• |
ide | kryesore

Shiptarët nuk mund të vetofrohen për hallet e Serbisë

-Instant, Blog



Nga Arbër Zaimi
Dje në raport me politikën ballkanike të Shqipërisë, qarkulluan në shtyp dy tekste interesante: ai i Ditmir Bushatit “Disiplina Strategjike” dhe ai i Fron Nahzit “Loja e dyfishtë Vuçiç- Rama i sjell përfitime vetëm Serbisë”.
Ditmir Bushati, eksponent i lartë i PS dhe ish ministër i Jashtëm lëvdonte konsistencën e Kosovës dhe tregonte se një ndryshim po ndodh në diplomacinë amerikane e perëndimore, të cilat gjithnjë e më pak kanë durim për lisharësin e Vuçiçit që lëkundet mes Rusisë dhe perëndimit.
Një fjali për t’u veçuar nga teksti i Bushatit është nē fund të shkrimit, ku ai ekspozon një strategji dinake të Serbisë: “Serbia mund të zgjedhë me dinakëri rehabilitimin e saj në rajon dhe Europë duke e diferencuar Shqipërinë nga Kosova, por koha do të tregojë se pajtimi shqiptaro- serb, paqja dhe mirëqenia e qëndrueshme kalon vetëm përmes Kosovës
Fron Nahzi, bashkëpunëtor në zë dhe përgjatë dhjetëra viteve drejtues projektesh e fushatash të George Soros-it në rajonin tonë, tregohet më i drejtpërdrejtë qysh në titull dhe krejt në fillim të shkrimit e përgënjeshtron shpresën e perëndimit se përmes partneritetit Vuçiç- Rama presidenti i Serbisë do largohet nga Rusia, e cila dëshiron luftë në Ballkan. Diku nga fundi i shkrimit, Nahzi jep këto dy fraza ku ekspozon një rrezik iminent të luftës, si dhe bindjen se Vuçiçin nuk e kthejnë kah perëndimi as fondet evropiane e as shtrëngimet e duarve me Ramën, por vetëm njohja e Kosovës.
Shumë liderë dhe ekspertë ballkanikë paralajmërojnë se Putin do të përpiqet ta zgjerojë konfliktin e Ukrainës edhe në Ballkanin Perëndimor, por për këtë ai ka nevojë për Vuçiç. Mbetet pyetja: Çfarë do të duhet që Vuçiç të ndahet nga vëllai i vet rus? A mjafton anëtarësimi i shpejtë në BE apo rritja e financimeve? Këtë vit, BE i ka dhënë Serbisë 223.7 milion euro. Mos ndoshta një marrëveshje e leverdishme për Kosovën mund të ishte pika e kthesës që Serbia të bashkohej me aleancën perëndimore?
Tani pyetja e vetme me rëndësi që mbetet është: A do të hapë sytë dhe veshët kryeministri i Shqipërisë, apo do të vazhdojë “dhe i vetëm trim në luftë”?
Dikush mund të thotë se Rama nuk ka hyrë në marrëdhënie me Vuçiçin pa kërkesën e Amerikës, mirëpo e para nuk është mirë ta mendojmë kryeministrin e Shqipërisë si një “vegël qorre” që vepron vetëm në shërbim të tjetërkujt pa e ditur se ç’po bën dhe, e dyta, nuk është mirë ta konsiderojmë Amerikën si njëdimensionale. Ajo është e madhe sepse ka brenda saj vend për qëndrime të ndryshme. Teksa ndaj Serbisë (dhe ndaj shumë vendeve) ajo mund të ofrojë njëherazi karrotën e kërbaçin (nga duar të ndryshme), assesi nuk i takon shqiptarëve të vetëofrohen si karrota e të përfundojnë si “ushtarë të Vuçiçit”, që i quan Fron Nahzi, të përdorur nga “dinakëria e Serbisë që diferencon Shqipërinë nga Kosova”, që shkruan Ditmir Bushati.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *