• |
ide | kryesore

Shqipëria nën “pushtetin” e flakëve nga Veriu në Jug, evidentohen 34 vatra zjarri në 24 orë

-Instant, Lajme, Të fundit



Situata me zjarret në vendin tonë vijon të mbetet problematike. Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 34 vatra zjarri. Në operacion për shuarjen e vatrave gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 1004 forca Operacionale, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor, forca vullnetare dhe janë angazhuar 70 mjete zjarrfikëse dhe helikopteri Cougar i FA i cili ka operuar në Skuraj, bashkia Kurbin dhe në fshatin Dushkarak, bashkia Selenicë. Ndërkohë, nëntë vatra zjarri janë aktive në vendin tonë nga veriu në jug. Aktualisht janë aktive zjarret:

  • Në njësinë administrative Postribë, në fshatrat Prruemos, Vilzë dhe Omaraj. Që në orët e para të mëngjesit, janë angazhuar forcat e Pushtetit vendor, të mbështetur nga 60 Forca të Armatosura për vënien nën kontroll të zjarrit.
  • Në fshatin Mali i Jushit, të bashkisë Vau Dejës, vijon aktive vatra në sipërfaqe shkurre dhe ferra. Janë të angazhuar shërbimi zjarrfikës dhe vullnetarë.
  • Në fshatin Lam i Madh, bashkia Mat, vijon puna për izolimin dhe shuarjen e zjarrit nga forcat e pushtetit vendor dhe Forcat e Armatosura. Gjatë natës kanë qëndruar në gatishmëri tre mjete zjarrfikëse në mbrojtje të fshatit Lam i Madh, 2 të FA dhe 1 e Bashkisë Mat. Sot janë angazhuar në mbështetje të forcave të bashkisë 30 Forca të Armatosura.
  • Ditën e djeshme në vendin e quajtur “Liqeni i Zi German”, bashkia Mat, është aktivizuar një vatër zjarri në orët e pasdites. Për shuarjen e tij në ditën e sotme janë angazhuar forcat në nivel vendor dhe 20 Forca të Armatosura.
  • Në fshatin Bershi, bashkia Klos, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore. Në vendngjarje ditën e sotme janë angazhuar forcat e pushtetit vendor për vënien nën kontroll të vatrave.
  • Në fshatin Shetaj, bashkia Durrës, e cila po mbahet në monitorim nga MZSH Durrës.
  • Në fshatin Mal i Bardhë, bashkia Kurbin, për të cilin ditën e djeshme janë angazhuar forcat e pushtetit vendor, të mbështetur nga 50 Forca të Armatosura, si dhe është operuar nga ajri me Helikopter Cougar. Është arritur mbajtja jashtë rrezikut e banesave të fshatit.  Vijon operacioni me mbështetjen e Forcave të Armatosura.
  • Në fshatin Torovicë të bashkisë Lezhë, është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe kullotë. Janë angazhuar forcat e pushtetit vendor.
  • Në zonën e mbrojtur Pylli i Ballollit, fshati Plashnik i Madh, bashkia Poliçan, është aktivizuar një vatër zjarri. Janë angazhuar forcat e pushtetit vendor të bashkisë Polican, të mbështetur nga 40 forca të armatosura.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *