• |
ide | kryesore

Kontrollet mjekësore konfirmojnë dëmtimin e Di Marias: pas 10 ditësh do të rivlerësohet

-Instant, F1, Sport



Pasi magjepsi stadiumin Allianz në 66 minutat e ndeshjes debutuese kundër Sassuolos, Angel Di Maria ka pësuar një dëmtim që do ta mbajë larg nga fusha e luajtur për të paktën 10 ditë. Pas nënshkrimit të golit të parë të kampionatit të Juventusit dhe dhënies së një asistimi për golin e dytë personal të Vlahovic, El Fideo u largua nga fusha duke ndjerë dhimbje në aduktorin e majtë. Testet instrumentale të cilave argjentinasi iu nënshtrua sot, zbuluan një dëmtim të shkallës së ulët në muskulin aduktor të gjatë të kofshës së majtë. Lojtari do të rivlerësohet pas 10 ditësh.

Një ndalesë që alarmon mbi të gjitha Max Allegrin: Juventusi ka të numëruar lojtarët në vijën e parë të sulmit, ndërsa vazhdon kërkimi për një zëvendës të Vlahovic e me Federico Chiesa ende të pa rikuperuar. Në pak javë, Zonja e Vjetër ka humbur të dy asat e merkatos së saj: para argjentinasit, Paul Pogba u ndal për një dëmtim të meniskut. Edhe francezi pritet të rikthehet në fillim të shtatorit. Di Maria sigurisht që do të mungojë në ndeshjet e radhës ndaj Sampdorias dhe Romës, por nuk përjashtohet që pritja për rikthimin e tij të shkojë përtej ndeshjeve ndaj Spezias dhe Fiorentinës. El Fideo duhet të kthehet në dispozicion të Allegrit në pjesën e parë të shtatorit, por kalendari i ngjeshur para Botërorit sigurisht që nuk ofron frymëmarrje dhe në Torino ekziston frika se argjentinasi mund të humbasë edhe ndeshjet e para të Champions League.

Di Maria u shfaq herët në mëngjes në J Medical për një vlerësim, i cili konfirmoi shqetësimet e djeshme pas lojës. Në fakt, është e mundur që kjo ndalesë mund të ndikojë në një përshpejtim në merkaton e Juventusit: të ketë në dispozicion përforcimet e Memphis Depay dhe Leandro Paredes sa më shpejt të jetë e mundur, bëhet, në këtë pikë, një domosdoshmëri për Allegrin.

NJOFTIMI PËR SHTYP I JUVENTUSIT
Angel Di Maria iu nënshtrua ekzaminimeve radiologjike mëngjesin e sotëm në J|Medical, të cilat zbuluan një ndryshje të shkallës së ulët të muskulit aduktor të gjatë të kofshës së majtë. Pas 10 ditësh do të rivlerësohet sërish.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *