• |
ide | kryesore

Masakra në Fushë Krujë/ 91 plumba nga 1 armë, autori ndërroi karikatorin disa herë

Arkiva, Lajme, Të fundit



Brilant Martinaj, djali i xhaxhait të biznesmenit Ervis Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha, janë ekzekutuar me një arme të vetme. Ky është detaji me i ri nga hetimet për vrasjen e 3-fishtë që ndodhi mesditën e 17 korrikut në mbikalimin e Fushë Krujës, sipas asaj që raporton Ora News.

91 gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes janë ekzaminuar në laboratorin e policisë shkencore. Nga ekzaminimi mikroskopik i gjurmës së kapsollave të gëzhojës, rezulton se ato kanë të njëjtën gjurmë goditëse nga gjilpëra e armës.

Detaji ka befasuar grupin e hetimit, pasi sipas tyre taktikisht është e pamundur që një person i vetëm të ketë qëlluar plot 91 herë me një armë, brenda një kohe shumë të shkurtër.

Sipas burimeve, ka shumë gjasa që autori, i cili ka hapur zjarr, ka qenë një komando i stërvitur dhe me shumë mundësi të ketë ndërruar karikatorin disa herë.

Hetimet janë përqendruar në përplasjen mes familjeve Martinaj dhe Reçi në Laç. Nga gushti i vitit 2019 e deri tani, ato janë përfshirë në një konflikt të shoqëruar me atentate të ndërsjella.

Në ekzekutimin e 17 korrikut dyshohet të kenë marrë pjesë më shumë se 4 persona. Në makinën e djegur tip “Passat” që autorët përdorën për vrasjen, policia sekuestroi 3 armë, dy automatikë kallashnikov dhe një MP5.

Deri në këtë fazë ku ndodhet hetimi, policia ka grumbulluar dëshmi dhe prova të tjera që vërtetojnë se makina tip “Passat” e autorëve ka qëndruar në vendin buzë rrugës nacionale Kamëz – Fushë Krujë dhe sapo ka parë mjetin ku lëvizte Brilant Martinaj dhe dy shokët e tij, ka xhiruar gomat me shpejtësi duke e ndjekur pas.

Në vendin e mbikalimit, autorët parakaluan mjetin ku ndodheshin 3 të rinjtë, të cilët u qëlluan për vdekje nga një armë e vetme. /Ora News



3 Comments

  1. Ky vend eshte kthyer ne hale! Shteti eshte inekzistent! Shoqeria shqiptare (85% rurale) eshte komplet jashte orbite!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *