• |
ide | kryesore

Qeveria rrit më tej fondet për rrugët në ndryshimet e fundit buxhetore

-Instant, Lajme, Të fundit

Me gjithë sugjerimet për rritjen e paketave të ndihmës për të mbështetur shtresat e varfra nga rritja e çmimeve, qeveria në ndryshimet e fundit buxhetore ka rritur më tej fondet për rrugët. Me aktin normativ të muajit korrik, që është botuar së fundi në Fletoren Zyrtare, buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës është rritur me 5,5%, ku shumica e fondeve kanë shkuar në programin e transportit rrugor. Buxheti total i Ministrisë së Infrastrukturës arriti me ndryshimet e fundit në 45,3 miliardë lekë, nga 42,9 miliardë lekë që  ishte me ndryshimet e muajit mars.


Sipas tabelave bashkëngjitur financimet e brendshme për transportin rrugor arritën në 24,1 miliardë lekë me një shtesë prej 1,4 miliardë lekësh ose rreth 11 milionë eurosh. Gjithsesi buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës është më i ulët se në buxhetin fillestar ku financimet totale për këtë dikaster ishin planifikuar me mbi 47 miliardë lekë në vitin 2022. Rritja e buxhetit të rrugëve në mes të vitit ka qëllim kompensimin e rritjes së çmimeve, për lëndët e para, si çimento dhe hekur që janë rritur ne mënyrë të dukshme nga viti i kaluar. Gjithsesi qeveria po tregohet më e rezervuar me zërin e investimeve për siguruar një mbrojtje më të lartë ndaj goditjeve të papritura që mund të sjellin çmimet e energjisë etj. Por nëse rreziqet nuk ndodhin investimet rrezikojnë të rishpërndahen në dhjetor njësoj si përgjatë viteve të fundit.


Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, investimet kapitale faktike më 2021 arritën një vlerë prej 128 miliardë lekësh (mbi 1 miliard euro), por 32 % e kësaj vlerë 42 miliardë lekë ( 340 milionë euro) u dhanë gjatë muajit dhjetor. Zhvillimet buxhetore të vitit 2022 po ecin sërish në të njëjtën rrugë. Ndërkohë që qeveria rishpërndan akumulimin e investimeve kapitale në fund të vitit në projekte të ndryshme, një borxh i fshehur jashtë llogarive zyrtare po rritet vit pas viti dhe po shihet me shqetësim nga institucionet financiare ndërkombëtare./ Monitor

2 Comments

  1. Çmund te pritet me nga kjo qeveri?
    Nqs pritni ndonje pakete ndihme,apo cfardo te mire siç ndodh ne bote,harrojeni,fatkeqesisht ketu vetem ju merret (zhvatet),nuk ju jepet.
    Duhet shume per te kuptuar qe duhen nderruar rolet?

  2. Pronat, pronat. Pa te tjerat jane pordha me rigon. Realitet fiktiv pa njohur pronen private. Sa do smirusha patronazhiste dhe sorollop te punosoje BE, Soros, Rama

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.