• |
ide | kryesore

Nord Stream 1: Putin mbyll rubinetin e gazit për Europën

Arkiva, Kryesore, Lajme



Rusia sapo i ka dhënë Europës një shije të asaj që e pret në dimrin e ardhshëm, duke ndërprerë papritur furnimin me gaz. Preteksti, riparimet e nevojshme në turbina.

Megjithatë, riparimet janë të lidhura me sanksionet për shkak të lufës në Ukrainë.

Gjigandi shtetëror rus i energjisë, Gazprom, njoftoi se kufizimet në gazsjellësin Nord Stream 1 do të zgjasin për tre ditët e ardhshme. Rusia i mohon akuzat se po i përdor si armë lufte kundër vendeve perëndimore, megjithëse furnizimet janë ndërprerë ndjeshëm.

Presidenti i rregullatorit të rrjetit të Gjermanisë tha se vendi do të jetë në gjendje ta përballojë situatën – nëse Rusia rifillon dërgesat në ditët në vijim.

Unë supozoj se ne do të jemi në gjendje ta përballojmë atë” tha Klaus Mueller për Reuters. “Unë besoj se Rusia do të kthehet në 20% të shtunën, por askush nuk mund të parashikojë vërtet çfarë mund të ndodhë”

Udhëheqësit evropianë kanë frikë se Rusia mund të zgjasë ndërprerjen në një përpjekje për të rritur çmimet e gazit, të cilat janë rritur ndjeshëm nga viti i kaluar.

Por zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin i ka hedhur poshtë akuzat – dhe këmbëngul se ishin sanksionet perëndimore që shkaktuan ndërprerjet, duke dëmtuar infrastrukturën ruse.

Ai këmbënguli se “problemet teknologjike” të shkaktuara nga sanksionet janë e vetmja gjë që pengon Rusinë të furnizojë gaz nëpërmjet tubacionit, pa specifikuar se cilat ishin problemet. Polemika më e fundit ka qenë mbi një turbinë që mbërriti në Gjermani pasi u riparua në Kanada. Por Rusia refuzoi ta merrte përsëri me argumentin se turbina ishte subjekt i sanksioneve perëndimore.

Gjermania, megjithatë, e mohon këtë.

Ministri i Ekonomisë Robert Habeck tha se tubacioni ishte plotësisht funksional dhe tha se nuk kishte probleme teknike siç pretendohet nga Rusia.

Njoftimi i sotëm nuk pritet të ndikojë menjëherë në çmime.

Çmimi mesatar i gazit natyror në Mbretërinë e Bashkuar u ul në fakt me më shumë se 15%, që nga ora 14:00 të mërkurën.

Të martën, ministrja franceze e tranzicionit të energjisë, Agnes Pannier-Runacher akuzoi Rusinë se “përdor gazin si armë lufte”.

Ajo i bëri deklaratat, pasi Gazprom tha se do të pezullonte dërgesat e gazit për kompaninë franceze të energjisë Engie.

Përpara konfliktit, Gjermania kishte mbështetur gazsjellësin Nord Stream 2 prej 10 miliardë eurosh (8.4 miliardë paund) – i cili shkon paralel me emrin e tij – por i ndërpreu operacionet ,pasi Rusia dërgoi trupa në Ukrainë në shkurt.

Javën e kaluar, BBC zbuloi se Rusia ka djegur gaz me vlerë rreth 10 milionë dollarë çdo ditë në një fabrikë afër kufirit finlandez.

Sipas pohimeve ruse, gazi do të fillojë të kalojë rishtas përmes tubacioneve nga 3 shtatori.

Por Deutche Welle e përcjell me skepticizëm, nëse furnizimet do të rinisin sërish në tubacionet e Nord Stream.

“Në rast të ndalimit të gazit, Rusisë nuk i mbetet asnjë potencial për kërcënime ndaj Gjermanisë. Përveç kësaj, izolimi i plotë nga tregu evropian do të dëmtonte rëndë buxhetin rus. Moska është aktualisht në pozicion komod, sepse përfiton më shumë nga eksportet financiarisht, pavarësisht vëllimeve më të ulëta të dërgesave, për shkak të çmimeve të larta të gazit në treg. Sipas deklaratave të veta, kompania ruse e gazit e kontrolluar nga shteti Gazprom bëri fitime rekord në gjysmën e parë të vitit, pavarësisht sanksioneve perëndimore për shkak të luftës në Ukrainë” raporton Deutche Welle.

Gjithsesi që tani në të gjithë Europën po mendojnë për rezervat e gazit, kufizimet e energjisë, kursimet dhe situatën e vështirë që mund të vijë në dimër.

“Për një dimër pak a shumë të qetë pritet që deri me 1 nëntor të mbushen mbi 95% e rezervave. Shoqata e quan këtë një synim “sfidues”. “Do të jetë pak më vështirë për të arritur këtë qëllim nëse mbyllet Nord Stream 1”, thotë drejtori menaxhues i Shoqatës Sebastian Bleschke për DW.

Tubacioni “Nord Stream 1” shtrihet 1200 km nën Detin Baltik nga bregu rus pranë Shën Petersburgut deri në Gjermaninë verilindore.

Ai u hap në vitin 2011 dhe mund të dërgojë maksimum 170 milionë metra kub gaz në ditë nga Rusia në Gjermani.

Tubacioni u mbyll për 10 ditë në korrik – përsëri për riparime, sipas Rusisë – dhe kohët e fundit ka funksionuar me vetëm 20% kapacitet për shkak të asaj që Rusia e përshkruan si pajisje me defekt./Lapsi.al



4 Comments

  1. Kane me shume se 6 muaj qe mblidhen, deklarojne, bertasin se nuk duhet te marrin gaz e nafte nga Rusia, se duan te jene te pavarur, se duan te jene “ekologjike”.
    Tani qe Putini jua preu energjine fosile, pse qahen?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *