Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy persona, ndërsa janë shpallur në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tyre për vjedhje me dhunë.
Ngjarja ka ndodhur në Selitë. Katër personat, nën kërcënimin e armës, i kanë marrë shtetasit K. Z., 23 vjeç, një shumë parash dhe biçikletën.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 bënë kapjen dhe arrestimin e shtetasve:
– S. O., 19 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
– R. Th., 23 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit:
– M. F., 23 vjeç, dhe E. S., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë.
“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë marrë nën kërcënimin e armës, shtetasit K. Z., 1450 euro, një shumë lekësh, aparatin celular dhe biçikletën” njoftoi policia.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit S. O. iu gjetën dhe iu sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit pistoletë, e dyshuar e përdorur gjatë vjedhjes dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në vijim të veprimeve ka rezultuar se ky shtetas ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Vjedhja”, duke dalë jashtë banesës.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.