• |
ide | kryesore

Dyer të mbyllura e strehim në bunker nëse bie alarmi për bombardime: Ukraina rinis kampionatin

-Instant, Sport



Të flasësh për normalitet të bën të buzëqeshësh hidhur, sepse nuk ka pasur asgjë normale në Ukrainë për më shumë se gjashtë muajsh. Ka një luftë që vazhdon të vrasë e rrënojë, të thyejë edhe ëndrrat përveç jetëve. Megjithatë shkohet përpara dhe këtë po përpiqet të bëjë edhe futbolli ukrainas, i cili nesër do të nisë sezonin e ri. Me dyer të mbyllura, natyrisht, për të parandaluar që stadiumet të bëhen objektiva të lehta për rusët. E me sirenat kundërajrore gati për të dhënë alarmin. Në atë moment, për lojtarët në fushë do të bëhet një vrapim drejt dhomave të zhveshjes, ose më mirë, në bunkerët e ndërtuar ad hoc pranë dhomave të zhveshjes, për tu mbrojtur nga bombat që bien.

Nesër, sidoqoftë, në ata drejtkëndësha jeshilë ukrainasit do të përpiqen t’i japin vetes nëntëdhjetë minuta nga ai normalitet i pamundur. Do të luhet në kryeqytet, ku Shakthar Donetsk do të presë Metalist 1925. Por edhe në stadiumin Chornomorets në Odessa dhe mbi të gjitha në Slavutych Arena në Zaporizhzhia, ku është shpërngulur Zorya Luhansk, i cili iku nga ai Donbass tani në duart e Rusët. Në anën tjetër të lumit Dnieper, pak më shumë se 120 km me makinë, por shumë më pak në vijë ajrore, ndodhet termocentrali bërthamor që po drithëron botën këto ditë.

Ndeshja e fundit e kampionatit ukrainas është luajtur në dhjetor, para pushimit klasik tre-mujor dimëror. Në krye ishte Shakhtar me 47 pikë pas 18 ndeshjesh, 2 më shumë se Dinamo e Kievit. Në shkurt ndodhi “operacioni ushtarak” i Putinit dhe sigurisht që sezoni nuk rifilloi më. Tani Ukraina do ta riprovojë, megjithëse me masat e duhura. Do të ketë prezencë ushtarake në stadiume dhe – siç u përmend – ndeshjet do të ndërpriten në rast alarmi ajror. “Le të fillojmë përsëri më 23 gusht – tha Ministri ukrainas i Sportit Vadym Guttsait – jo rastësisht: është Dita e Flamurit Kombëtar të Ukrainës, dita në të cilën ne festojmë flamurin tonë. Është shumë e rëndësishme të rifillojmë të luajmë futboll, të brohorasim, të konkurrojmë, për të fituar. Progresi i sportit ukrainas nuk mund të ndalet”.

Megjithatë, do të mungojnë dy klube: Mariupol Fc dhe Desna Chernihiv që kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në kampionat. Chernihiv ndodhet dy hapa larg kufirit me Bjellorusinë, një zonë e torturuar nga bombardimet ruse, të cilat tashmë kanë kontrolluar Mariupolin prej disa kohësh, i përcaktuar nga OKB-ja si “vendi me shkallën më të lartë të vdekjeve në Ukrainë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *