• |
ide | kryesore

Erzeni i njëmijë problemeve thyen Vllazninë: pretendimet për titull të Josës goditen keq në debutim

-Instant, Sport



Nga Universitatea Craiova te Erzeni rezultati është i njëjti: humbje. Vllaznia e nis keq sezonin e ri dhe pas daljes nga Europa sheh ambicjet e titullit t’i komplikohen që në javën e parë të kampionatit, i mundur 1-0 në shtëpinë e Erzenit, klubi i njëmijë problemeve, që sapo është ngjitur në Superiore.

Shijakasit e drejtuar nga Xhevahir Kapllani kanë ditur të luajnë shanset e tyre, duke dominuar një pjesë të parë, në të cilën shkodranët ishin pothuaj inekzistentë. Avantazhi për Erzenin erdhi në minutën e 22’ me Alan Rodrigez, i cili realizoi një supergol nga goditja e dënimit. Zogovic nuk mund të bënte asgjë, por as skuadra e tij, për të evituar një humbje të sikletshme, të një pretendenti për titull kundër një skuadre të menduar se do të luajë për mbijetesë. Asgjë për tu shënuar për skuadrën e Josës, vetëm ndonjë tentativë e ndrojtur e Markut, ndërsa shijakasit u kënaqën të mbronin rezultatin.

Vllaznia nisi që të sulmonte më tepër portën e Erzenit vetëm në fundin e takimit, me Cobën që humbi një rast flagrant. Vendasit u kthyen të gjithë mbrapa në mbrojtje të rezultatit, edhe pse duhet thënë se në 90 minuta ndeshje rastet e krijuara nga ekipi i Josës numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Në minutën e 77 Sadiki i mohoi në vijën fatale golin Cobës, ndërsa edhe në shtesë ndaloi dy herë tentativat kuqeblu.

Pas 19 vitesh, Erzeni rikthehet me një fitore në Superiore, ndërsa ka një përballje tepër të rëndësishme javën e ardhshnme, kur përballë te këtë Kastriotin në transfertë, me krutanët që kanë të njëjtin objektiv me shijakasit. Kalendari vjen në ngjitje tani për Vllazninë, që duhet të përgatitet për sfidën me Kukësin në Loro Borici.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *