• |
ide | kryesore

Rusia nis manovrat ushtarake bashkë me Kinën me 50 mijë ushtarë

-Instant, Arkiva, Planet
ruso-kineze



Rusia nis të enjten manovrat “Vostok 2022”. Më shumë se 50.000 ushtarë do të marrin pjesë në to. Në manovrën e përbashkët, Kina dhe vende të tjera kanë dërguar trupa, të cilat ndërkohë kanë mbërritur në Rusi.

Mes tensioneve me Perëndimin, Rusia do të organizojë nga e enjtja manovra ushtarake disaditore në krahun e saj lindor. Një numër i madh ushtarësh kinezë dhe nga vende të tjera që marrin pjesë në këto manovra, ndërkohë kanë mbërritur. Në total, në stërvitjen “Vostok 2022″(“Lindje 2022”) po marrin pjesë më shumë se 50.000 ushtarë, shpjegoi Ministria ruse e Mbrojtjes. Pesë mijë armë dhe pajisje ushtarake, si dhe 140 avionë dhe 60 luftanije dhe anije mbështetëse do të angazhohen në manovra.

Manovrat do të zhvillohen në terrenet e stërvitjes ushtarake në Siberinë Lindore dhe Lindjen e Largët, si dhe në Detin e Japonisë. Sipas ushtrisë ruse, në stërvitje marrin pjesë ushtarë nga disa vende që janë fqinje apo aleate me Rusinë. Sipas këtij informacioni, marrin pjesë Kina, India, Bjellorusia dhe Siria.

“Veprimet e mbrojtjes dhe sulmit”

Megjithëse Ministria e Mbrojtjes nuk e specifikoi numrin e saktë të ushtarëve nga secili vend, kontingjentet ushtarake të huaja thuhet se kanë mbërritur në një terren stërvitor në Rusinë lindore. Sipas informacioneve ata kanë filluar të “përgatiten dhe marrin pajisjet dhe armët e tyre”.

Manovrat nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm rus do të përfshijnë “veprime të mbrojtjes dhe sulmit” në tokë, në ajër, por edhe në detin e Japonisë dhe detin e Okhotsk në Paqësorin Veriperëndimor, theksoi më tej ministria. Në Detin e Japonisë, anijet ruse dhe kineze do të stërviten ndër të tjera në “mbrojtjen e rrugëve detare” dhe në “mbështetjen e forcave tokësore” në zonat bregdetare, shtoi ministria.

Stërvitjet ushtarake ruse në Lindjen e Largët këtë javë do të zhvillohen në një shkallë shumë më të vogël se kur u mbajtën për herë të fundit në vitin 2018. Kjo reflekton tendosjen mbi forcat e Moskës, ndërsa përpiqet përparojë në fushat e betejës në Ukrainën lindore.

Ministria ruse e mbrojtjes tha muajin e kaluar se kapaciteti i saj për të organizuar stërvitje të tilla nuk ishte prekur në asnjë mënyrë nga ai që Rusia e quan “operacioni i saj special ushtarak” në Ukrainë.

Por numri prej 50.000 i trupave është vetëm një pjesë e shifrës zyrtare prej 300.000 ushtarësh, që u tha se u angazhuan katër vjet më parë. Megjithatë disa analistë ushtarakë perëndimorë thanë se kjo shifër ishte e mbivlerësuar.

Kremlini: Perëndimi vazhdon konfrontimin

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se vëret që afrimi në rritje midis Kinës dhe Rusisë minon sigurinë globale, por qeveria në Uashington nuk bën asnjë interpretim të këtyre stërvitjeve. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të NATO-s pritet t’i ndjekin manovrat nga afër.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Jens Stoltenberg i tha gazetës “Welt am Sonntag” këtë fundjavë se NATO duhet “të rrisë praninë e saj në Arktik”. Moska thuhet se po rihap bazat e epokës sovjetike dhe po vendos armë të reja më të fundit si raketat hipersonike.

Kremlini iu përgjigj me irritim këtij njoftimi. “Ne e perceptojmë këtë negativisht,” tha zëdhënësi Dmitry Peskov për agjencinë e lajmeve Interfax. Me këtë njoftim, Perëndimi vazhdon politikën e tij të konfrontimit kundër Rusisë, shtoi ai. “Rusia do t’i mbrojë interesat e saj në mënyrë të përshtatshme.”

(DW)



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *