• |
ide | kryesore

Sot takimi i shumëpritur Kurti-Vuçiç në Bruksel, a do zgjidhet dialogu Kosovë-Serbi?

-Instant, Lajme, Të fundit

Takimi i 18 gushtit shënon herën e tretë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç negociojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian. Kurti dhe Vuçiç janë takuar dy herë vitin e kaluar, por pa ndonjë rezultat konkret. Takimin e së enjtes e ka kërkuar kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, më 31 korrik.


Serbët lokalë vendosën barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe. Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011. Serbia e ka zbatuar atë menjëherë. Kosova e ka zbatuar më 1 gusht – për pak orë – pikën për dokumentin për hyrje/dalje dhe e ka shtyrë zbatimin e vendimit për 1 shtator, me qëllim të uljes së tensioneve në veri. Ndërkohë serbët i kanë hequr barrikadat. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar po ashtu një shtyrje të tillë, ndonëse kanë thënë se Kosova ka të drejtë të zbatojë këto vendime.

Dje, Kurti dhe Vuçiç kanë zhvilluar takime ndarazi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe më vonë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, si dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Kurti ka thënë para mediave se në takim me Lajçakun dhe Escobarin është diskutuar për “elemente të kornizës për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, si dhe për çështjet aktuale”.


“Pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilaterale, me të gjitha vështirësitë dhe pengesat”, ka thënë ai duke iu referuar takimit të së enjtes.

Kurti ka insistuar që Kosova është për reciprocitet me Serbinë. I pyetur nëse ka mundësi që Kosova të shtyjë sërish zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, kryeministri Kurti, ka thënë se “ne po diskutojmë për zgjidhje, jo për shtyrje”.

“Nuk është se e kemi bërë shtyrjen që të bëjmë edhe shtyrje tjera. Shtyrja është bërë më 31 korrik për datën 1 shtator, dhe me atë rast kemi dëshmuar – me datën 1 gusht – se nuk konfiskojmë dokumente, siç ka qenë fushata e dezinformimit. Në anën tjetër, është e mundshme që më 1 shtator nuk do të lëshojmë dokumente, sepse edhe Serbia do të heqë dorë prej lëshimit të dokumenteve në vendkalimet kufitare me Kosovën. Ne dëshirojmë marrëdhënie reciproke”.

Lajçak ka thënë se dëshiron që në takimin e 18 gushtit të ketë marrëveshje, por nuk e ka specifikuar se për çka. Ai ka thënë se përmes dialogut dëshiron që më 1 shtator të shmanget situata e tensionuar e 31 korrikut. Pas takimeve me dy zyrtarët, Vuçiç ka thënë se ka rikonfirmuar “vendosmërinë e Serbisë për të bërë gjithçka që të ruajë paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin, si dhe të arrijë zgjidhje kompromisi përmes dialogut, pa presion dhe ultimatume”.

Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian është bërë e ditur se takimi do të nisë të enjten në orën 10:30 dhe do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas njoftimit, gjatë takimit do të trajtohen çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensioneve mes palëve. Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell, do të zhvillojë po ashtu takime të veçanta me secilin lider.

Presidenti serb, Vuçiç, ka deklaruar disa herë para mediave se do të kërkojë që të diskutohet asociacioni i komunave me shumicë serbe. Escobar ka thënë më 17 gusht se në takim me Kurtin është diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Sipas tij, asociacioni duhet të formohet në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës.

“Ne mendojmë se brenda Evropës ekzistojnë mjaft modele që mund të përdoren për të gjetur një zgjidhje stabile dhe produktive për të gjitha palët e përfshira”.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura për çështjen e asociacionit. Por, Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.  Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij./REL


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.