• |
ide | kryesore

Shkarkohen të gjithë drejtorët e kufirit të policisë së Vlorës

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Shkarkohet i gjithë zinxhiri komandues i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë dhe personat përgjegjës, për moszbatimin e masave shtesë për parandalimin e ngjarjeve me mjetet lundruese, në zonat bregdetare.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, pas analizës së hollësishme në lidhje me ngjarjen e ndodhur mesditën e sotme, në Potam, Himarë, ku humbi jetën një 7-vjeçare, si pasojë e goditjes nga një mjet lundrues që drejtohej nga një oficer policie, bazuar në konkluzionet e nxjerra nga analiza e situatës, mori vendimin për shkarkimin nga detyra të të gjithë zinxhirit komandues dhe të personave përgjegjës në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë.

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano u shkarkuan nga detyra:

Kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj, me detyrë Drejtor i DVKM Vlorë;

Komisar Fatos Muka, me detyrë Shef Sektori i Kufirit në DVKM Vlorë;

Kryekomisar Andon Marko, me detyrë Shef Sektori i Zbatimit të Masave Plotësuese për Kontrollin e Territorit, në DVKM Vlorë;

Nënkomisarë Dritan Veizaj dhe Ervis Alisinanaj, me detyrë specialistë pranë këtij Sektori;

Inspektorë Ardian Kamaj, Granit Nuraj, Jonel Ahmeti dhe Juljan Mehmetaj, efektivë të Sektorit për Zbatimin e Masave Plotësuese për Kontrollin e Territorit, në DVKM Vlorë;

Nënkomisar Neritan Buzi, Shef Stacioni i Policisë Kufitare Dhërmi dhe Nënkomisar Daniel Likskëndaj, specialist pranë këtij Sektori;

Inspektorë Andrea Zenelaj, Besnik Limaj, Fatos Pashaj dhe Arsen Hasanaj, trupë shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Dhërmi.

Ndërkohë, grupi i posaçëm, i ngritur me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i përbërë nga specialistë nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamenti për Rendin dhe Sigurinë Publike, vijon punën për eleminimin e mangësive, me qëllim parandalimin e ngjarjeve me mjetet lundruese.

Drejtori i Përgjthshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano thotë se është i vendosur për të mos toleruar asnjë punonjës policie, drejtues apo zbatues, që nuk zbaton me rigorozitet dhe ndershmëri detyrat funksionale, në interes së mbrojtjes së jetës së qytetarëve.

“Policia e Shtetit i shpreh edhe një herë familjes Avdia, ngushëllimet më të sinqerta, dhe siguron qytetarët se punonjësit e Policisë në të gjithë vendin janë duke punuar me përkushtim dhe sakrificë për të garantuar rendin dhe sigurinë, si dhe për të luftuar paligjshmërinë, ndaj ngjarja shumë e rëndë që ndodhi mesditën e sotme nuk duhet të përbaltë dhe të hedhë poshtë punën e mijëra punonjësve të Policisë në të gjithë vendin”  – thuhet ne njoftim.



6 Comments

  1. Si mund te shkarkohen pa u bere asnje hetim?! Apo komunistet jane mbi ligjin dhe partia sic vendos kur emerohen, ashtu vendos dhe kur shkarkohen. Vetem nga procedurat e shkarkimit ata do kene te drejte te rikthehen ne pune dhe te marrin pagat deri ate dite. Po c’rendesi ka kjo para propagandes se partise-shtet.

    1. Atë po mendoja dhe une. Si mund të heqësh policë që s’paten lidhje me ngjarjen, pa bërë një hetim të plotë se si ndodhën gjërat. Edhe këta policë që u hoqën jan bij nënash me hallet e tyre, kur në fakt ky është një problem sistemi dhe kulture. Gjërat janë trashur me kohë në të gjitha nivelet, hoqe ca veta dhe i zgjidhe punët??!! Të jetë ashtu hiqi të gjithë policët.

      E vërteta është kjo është një shashke tymuese për të qetësuar situatën dhe treguar se shteti i kontrollon gjërat dhe vë rregull. Kjo mënyrë e të punuari është tipike e regjimeve të dështuara dhe të korruptuara, si kjo që kemi tani.

      Iku vajza vogël, nesër këta do vazhdojn punën si zakonisht, KÇK.

  2. Asgje ligjore nuk ka ne kete vend qysh se i thone policia e shtetit duke qene qartesisht dhe lehtesisht policia qeverisese (pa cekur poshtersinat pa ligj). Pra, mund te kishim polici shteti vetem kur buron drejtperdrejt nga parlamenti. Keto jane te gjitha pallavra (nuk ka asnje akt me shkrim per askend/ nuk mund te kete ligjerisht) per te amortizuar revolten… Ku eshte ky perendimori i Madh (e kam per kete qe lef persa me siper) apo, i zgjuari (siç thote nje profe per te), kur mendon se mund te dorehiqet… çfare duhet te ndodhe… edhe vetem me kete ngjarje dhe pa kete autor (sikur te mos ishte punonjes policie), per mungese efiçense ne ndermarrjen e tij ndaj krimit, duhet te zhdukej nga faqja e dheut Ai vete… (po kush e len edhe sikur…) … pffffffffffffffffffffffffffffff turpi….🤗
    Zoti e ngushellofte ate familje dhe u dhashte gajret, drite befte shpirti i te gjores/ foshnje, veç te mira paçin pas te sotmes… se keto vazhdojne politikat personale sa nga njera ane si me siper dhe sa nga ana tjeter qe i fryejne…
    Kaq…

  3. Hiq nji pale trafikante dhe vej ca te tjere. Shtet i degjenerum ke te kapesh e ke te lesh te gjith maskarenj.

  4. Ky plugimi policor ne Vlore eshte si kofini pas te vjelave.
    Vlora eshte zone e erret e trafiqeve dhe trafikanteve qe prej 30 vitesh e kane kthyer ne qytet te frikshem, aq sa edhe ish deputeti i saj, Edi Rama, pasi nuk ndryshoi kete realitet e la dhe kandidoi ne Durres ne zgjedhjet e fundit.

    A mund te shpresojme ne nderrimin e ca kuajve ne karrocen e shtetit?!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *