• |
ide | kryesore

Abazoviç kërkon gjysmën e ministrave në qeverinë e re të Malit të Zi

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
abazovic



Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviç tha të hënën në Uashington se partia e tij kërkon gjysmën e posteve ministrore, portofolet e politikës së jashtme dhe sigurisë në një qeveri të ardhshme. Kështu sipas tij që të garantohet kursi perëndimor i vendit.

Abazoviç i bëri komentet në një intervistë për Zërin e Amerikës, pas një takimi me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Departamentin e Shtetit, duke iu përgjigjur shqetësimeve lidhur me përfshirjen e Frontit Demokratik prorus në koalicionin e ardhshëm.

“Sa i takon formimit të qeverisë së re në Mal të Zi, ne jemi ata që garantojmë një kurs perëndimor të Malit të Zi”, tha ai.

Abazoviç foli pasi në Podgoricë u arrit një marrëveshje në parim që do t’i paraqitet presidentit. Do jetë emri i Miodrag Lekiçit, i partisë Demos për të formuar qeverinë e re. Kjo ndodhi para se të skadonte në mesnatë afati për një mandatar të ri. Abazoviç tha se nënshkrimi i marrëveshjes varet nga plotësimi i kërkesave të partisë së tij.

“Ne kemi kërkuar që të kemi gjysmën e qeverisë. Të kemi mundësi të udhëheqim. Kjo që t’i ruajmë këto gjërat që janë arritje te Malit të Zi në politikën e jashtme”, tha ai. Abazovic shtoi se partia e tij do gjithashtu që të drejtojë ministrinë e jashtme, të brendshme, të mbrojtjes dhe të drejtësisë.

“Nëse ne jemi në qeverinë e re, nuk do të ndryshohet asgjë nga ajo që ka qenë politika e jashtme e Malit të Zi deri tani. Njësoj është edhe për sektorin e sigurimise. E kemi shpjeguar që ajo është diçka që ne tash e dy vjet jemi duke punuar në atë drejtim. Lufta kundër korrupsionit në nivelin e lartë. Atë do e vazhdojmë edhe nëse formohet qeveria e re”, – tha ai.

Ai iu përgjigj zërave që kanë thënë se partia e tij po kërkon shumë, duke thënë se në demokraci ka mendime të ndryshme.

“Por ne do të vemë firmën në moment kur të jemi të sigurtë se çdo gjë është e paraparë. Dhe çdo është konkretizuar”.

Abazoviç tha se nëse kërkesat e partisë së tij nuk plotësohen, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk e shohin Frontin Demokratik prorus si partner sepse ai nuk mbështet vlerat evropiane. Kjo parti u përmend gjithashtu në raportin e fundit të SHBA-së, si një nga partitë që ka marrë financime të huaja nga Rusia.

“Siç e kemi thënë më parë, Shtetet e Bashkuara nuk e shohin Frontin Demokratik si partner. Sepse ai nuk mbështet vlerat evropiane. Përfshirë faktin që nuk e ka dënuar agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Nuk ka treguar udhëheqje apo vullnet për të bërë përparim në reformat kyçe të nevojshme për anëtarësimin në BE”. – tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës pasi qeveria e zotit Abazoviç humbi votëbesimin në parlament.

Reagimi i SHBA

Departamenti i Shtetit tha se SHBA do të mbështeste “çdo qeveri të formuar në mënyrë demokratike. E cila siguron përparimin e Malit të Zi në rrugën euro-atlantike. Që përfshin përshpejtimin e anëtarësimit në BE. Luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rritjen e rolit në NATO. Një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe me orientim qytetar.  Dhe që vazhdon të mbajë përgjegjëse Rusinë për luftën e saj brutale kundër Ukrainës”.

Abazoviç tha se ka parti që nuk e ndajnë vizionin e partisë së tij. Por shtoi “me një menaxhim të mirë dhe me një kontroll të mirë të një pjese të qeverisë, mund të vijmë deri te situata ku do të dominojë politika jonë. Fryma jonë perëndimore dhe nuk do të dominojë një politikë tjetër”.

“Ne nuk jemi të gatshëm të bëjmë kompromise. Sa i takon politikës së sanksioneve ato do të mbesin në fuqi. Ne do të përcjellim Bashkimin Evropian 100% në politikën e jashtme. Gjithashtu do të sigurojmë që partneriteti me NATO –n të jetë si tani. Në nivel shumë të lartë. Nëse diçka varet prej nesh, nuk shoh se do të ndodhë diçka negative”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë “aleati kryesor i Malit të Zi kur flasim për partnerët ndërkombëtarë”.

Shumica parlamentare e dalë nga zgjedhjet e vitit 2020 i paraqiti sot Presidentit Milo Gjukanoviç emrin e ish-diplomati Lekiç si personi që ka mandatin për formimin e qeverisë së re.

Një nga përfaqësuesit e koalicionit të Frontit Demokratik, Andrija Mandiç tha pas një takimi ku morën pjesë përfaqësues të Frontit Demokratik, Demokratët, URA dhe partitë tjera më të vogla që janë në koalicion me ta, se shumica e vjetër parlamentare ranë dakord për formimin e një qeverie të re.

Si do jete qeveria e re

Mandiç tha se qeveria e ardhshme do të krijohet në bazë të barazisë. Gjysma e anëtarëve të saj do të jenë nga radhët e URA. Gjysma tjetër do të jenë ministra nga partitë e tjera. Kandidati për mandat, Miodrag Lekiç, do të ketë një “votë të artë”.

Ai nuk përmendi detaje lidhur me portofolet e veçanta për forcat politike. Ndërkohë që zoti Abazoviç ka kërkuar ministritë kryesore. Qeveria e Dritan Abazoviçit , u rrëzua më 20 gusht. Parlamenti votoi në favor të mocionit të mosbesimit ndaj saj. Ai u ndërmor pasi kabineti votoi pro-marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe.

Partitë që kërkuan votëbesimin e qeverisë, thanë se e morën nismën për shkak të ndalimit të Malit të Zi në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian dhe shtimit të tensioneve ndëretnike në vend. Ata thanë se në vend që të ndjekë rrugën evropiane, qeveria po kryen eksperimente politike.

Kryeministri Abazoviç tha se kërkesa për rrëzimin e qeverisë nuk kishte të bënte me proceset europiane, por me marrëveshjen që qeveria e tij arriti me Kishën Ortodokse Serbe.

Marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe shkaktoi përplasje brenda koalicionit qeverisës që në fillim. Një pjesë e partive qeverisëse, theksuan se marrëveshja është kundër interesave kombëtare të Malit të Zi dhe nuk është në pajtim me kushtetutën dhe ligjet malazeze. /VOA



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *