po ashtu, raportohet për një bllokadë në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut.

Bllokada afër Lagjes së Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut.

Vendimet për targat dhe dokumentet serbe

Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Qeveria ka thënë se më 1 gusht do të nisë lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Dokumenti që Serbia lëshon për qytetarët e Kosovës kur ata kalojnë në territorin serb.

Me këtë dokument do të pajisen edhe personat nën 16 vjeç që nuk kanë dokument identifikimi, por që duhet të kenë certifikatë të lindjes.

“Ne nuk do t’iu marrim dokumentet njerëzve që vijnë nga Serbia në Kosovë, ne do t’ua shtojmë një fletë-deklarim. Pra, ata vijnë me dokumente e lëshuara nga Serbia, ne nuk ua marrim ato, por ua lëshojmë një fletë-deklarim, sepse ka 11 vjet që Serbia vepron njësojë me çdo qytetar të Republikës sonë kur e kalon kufirin dhe shkon në Serbi. Pra, nga nesër ata do të kenë një dokument më shumë”, tha më 31 korrik kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Po ashtu të hënën pritet të hyjë në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave ma targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas vendimit të marrë më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës, afati për riregjistrimin e makinave do të zgjasë deri më 30 shtator.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 31 korrik, se Kosova po thirret në nenin 3 të Marrëveshjes së lëvizjes së lirë që Prishtina dhe Beogradi kanë arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Por, sipas tij, ky nen nuk mund të zbatohet për serbët që jetojnë në veri të Kosovës. Ai u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë për qetësi, por ka shtuar se ka frikë nga reagimi i tyre, pa elaboruar se për çfarë reagimi bëhet fjalë.

Dy vendimet e Qeverisë së Kosovës nuk janë pritur mirë në Beograd, teksa drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka thënë të shtunën se nëse Prishtina nuk tërhiqet nga këto dy vendime, atëherë zyrtarët serbë në Kosovë do të nisin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia më 2013 kanë arritur Marrëveshjen fillestare për Asociacionin, ndërkaq më 2015 palët kanë nënshkruar edhe Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e Asociaicionit.

Po atë vit, Gjykata Kushtetuese gjeti se 23 pika të marrëveshjes ishin në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, që tha se mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Serbia insiston që të zbatohet Marrëveshja për Asociacionin, ndërkaq kryeministri Kurti vazhdimisht është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

Bllokadat për targat

Ndryshe, edhe në të kaluarën, serbët lokalë në veri të Kosovës, kishin bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie me vendimet e autoriteteve të Kosovës.

Herën e fundit kur u bllokuan rrugët në veri të Kosovës, përkatësisht ato që çonin në drejtim të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, ishte në shtatorin e vitit 2021.

Atëbotë, serbët lokalë protestuan vendimin e Qeverisë së Kosovës për të kërkuar nga shoferët serbë që të hiqnin targat dhe të pajiseshin me targa të përkohshme me të hyrë në territorin e Kosovës.

Bashkimi Evropian lehtësoi uljen e tensioneve dhe palët u pajtuan që të vendosnin letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targa. Por, në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia dështuan që të arrinin një marrëveshje afatgjatë për këtë çështje dhe dy palët vazhdojnë të aplikojnë regjimin me letra ngjitëse. /REL



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *