• |
ide | kryesore

Inflacioni në rekorde, por qeveria shkurton fondin e pagave për administratën

-Instant, Lajme, Të fundit



Qeveritë në të gjithë botën, por edhe në Rajon janë duke aplikuar paketa mbështetëse si një mjet për të amortizuar sado pak rritjen e çmimeve, por qeveria shqiptare në ndryshimet e fundit buxhetore, në aktin e tretë normativ, i cili është për miratim në Kuvend, shkurtoi me 2,9 miliardë lekë fondin për pagat e administratës.

Në dokumentet që shoqërojnë ndryshimet buxhetore, qeveria ka planifikuar të shkurtojë me 2.9  miliardë lekë  planin e shpenzimeve korente, bazuar në vlerësimin e fondeve te lira ne zërat “Paga”, “Sig. Shoqërore”, “Politika të reja pagash” dhe “Operative/Mirëmbajtje”.

Fondet e shkurtuara nga pagat e administratës qeveria i ka riazhornuar në shtrirjen e financimit të paketës së parë të ndihmës për konsumatorët, me qëllim përballimin e mëtejshëm të pasojave të rritjes se çmimeve të konsumit, nëpërmjet alokimit sërish të një fondi kontigjencë për Paketën e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës, me kosto 6.1 miliardë lekë, e cila shkon si shtesë mujore 3 mijë lekë për pensionistet deri në fund të vitit.

Shqipëria kë nja nivel të ulët të pagash si në raport me Rajonin dhe pjesën tjetër të Europës, ndaj rritja e çmimeve ka ndikuar në uljen e mëtejshme të pagës reale.

Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të parë 2022, është 59.242 lekë, sipas INSTAT.  Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë paga është rritur me 5,8 %. Po rritja e pagave me bazë vjetore është më e ulët sesa inflacioni, që i ka kapërcyer 7%, niveli më i lartë në 20 vjet.

Nga ana tjetër disa kategori punonjësish në sektorin publik për të cilët ishte premtuar rritje pagash nuk e përfituan atë. Psh policia e burgjeve një nënkategori me paga shumë më të ulëta se mesatarja e pagave në polici nuk e mori as këtë vit rritjen e premtuar.

Me ndryshimet e fundit fondi për pagat e personelit arrin në 88.9 miliardë lekë nga 91.2 miliardë lekë që ishin programuar në buxhetin fillestar.

Rritja e shpenzimeve për personelin është rritur vitet e fundit më shume sa nga rritja e pagave nga rritja e numrit të punonjësve në Administratën publike.

Shpenzimet të shumta në këtë drejtim u krijuan nga institucionet e reja si rrjedhojë e Reformës në Drejtësi.

Në buxhetin fillestar qeveria raportoi 84, 214 punonjës në administratën publike. Ndërsa në aktin e fundit normativ do të jenë rreth 300 punonjës më shumë pasi numri total i tyre u raportua 84,576 në Kuvend. Siç shihet numri i punonjësve në administrata është shtuar më tej, por fondi për personelin është shkurtuar./ Monitor



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *