• |
ide | kryesore

Krahasimi me Brad Pitt, shembujt e gatimit dhe llogaritë gabim: prezantohet trajneri i ri i Kukësit

-Instant, Sport



“Kam ikur në vitin 1996 dhe erdha se ka një projekt ambicioz. Për sa pranova e kam një rivalitet dhe me veten time, për mbijetesë nuk kisha ardhur”. Enkelejd Dobi, është trajneri i ri i Kukësit, i prezantuar në krah të Administratorit të klubit, Lavdërim Gjici dhe drejtorit sportiv të ri Naim Halili. Ish-sulmuesi do të zëvendësojë Skënder Gegën të dorëhequr pas katër javëve të para. “Për mua mund të jetë dhe një trampolinë. Karriera ime ka nisur me Apoloninë në moshat 16, 18 dhe pastaj nga Kategoria e Tretë deri në Kategorinë Superiore. Kam ardhur në vendlindjen time, kjo është një provë për mua”.

Tekniku, dukshëm i impresionuar është ngatërruar disi me llogaritë, i ngacmuar për faktin se titullin duhet ta fitojë, ashtu si deklaroi vetë, duke nisur nga -7 pikë në krahasim me Partizanin kryesues: “Çdo problem ka zgjidhje edhe pse jemi 7 pikë pas. Në start nuk jemi mirë, por do bëjmë ç’është e mundur ta kapim ritmin dhe të tjerët. Janë edhe 32 javë dhe 66 pikë për tu fituar – tha Dobi, që sigurisht nuk është se mban mend kohën kur fitorja vlente dy pikë – . Momenti i duhur – “Ndonjëherë duhet të jesh në kohën e duhur në vendin e duhur. Asnjëri nuk e di se çfarë do të ndodhë pas dy muajsh”.

Tekniku i ri i Kukësit pastaj nis shembujt e gatimit, në përpjekje për të bërë gati recetën me të cilën do të sistemojë brumin e lojtarëve që ka në dispozicion: “Nuk kam ardhur këtu për të bërë Lazanjën, të shoh çfarë kam material për ta përgatitur. Kripa dhe piperi janë në çdo vend njësoj, por duhet të dimë sa dhe si duhet ta hedhim. Ta gatuajmë, ta skuqim, ta zimë që të dalë diçka e shijshme dhe kjo do kohë.”

Në fund edhe një krahasim, që pak lidhje ka me futbollin: “Detajet duam që të jenë në anët tona. Nuk kam ardhur këtu se do të bëj çudira, do të bëj punën që më është ngarkuar. Unë nuk jam Brad Pitt, jam me një klub ambicioz”, përfundoi Dobi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *