Në Argjentinë, drejtësia ka lëvizur për një rast të dyshuar të basteve në futboll. Po hetohet mbi ndeshjen midis Agropecuario dhe Boca Juniors në raundin e 1/8 të Copa Argentina (fitore për Xeneizes me një gol të Pol Fernández).
Gjatë ndeshjes, u ndëshkua me karton të kuq mbrojtësi i kuqejeshilëve (klubi i Carlos Casares, një komunë në provincën e Buenos Aires, luan në Primera B Nacional, divizioni i dytë i futbollit argjentinas), Milton Leyendeker, për një ndërhyrje vrastare mbi Exequiel Zeballos. Pas raportimit në media, një hetim zyrtar u hap nga prokurorja Celsa Ramírez, drejtuese e prokurorisë publike të specializuar në ngjarjet masive, për një lidhje të dyshuar me bastet e futbollit.

Prokuroria e PCyF n.35 ka nisur punën pas denoncimit të bërë gjatë një programi televiziv, sipas të cilit ishte vënë një bast për përjashtimin e një lojtari para dhjetë minutave lojë. Mbrojtësi i Sojeros u përjashtua nga fusha në minutën e 8-të. Tani gazetari do të thirret për të dëshmuar, ndonëse deri tani nuk ka asnjë denoncim nga ana e policisë. Ndërkohë, fatkeqi Zeballos duhet të qëndrojë jashtë fushave për 4 deri në 6 muaj. Presidenti i Agropecuario, Bernando Grobocopatel, mori në mbrojtje Leyendeker: “Unë i besoj Miltonit”. Dhe më pas me një lloj ironie shtoi: “Më duket e drejtë që të hetohet se për këtë duhet drejtësia. Ulpianus, një jurist i lashtë romak, e përkufizoi drejtësinë si dëshirën e përhershme dhe të vazhdueshme për t’i atribuar secilit të drejtën e tij. Nëse zgjohet dhe e sheh këtë, do të vdesë përsëri”, tha Grobocopatel për Télam.