• |
ide | kryesore

Telefonata e Allegrit nuk i ndryshoi destinacionin: Casemiro zyrtarisht në Old Trafford për 70 milionë euro

-Instant, Sport



Disa gjëra janë destin. Edhe transferimi i Casemiros te Manchester United, duke u larguar pas 9 sezonesh e një mali me trofe nga Real Madrid, është pikërisht i tillë dhe nuk e ndryshoi dot as ndërhyrja e Juventus dhe personalisht e Max Allegrit. Tekniku i bardhezinjve do të bënte dokumenta false për ta patur brazilianin në skuadër, duke qenë se e ka patur të preferuar që kur e ka parë për herë të parë të luajë. Kështu, me dëshirën të shprehur për të ndryshuar ambjent, për Casemiron u fut në lojë edhe Juventus, përpara se Manchester United ta bindte financiarisht duke i dyfishuar pagën. Allegri e telefonoi për ta bindur të mbërrinte në Torino, por gjërat u lanë në mes sepse u kuptua që nuk ishte mundësia reale për ta bërë, duke patur parasysh kërkesat e stafit të lojtarit.

Mesfushori mund të kryejë ekzaminimet mjekësore sot dhe më pas të nënshkruajë një kontratë katërvjeçare me opsion për një vit tjetër prej 18 milionë në sezon. Blancos, nga ana tjetër, do të marrin 60 milionë paund (rreth 70 milionë euro). Pas tre ditësh meditimi, studimi dhe reflektimi për propozimin e bërë nga drejtuesit e klubit anglez në fillim të kësaj jave, braziliani dha dritën jeshile për t’iu bashkuar Djajve të Kuq.

Casemiro e kishte informuar që më parë Ancelottin për vendimin e tij. Trajneri i blancos konfirmoi vullnetin e brazilianit: “Kam folur me Casemiron. Ai dëshiron një sfidë të re. Ne e kuptojmë vendimin e tij. Unë fola me të, nuk u përpoqa ta bindja sepse vullneti i tij është shumë i qartë”, përfundoi Ancelotti.

Braziliani ka fituar 18 tituj në 9 sezonet e tij me Realin me të cilin ka një kontratë 3-vjeçare, por pas nënshkrimit të Aurelien Tchouameni nga Monaco vendi i tij ishte në rrezik. Kështu, kur presidenti i Real, Florentino Perez i tha 30-vjeçarit se ai mund të zgjidhte nëse do të qëndronte apo do të largohej, Casemiro zgjodhi Premier League.

Shpresa e United është të mbyllë operacionin gjatë fundjavës për ta pasur lojtarin në dispozicion të hënën për ndeshjen kundër Liverpool në Old Trafford. Edhe pse Casemiro nuk është profili që kërkonte klubi anglez, Erik Ten Hag e di se përvoja dhe njohuritë e tij do të jenë të paçmueshme për ekipin, edhe për momentin e ndërlikuar që po kalon. Për ta bindur brazilianin që të përballej me këtë sfidë, në fakt duhej një nënshkrim faraonik, që e bën atë lojtarin e tretë më të paguar të Djajve të Kuq pas Cristiano Ronaldos dhe David De Geas. Merkato e United nuk do të mbyllet me Casemiro. Ten Hag ka kërkuar 5 blerje: tani ai kërkon dy sulmues, një mesfushor tjetër dhe një portier të dytë për të kompletuar skuadrën.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *