• |
ide | kryesore

Prova ‘arratisje’ për Partizanin, rivalët të gjithë në transfertë: ja ndeshjet e javës së katërt

-Instant, F1, Sport



Kalendari i jep një shans të mirë Partizanit, që kthehet të luajë në shtëpi, në kohën kur të gjithë ndjekësit i bëjnë llogaritë e tyre në transfertë në javën e 4-rt të Superiores. Fundi i pamenduar i renditjes, që sheh Teutën e Kukësin me 2 e 1 pikë respektivisht, ka shansin të ndryshojë renditjen në një ndeshje ku askush nuk duhet të humbasë. Të premten, skena hapet për dy skuadrat më zhgënjyese, që motivohen me një trajner të ri, por që është një njohje e vjetër në Durrës, Bledi Shkëmbi, dhe një paralajmërim, që ngjan kërcënues, për Gegën nga drejtuesit e Kukësit. Në këtë pikë, fitorja është mundësia e vetme për të dyja skuadrat.

Për të vënë nën presion kryesuesit e kampionatit, Tirana e Vllaznia duhet të fitojnë ndeshjet e tyre në transfertë të shtunën. Bardheblutë duhet të ngrihen në këmbë pas humbjes në shtëpi pikërisht me shkodranët, por Kastrioti është një kockë e fortë për të gjithë dhe e tregoi kundër Kukësit, javën e kaluar. Të njëjtën shkallë vështirësie ka edhe Vllaznia, kur të vizitojë Rrogozhinën për tu ndeshur me Egnatian, e freskët nga suksesi në shtëpinë e Lacit. Josa i ka që tani të kuqtë 3 pikë larg, ndaj e di mirë se mund ta shohë distancën të rritet nëse ngadalëson hapin pas dy fitoreve radhazi.

SUPERIORE, JAVA E IV
09/09/22
Teuta       17 : 45 Kukësi
10/09/22
Kastrioti 15 : 00 Tirana
Egnatia   15 : 00 Vllaznia
11/09/22
Laçi          15 : 00 Bylis
Partizani 17 : 45 Erzeni

Të dielën, Laci i Vukicevic zbret në fushë kundër Bylis për të treguar se ajo që ndodhi javën e kaluar ishte vetëm një episode. Rikuperimet e lojtarëve do t’i japin mundësinë teknikut të vendosë në fushë një 11-she solide, në kohën kur Bellai duhet të punojë me të tijtë për të kaluar traumën e humbjes së parë në kampionat, të pësuar në shtëpi nga Partizani. Pikërisht të kuqtë, të vetmit me tre fitore në tre ndeshje, do të presin Erzenin në orën 17.45, me shpresën se mund të shkëputen edhe më tepër në krye të renditjes. Colella duket se e ka stabilizuar formacionin, edhe pse do të luajë përballë një ekipi që nuk njeh ende humbje dhe ky është një tregues që vështirësia është më e madhe se tregon emri i kundërshtarit…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *