• |
ide | kryesore

Zbardhet dëshmia e babait të Ervis Martinajt para hetuesve

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Martinaj



Emisioni “Në shënjestër” në News 24 publikoi për herë të parë, pamjet e fundit të Ervis Martinaj. Njeriu më i kërkuar në Shqipëri nuk është parë më që nga 11 gushti. Nga kjo datë u denoncua i zhdukur nga familjarët e tij. Martinaj shfaqet mbrëmjen e 5 gushtit 2022 në ambientet e një hoteli në vijën bregdetare të Durrësit.

Në këto pamje ai dallohet  në praninë e të dashurës së tij me të cilën kaloi mbrëmjen dhe efektivit të policisë, Jeton Lami. Ky i fundit tashmë ndodhet i ndaluar nga grupi hetues që po merret me zbardhjen e së vërtetës së zhdukjes së atij që njihej si ‘Mbreti i Lojërave të Fatit’.

Askush nuk di të thotë cili është misteri i zhdukjes së tij. Gjatë emisionit u publikua foto e makinës së braktisur që përdorej nga Ervis Martinaj. Makina u gjend pranë një karburanti në rrugën Durrës-Kukës. Nuk ka të dhëna të tjera se çfarë u gjend në brendësi të këtij automjeti.

“Në shënjestër” zbardhi edhe pjesë të dosjes, ku thuhet se hetimi për zhdukjen e Martinajt, nisi pas informacionit të marrë nga një burim konfidencial, i cili rrëfente se i shumëkërkuari ishte rrëmbyer dhe vrarë nga kundërshtarët.

Në dosje thuhet se njeriu më i famshëm i krimit në Shqipëri, është nxjerrë në pritë nga një femër, emri i të cilës nuk bëhet i ditur.

Autoritetet nuk e kanë ende një përgjigje për fatin e babait të 4 fëmijëve të mitur. Kryeministri Edi Rama ka theksuar së fundmi se e kanë një përgjigje për këtë çështje, por duhet mbështetur në prova.

Por ai nuk ka saktësuar nëse i shumëkërkuari e ka inskenuar ngjarjen apo është rrëmbyer dhe vrarë nga kundërshtarët e shumtë.

Dëshmitë e familjarëve te Ervis Martinaj

Xhaxhai Faik Martinaj, nuk dha ndonjë të dhënë tjetër me rëndësi për grupin hetues. Megjithatë për zhdukjen e nipit të tij prokurorët morën  në pyetje familjarët.

I pari që u mor në pyetje ishte, Mustafa Martinaj, babai i Ervis Martinaj. Ky i fundit dëshmoi, se i kishte humbur kontaktet me të birin, natën kur në telefonin e vëllait të tij Faikut, kishte mbërritur mesazhi nga Dubai, nga miku që u donte të mirën.

Por babai i Ervis Martinaj, nuk thotë në dëshminë e tij, se në ç’mënyrë i mbante kontaktet me të birin, e shpallur në kërkim.

Ai akuzon në dëshminë e tij në polici, Endrit Doklen dhe Nuredin Dumanin, për zhdukjen e të birit.

“Herën e fundit me Ervisin ka kontaktuar një njeri i afërt. Kontaktet me djalin i kam humbur më datë 9 gusht ora 19:30. Pas kësaj ore, ai nuk ka qenë në linjë. Zhdukja e tij sipas mendimit tim i takon orës 19:30 deri në orën 22:00 të datës 9 gusht 2022.

Nuk kam asnjë dijeni për vendin dhe njerëzit që kanë marrë pjesë në rrëmbimin e tij. I afërmi që ka kontaktuar djalin nuk ndodhet në Shqipëri. Mesa kam dijeni Ervisi nuk ka numër shqiptar.

Zanafilla e kësaj ngjarje lidhet me shpalljen e Ervisit në kërkim për krime të trilluara nga Dumani. Sqaroj se ndërprerjen e komunikimit dhe të zhdukjes së djalit i kam marrë vesh nga i afërmi imi i cili jeton jashtë shtetit. Dyshoj se Ervisit mund t’i ketë ndodhur diçka e keqe nga grupe kriminale”.

Por ndërsa familjarët e Ervis Martinaj, nuk japin më shumë shpjegime për jetën që bënte kohët e fundit, i afërmi i tyre, gjuetia e grupit hetues në kërkim të Ervis Martinaj, solli zbulime interesante mbi jetën e tij në arrati. /BW



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *