• |
ide | kryesore

Sondazhi i IDM: Gjyqësori vazhdon të kryesojë listën e korrupsionit

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Një sondazh i publikuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM, i titulluar “Besimi në Qeverisje” për vitin 2021 tregon se shumica e shqiptarëve ndjehen të pasigurtë në jetën e tyre të përditshme, ndërsa 41% e të anketuarve dëshirojnë të largohen nga vendi.


Arsyet kryesore të ndjenjës së pasigurisë, sipas sondazhit, janë kriminaliteti, padrejtësia, niveli i papunësisë, problemet me shëndetin si dhe fatkeqësitë natyrore.


Sondazhi i opinionit publik ‘Besimi në qeverisje’ është një ushtrim i përvitshëm që përdoret për të matur besimin e qytetarëve tek institucionet publike; si dhe çështje të tilla si transparenca dhe llogaridhënia institucionale; përhapja e korrupsionit në institucionet shtetërore; niveli i angazhimit të qytetarëve në politikëbërje; kënaqshmëria me ofrimin e shërbimeve publike dhe zbatimi i ligjeve dhe politikave jodiskriminuese.

Sondazhi është realizuar gjatë periudhës kohore 6-21 nëntor 2021 dhe është fokusuar në pjesmarrës nga 61 bashki të Shqipërisë.

Korrupsioni mbetet një ndër problemet madhore të Shqipërisë, ndërkohë që besimi i qytetarëve shqiptarë tek institucionet e ndjekjes penale vazhdon të mbetet i ulët.

“83.1% e shqiptarëve e perceptojnë korrupsionin e nivelit të ulët si të përhapur ose shumë të përhapur, ndërkohë që 83.7% e perceptojnë korrupsionin e madh apo të nivelit të lartë me një përhapje të tillë,” thuhet në raport.

Pesë institucionet që u renditën si më të korruptuarat në 2021 ishin gjyqësori, ndjekur nga institucionet e kujdesit shëndetësor, administrata publike, institucionet vendore dhe policia.

Lidhur me këtë fenomen duket se pjesa më e madhe e të anketuarve nuk kanë besim tek ndëshkimi apo ndjekja penale e korrupsionit prej organeve ligjzbatuese.

“68.4% e qytetarëve nuk kishin besim te ndjekja penale e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, ndërkohë që 59.3% nuk kishin besim në ndjekjen efektive penale të rasteve të korrupsionit të nivelit të ulët,” shtohet më tej.

Mungesa e transparencës është gjithashtu një nga problemet shqetësuese.

“Më shumë se gjysma e të anketuarve i konsiderojnë qeverinë qendrore (57.4%) dhe bashkitë (58.2%) si jo transparente,” tregojnë rezultatet e sondazhit.

Nga ana tjetër, qytetarët e anketuar shprehen më besimplotë tek organizatat ndërkombëtare në Shqipëri, sesa tek vetë institucionet vendase. Përkatësisht, 77% e të anketuarve besojnë se organizatat ndërkombëtare i kërkojnë llogari qeverisë më tepër se sa institucionet vendase.

“Organizatat si NATO (73.2%), OKB (71.4%), dhe BE (71.3%) e ruajtën renditjen e tyre si institucionet më të besuara në Shqipëri,” shtohet në raport.

Shumica e të anketuarve (72.2%) raportuan se nuk kanë mjaftueshëm mundësi për të marrë pjesë në procesin e vendimmarrjes së institucioneve publike, por ata shohin si më efikasë për nxitjen e llogaridhënies në vend institucionin e KLSH-së, ndjekur nga Parlamenti dhe media./ BIRN

 


2 Comments

  1. 41% e shqiptarevet duan te ikin nga vendi.Goxha shifer po te llogaritesh qe 700 mije pensioniste perjashtohen nga ky sondazh si dhe femijet qe besoj nuk jane perfshire gjithashtu me duket se shifra eshte shume e frikshme.Ne vend jane te kenaqur vetem 20% qe besoj hyre qe nga qeveritaret ,nje pjese e administrates dhe bizneset e lidhura me qeverine.Rames nuk ia ndjen per keto sondazhe.Ai eshte i zene me hallet e botes jo te Shqiperise,ai eshte lideri global

    1. Ajo që nuk kuptohet, është fakti se pse Sali Berisha e bëri këtë “Foltore” online.

      Se mirë në SHBA nuk udhëton dot, pasi e kanë shpallur “non grata”, ndaj dhe u detyrua ta mbajë “Foltoren” e tij online, po në Itali pse nuk shkoi fizikisht, kur me avion shkon më shpejt se në Pukë?
      Kush ka mundesi te largohet per nje jete me te mire dhe te behen te qytetruar jo si shpellkaret e salih metaj qe duan dumbaben

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.