• |
ide | kryesore

Vritet një komandant palestinez me ndikim në bastisjet izraelite

-Instant, Lajme, Të fundit



Ibrahim al-Nabulsi, udhëheqësi lokal i grupit militant palestinez, Brigadat e Dëshmorëve al-Aqsa, është vrarë në një operacion izraelit në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Al-Nabulsi dhe dy burra tjerë janë vrarë gjatë bastisjeve në një shtëpi në qytetin Nablus.

Kryqi i Kuq Palestinez ka thënë se 40 njerëz tjerë janë plagosur.

Brigadat e Dëshmorëve al-Aqsa është një rrjet i milicive të lidhura me Fatah-un dhe lëvizjen palestineze që kontrollon Bregun Perëndimor.

Izraeli ka akuzuar Nabulsin për udhëheqje të një qelize të grupit që ka kryer sulme kundër izraelitëve në Bregun Perëndimor.

Tre bashkëpunëtorë të tij janë vrarë në disa bastisje të kryera në shkurt, mirëpo Nabulsi pati ikur, kanë thënë mediat izraelite.

Përgjatë fundjavës, Izraeli ka nisur sulme ajrore ndaj militantëve të grupit, Xhihadi Islamik Palestinez në Rripin e Gazës.

Si pasojë e sulmeve kanë vdekur të paktën 44 palestinezë – përfshirë dy komandantë të lartë.

Militantët kanë nisur po ashtu qindra raketa nga Gaza, si pasojë e të cilave janë lënduar lehtë disa izraelitë.

Një armëpushim i ndërmjetësuar nga Egjipti tri ditë pas nisjes së luftimeve, ka hyrë në fuqi të dielën.

Tensionet mes Izraelit dhe palestinezëve

Tensionet rriten shpesh në mes të Izraelit dhe palestinezëve që jetojnë në Jerusalemin Lindor, në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Gaza udhëhiqet nga grupi militant palestinez, Hamas, i cili e ka luftuar Izraelin disa herë.

Palestinezët në Gaza dhe Bregun Perëndimor thonë se janë duke vuajtur për shkak të veprimeve dhe kufizimeve të Izraelit.

Izraeli, në anën tjetër, thotë se është duke vepruar për të mbrojtur veten nga dhuna palestineze.

Një ndër pikat kyçe të mospajtimeve mes dy palëve ka të bëjë me Jerusalemin.

Izraeli e konsideron gjithë Jerusalemin si territor të vetin dhe si kryeqytet të pandashëm, derisa palestinezët kërkojnë që pjesa lindore të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre në të ardhmen.

Ankesimi i Jerusalemit Lindor nga Izraeli nuk njihet ndërkombëtarisht./REL



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *