• |
ide | kryesore

Hamraoui u rrah me shufra hekuri: ndalohen tre të rinjtë

-Instant, Sport



Kanë rënë në pranga tre të rinjtë fajtorë për sulmin ndaj mesfushores së PSG-së Kheira Hamraoui. Ngjarja ndodhi në nëntor, ndërsa policia i gjurmoi dhe u arrestuan mbrëmë pranë Parisit. Prokurori i Versajës njoftoi se tre njëzet vjeçarët u arrestuan në shtëpitë e tyre. Një prej tyre banonte në Yerres e dy të tjerët në Villeneuve-Saint-Georges. Të tre të rinjtë janë vendosur në paraburgim, por njëri prej tyre ishte me precedentë penalë.

Më 4 nëntor, futbollistja 32-vjeçare u sulmua, teksa po kthehej nga një darkë me shoqen e saj të skuadrës Aminata Diallo. Dy persona me kapuç, të armatosur me shufra hekuri, e goditën lojtarën. Ish-futbollistja e Barcelonës pësoi dëmtime në këmbë. Si pasojë ajo qëndroi jashtë fushave për një kohë të gjatë. Ngjarje ishte tronditëse si për klubin parisien, ashtu edhe për publikun francez. Në fillim, Diallo u hetua e dyshuar se ishte nxitësja për një rivalitet të supozuar në ekip. E arrestuar, e reja më pas u lirua pa akuza.

Ndërkohë, pozicioni i Hamraouit në skuadër po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Deri në atë pikë sa PSG-ja e njoftoi pak ditë më parë se e konsideron atë jashtë skuadrës. Ndihmës drejtoresha sportive Sabrina Delannoy u shpreh: “Nuk ishte e lehtë për ne, as për të, por Hamraoui nuk është pjesë e projekteve sportive të PSG. Kjo gjë do të mbetet në fuqi gjatë gjithë sezonit”. Kontrata e saj megjithatë përfundon në vitin 2023. Mesfushorja, duket se muajt e fundit ka pasur përplasje me disa bashkëlojtare, veçanërisht me sulmueset Marie-Antoinette Katoto dhe Kadidiatou Diani.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *