• |
ide | kryesore

Edhe Kosova përballet me sulme kibernetike

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Foto ilustruese



Autoritetet në Kosovë thanë sot se ditët e fundit janë përballur me sulme kibernetike. Ato kanë pasur në shënjestër institucionet e vendit duke shkaktuar pengesa në qasje të shërbimeve. Për këtë qeveria atje miratoi projektligjin për themelimin e Agjencisë për Siguri Kibernetike. Ajo synon të luajë rolin kryesor në bashkërendimin e agjencive të ndryshme në këtë fushë.

Ekspertët thonë se Kosova duhet të rrisin bashkërendimin në këtë fushë përtej institucioneve publike. Në këtë mënyrë që të parandalohen sulmet e mëdha kibernetike. Qeveria e Kosovës miratoi të mërkurën projektligjin që i hap rrugë themelimit të Agjencisë për Siguri Kibernetike. Kjo vjen në një kohë kur Kosova dhe vendet e rajonit po përballen me sulme kibernetike. Kjo agjenci ka për qëllim të përcaktojë parimet për sigurinë kibernetike, përgjegjësitë, detyrat, bashkëpunimin dhe masat për parandalimin e sulmeve.

“Ditëve të fundit jemi përballur me sulm kibernetik që ka shkaktuar herë pas here pengesa në shërbimin e internetit brenda institucioneve që ka ndikuar edhe në pamundësinë në qasje në shërbime, tendenca këto që rrezikojnë sikurse përdoruesit e sistemit por edhe funksionalitetin e shërbimeve që ofrojmë”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Qeveria e Kosovës tha se javëve të fundit është përballur në periudha të caktuara kohore me sulme kibernetike. Sipas tyre nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave. Kryeministri Kurti tha se siguria kibernetike ishte një nga temat e diskutuara në takimin me kryeministrin e Shqipërisë Rama, gjatë takimit të së martës në Tiranë.

LEXO EDHE: Si u shpërbë shteti dixhital nga piratët e “Homeland Justice”

“Kjo ka qenë tema e parë e diskutimit tonë. Isha shumë i interesuar të marr vesh sa më shumë për përvojën e tyre me sulmet e fundit. Ato kanë qenë me të vërtetë shumë të dëmshme dhe kriminale. Ju keni parë që ne sot kemi themelu Agjencinë për Sigurinë Kibernetike me vendim të qeverisë”, tha ai.

Ekspertë të fushës së sigurisë kibernetike thonë se sulmet kibernetike sikurse në Kosovë ku janë ndalur shërbimet nuk kërkojnë ndonjë aftësi të lartë teknike.

“Në Kosovë deri më tani nuk kemi ndonjë shitje të informacionit apo ndonjë sulm të targetuar në sistem duke tentuar që të gjejnë dobësi. Siç ka qenë rasti i Shqipërisë me TEMS dhe E-Albania ku ka qenë një plan i detajuar. Kanë qenë dobësitë e identifikuara dhe një rrugëtim se si kanë mbërritë deri te informacioni”, tha Tanzer Abazi, njohës i fushës së kibernetikës.

Tanzer Abazi  është edhe pjesë e Shoqatës shqiptare kibernetike. Ai thotë se sulmet kibernetike ndaj Kosovës kryesisht vijnë nga Irani, Kina dhe Bjellorusia. Ai thotë se çështja e sigurisë përbëhet nga tri shtylla kryesore.

“Ajo që neve na është cenuar prej trekëndëshit të sigurisë dje është kjo disponueshmëria. Neve nuk është që kemi humb informacionet, nuk është që kanë rënë informacionet në palët e kriminelëve kibernetikë. Ne kemi humbur dje shërbimet, një shërbim që ka edhe ajo kosto. Ku ka ra interneti por nuk ka qenë diçka e targetuar sikur në Shqipëri ku kanë dalë publike lista e TIMS-it sistemit të pikave kufitare edhe E-Albania.

Në momentin e parë që bien ato informacione publike nuk ka më kthim mbrapshtë pra hakerët apo kushdo në botë mund t’i blejë ato, gjitha shtetet mund të blejnë ato dhe cenohet edhe siguria edhe privatësia”, tha ai.

Ekspertët thonë se institucionet e vendit duhet të bashkërendojnë institucionet publike dhe private në rritjen e sigurisë kibernetike. Kjo për të parandaluar ndonjë sulm kibernetik që do të mund të kishte pasoja të mëdha. /VOA



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *