• |
ide | kryesore

Gega nuk i fal vetes… pjesën e parë: “Nuk ishim fare në lojë”

-Instant, Sport



“Në të 96-ën, të humbasësh ndeshjen… Mund ta humbnim me parë, Vllaznia dominoi në pjesën e parë, ishte pjesë e dobët, nuk ishte ajo që ishim përgatitur. Janë shumë shkaqe, ndoshta edhe lojtarët nuk kanë minuta bashkë. Pas pushimit u korrigjuam, dolëm te loja jonë. Mënyra si erdhi humbja të vjen keq, mund ta mbyllnim me Peposhin”. Skënder Gega nuk bën lojëra fjalësh në analizën e pas ndeshjes me Vllazninë, që Kukësi i tij e humbi në minutën e 4 shtesë, por pasi kishte qenë në mëshirën e shkodranëve për 50 minuta. Tekniku e ka të qartë se ka përpara shumë punë për të bërë, por duhet nisur gjithcka nga pjesa e dytë e luajtur në Loro Borici.

Me Dacin të skualifikuar për kartonin e kuq të marrë në ndeshjen kundër Tiranës në debutim, tekniku tropojan ka shpjeguar edhe mungesën e një qendërsulmuesi nga minuta e parë e ndeshjes: “Sulmuesi nëse do të ishte pak më mirë në performancë gjatë kësaj kohe, do të ishte nga fillimi. Mua më pëlqen si shkohet në sulm me shumë pasime, ai që luajti titullar është 21-vjeçar, vjen nga Kategoria e Parë, luan në shumë pozicione, nuk ka shpejtësinë e sulmuesit, por ka mënyrën si merr topin. Në pjesën e parë nuk hymë në lojë, lamë hapësira. Pjesa e dytë ishte e mirë për ne, por në një moment pavëmendshmërie u ndëshkuam dhe më vjen shumë keq”.

Në fund, një motivim për skuadrën pavarësisht se Kukësi ka vetëm një pikë në dy ndeshjet e para: “Edhe po të mbaronte 2-1 në favorin e tonë, ishte një 45 minutësh i dobët. Në këtë aspekt e shoh, patjetër duhet fitore, është java e dytë. Vllaznia e nisi me humbje. Por unë jam optimist se i shoh në stërvitje çdo ditë, pjesa e dytë ishte shumë më e mirë se e para. Kemi nevojë të rritemi, të rinjtë të ingranohen më shpejt”, tha Gega.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *