• |
ide | kryesore

Po ktheheshin nga Maçu Piçu, autobusi plot me turistë bie në greminë

-Instant, Lajme, Planet



Katër turistë humbën jetën dhe 16 të tjerë u lënduan, pasi autobusi me të cilin po udhëtonin në Peru u aksidentua.

Mes të plagosurve janë dy turistë grekë.

“Autobusi turistik që ishte nisur nga Maçu Piçu ra në një greminë prej rreth 100 metrash”, tha të hënën Ministri i Turizmit Roberto Sanchez, duke shtuar se në zonën ku ndodhi aksidenti kishte mjegull.

Tre nga turistët e vdekur janë kolumbianë, ndërsa i katërti është peruan, tha ministria në një deklaratë.

Përveç dy grekëve, mes të plagosurve janë edhe katër francezë, dy kanadezë, dy izraelitë, dy argjentinas, një holandez, një spanjoll dhe dy peruan (një prej të cilëve shoferi). Aksidenti ndodhi natën e së dielës, rreth 100 kilometra nga qyteti i Cusco, kryeqyteti i Inkasve, i cili është pikënisja kryesore për operatorët turistikë që organizojnë vizita në Machu Piçhu. Disa nga të plagosurit u dërguan në Lima me avion ushtarak.

“Ne shprehim ngushëllimet tona për familjet dhe qeveritë e vendeve të turistëve të huaj që fatkeqësisht vdiqën”, tha Ministria e Jashtme e Perusë në Twitter.

Aksidentet e trafikut janë të zakonshme në Peru, kryesisht për shkak të gjendjes së keqe të rrjetit rrugor, shpejtësisë së tepërt ose mungesës së sinjalistikës.

Tre javë më parë, 16 persona vdiqën kur autobusi me të cilin po udhëtonin ra në një luginë në provincën qendrore Junin.

Mesatarisht, rreth 5000 turistë vizitojnë Maçu Piçu çdo ditë. Qyteti është ndërtuar në shekullin e 15-të nga perandori Pachacutec dhe konsiderohet shembulli më përfaqësues i qytetërimit Inkas.
UNESCO e ka shpallur Maçu Piçun djep të trashëgimisë botërore.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *