• |
ide | kryesore

Fatos Lubonja: “Vendi im pa sindikata ku ftohen punëtorë nga Bangladeshi”

Arkiva, Kryesore, Lajme



Të mendosh për rritjen e arsimimit dhe për uljen e emigrimit, për mua është si të mendosh për të njëjtën gjë: nevojën e ndryshimit të këtij sistemi që e redukton njeriun në qënie që jeton pa gojë e pa qëllim, pa ngritur pyetjen se pse ka ardhur në këtë botë”. Kështu thotë Fatos Lubonja në një intervistë të gjatë për të përjavshmen greke “Drómos” (Rruga). Zgjidhjen për krizën ku jemi futur ai e shikon në nevojën e ndryshimit të sistemit edhe “duke ruajtur arritjet e liberalizmit në të drejtat e njeriut si qënie individuale edhe duke punuar fort për të drejtat e tij si qënie sociale, që ta bëjmë “homo œconomicus” vetëm një dimension të “homo politicus”. Lapsi.al po e boton këtë bisedë me Jorgos Kyriakou që prek gjendjen e rajonit, luftën në Ukrainë, historinë tonë 5 shekullore nën perandorinë osmane, dhe krizën e sotme të ideologjise neoliberale…

Drómos” (Rruga): Një pyetje e parë: cila është marrdhënia juaj me “elementin” helen, me Grekët, me vendin, historinë, letërsinë, me njerëzit…

Fatos Lubonja: Kjo është një pyetje për të cilën mund të shkruaja shumë gjatë, me kapituj. I pari do të përshkruante edukimin dhe rritjen time në rini brenda një kontradiksioni në raport me Greqinë. Me një anë jam rritur me propagandën antigreke të ideologjisë nacional – komuniste të Enver Hoxhës që e konsideronte Greqinë një vend armik si në terma nacionaliste dhe në terma komuniste. Aq më tepër që në rininë time sundonin kolonelët. Shprehja më e përdorur nga propaganda e asaj kohe ishte “monarko – fashistët grekë”. Më anë tjetër jam rritur edhe me historinë e Greqisë së lashtë, me mitologjinë greke, Homerin, Eskilin, Sofokliun, para-sokratikët, Sokratin, Platonin, Aristotelin etj. që edhe pse shpesh të keqinterpretuar, pranoheshin nga regjimi; si dhe njëherësh me admirimin për Kazancaqisin, Janis Ricosin, Seferis Elitis, për muzikën greke me Teodorakisin dhe muzikën greke në përgjithësi, Kosta Gavras, Maria Callas, Irene Papas etj., që në një mënyrë ose tjetër arrinin të hynin në Shqipëri.  

Në peshoren e këtij raporti kontradiktor me dy Greqi virtuale peshën kryesore në imagjinatën time e ka pasur Greqia e poetëve, filozofëve, shkrimtarët, muzikantëve, por jo pa u ndjerë pesha e anës tjetër.

Një kapitull i dytë do të përshkruante njohjen e mëvonëshme të historisë së të dy vendeve si pjesë e hapësirës ballkanike me të përbashkëtat dhe të veçantat në periudhën bizantine atë osmane në kohën e lindjes së nacionalizmave e të shteteve kombe që e kam zhvilluar, pas lirimit nga burgu, edhe nëpërmjet revistës “Përpjekja” që kam themeluar, ndër synimet kryesore të së cilës ka qenë dhe mbetet futja e frymës kritike në kulturën shqiptare, dekonstruktimi i miteve të nacional – komunizmit dhe rishkrimi i historisë me metodologjinë e kohës. Në këtë punë kam bashkëpunuar edhe me intelektualë dhe historianë grekë veçanërisht në vitet 90 që përkojnë edhe me kohën e tragjedisë së ndarjes së Jugosllavisë. E kujtoj si një kohë shpresash dhe besimi se fryma jonë kritike, e njeriut që mendon, do të rritej ndërkohë që sot shoh me zhgënjim se na ka mundur kultura e shoqërisë së spektaklit, e njeriut një dimensional ekonomik që në Shqipëri janë hegjemone dhe gjenerojnë një padituri të frikshme, pjellore edhe për lulëzimin e stereotipeve e miteve të vjetra.

E kam vizituar Greqinë me partneren dhe vajzën tonë disa herë duke shkelur thuajse në të gjitha krahinat e saj dhe këto udhëtime bëjnë pjesë në kujtimet e mija më të dashura. Nga ato udhëtime kam në mendje një Greqi të ndërthurjes harmonike të bukurive natyrore me trashëgiminë e veçantë kulturore dhe me njerëz që e duan jetën. Kam vënë re me mërzi gjithashtu, veçanërisht në Athinë dhe Selanik, një urbanizim dhe modernizim të egër që e ka dëmuar këtë harmoni. Jam i vetëdijshëm që grekët që e jetojnë Greqinë në ditpërditshmërinë e problemeve të shumta mund ta gjykojnë këtë si njohje turistike, por nuk mund të rri pa e shprehur.

Për të njohur se çfarë mendojnë grekët për gjendjen e tyre kam ndjekur e ndjek jo rregullisht zhvillimet politike në Greqi. Kam përjetuar me entuziazën ardhjen e Syrizës në pushtet, protestat e popullit grek kundër Evropës së multinacionaleve dhe bankave dhe pastaj, me një ndjenjë të thellë zhgënjimi, zhvillimet e mëpasëshme mesazhin e të cilave – jo vetëm për grekët – e shpreh thënia e Mark Twein-it: “Nëse zgjedhjet do të sillnin ndonjë ndryshim nuk do të na linin fare t’i bënim.”

Si e “shikoni” aktualisht gjendjen politike dhe në veçanti në periudhën e re të një lufte të ftohtë, lidhur me qëndrimin që mban sistemi politik në Shqipëri?

Çfarë nënkuptojnë ndërhyrjet e vazhdueshme të Ambasadës SHBA në Tiranë, sikundër shënjestrimi i z. Berisha, direktivat për presidentin e ri etj.

Për t’u dhënë një përgjigje disi më të thelluar këtyre pyetjeve do më duhet të flas për pushtetin që ka në botën shqiptare një paradigmë, që ka qenë dhe mbetet gur themeli i mendimit dhe sjelljes politike në Shqipëri. E kam fjalën për paradigmën sipas së cilës pushtetin nuk e merr e mban dot pa mbështejen e fuqive të mëdha. Ajo ka zënë vend në ndërgjegjen politike shqiptare që me krijimin e shtetit, pas Luftës së Parë Ballkanike, kur shqiptarët, ende pa një identitet kombëtar përbashkues, pasi të përçarë fetarisht e të shpërndarë më së shumti në gjendje fisnore nëpër vilajete të ndryshme të Perandorisë Osmane, më shumë e morën shtetin si dhuratë, kryesisht në sajë të punës që kishte kryer për shtrirjen e interesave të saj në Ballkan fuqia e madhe e asaj kohe Austro – Hungaria, sesa e krijuan vetë. Që nga ajo kohë, kur qeveria e parë shqiptare u vu menjëherë nën kujdestarinë e fuqive të mëdha, paradigma ka vazhduar të kultivohet nëpërmjet politikave të mbretit Zog që e ktheu vendin në thuajse koloni të Italisë, të Enver Hoxhës që e mori pushtetin në sajë të Jugosllavëve (dhe vendimeve të Jaltës) dhe e mbajti në sajë të sovjetikëve e kinezëve dhe ka vazhduar të kultivohet, pas vitit 1991, me aleatët perëndimorë SHBA dhe BE.

Dihet se kjo nuk është vetëm histori shqiptare, dhe se fuqitë e mëdha kanë kontribuar jo pak të kultivohet një paradigmë e tillë në popujt që kanë mbajtur në zonat e tyre të ndikimit. Por, për shkaqe historike, ku do të veçoja mjerimin gati gjysëm shekullor ekonomik dhe kulturor që shkaktoi izolimi i gjatë komunist si dhe degjenerimin e këtij mjerimi gjatë kapitalizmit të egër të pas viteve ‘90, shqiptarët kanë mbetur populli evropian më i paemancipuar nga kjo paradigmë.

Si pasojë e kulturës që ka prodhuar kjo paradigmë, që kondicionon edhe mënyrën tonë të të parit e vlerësimit të vetvetes, elitat shqiptare, kanë gjetur të udhës ta fitojnë legjitimitetin brenda vendit më shumë në sajë të vasalitetit ndaj të madhit të radhës sesa punës për të ndërtuar një vend më të mirë me dhe për shiptarët. 

Ndërhyrjet amerikane që përmendni ju nuk mund të kuptohen pa këtë kulturë vasaliteti. Imagjinoni që Edi Rama kur ishte në opozitë dhe Lulzim Basha kur e pasoi kanë shpenzuar dhjetra mijëra dollarë vetëm për të arritur të bëjnë një foto me presidentin e SHBA për t’ua treguar këtë shqiptarëve në fushatë elektorale. Janë të shumtë shqiptarët që, duke mos pasur besim te shteti dhe vetja e tyre, thonë se na ka ndihmuar fati që kësaj here jemi me Perëndimin demokratik, që nuk do t’i lejojë politikanët tanë të bëjnë keq si paraardhësit. Edhe shpalljen “non grata” të Berishës këta duan ta shohin si përkushtim i SHBA ndaj së mirës së tyre. Por sipas meje ky është një iluzion infantil. Motivi i shpallur i “non grata”-s së Berishës: “korrupsion që ka vënë në rrezik demokracinë” është një demagogji që fsheh interesa të tjera. Jo pse Berisha nuk ka bërë korrupsion, por pse nëntë vjet pas ikjes së Berishës nga pushteti kanë qenë të mjaftueshëm për ta kuptuar edhe më naivi se korrupsioni dhe lufta ndaj tij s’është problem një a dy personash, por i sistemit narko-oligarkik të ngritur në vend. Në fakt gjatë këtyre viteve, sipas studimeve serioze të organizatave ndërkombëtare, niveli i korrupsionit është rritur ashtu sikurse edhe i krimit të organizuar edhe i braktisjes së vendit nga shqiptarët ndërkohë që tregues të rëndësishëm të nivelit të demokracisë si liria e mediave, ndarja e pushteteve kanë rënë poshtë e më poshtë. Atëhere si ta shpjegojmë që amerikanët merren me Berishën e nëntë vjetëve më parë dhe jo me atë që po ndodh sot? Sipas meje sepse prioritetet e tyre janë ato gjeotrategjike e ekonomike e jo ato të demokracisë, çka i bën të merakosen para së gjithash për projektet që kanë me Ramën në pushtet, duke i shtyrë, (sigurish edhe nëpërmjet lobimeve të këtij), të mos ngurrojnë edhe që t’i japin një dorë për t’ia hequr qafe kundërshtarët që mund t’i prishin këto projekte. Gjatë periudhës së Ramës kanë braktisur vendin rreth gjysëm milioni shqiptarë, sipas “InsightCrime” numuri i të arrestuarve për trafik kokaine në Evropë gjatë viteve 2018 – 2020 kryesohej nga shqiptarët me 266 vetë, i ndjekur nga brazilianët me 256 (dhe mos harroni se Brazili ka 212 milion banorë kurse shqipëria 2,7 milion). (https://insightcrime.org/news/enduring-italians-ambitious-albanians-cocaine-changing-europe-criminal-landscape/)  E magjithatë këto fakte duket se nuk i shqetësojnë amerikanët, madje nuk i gjen thuajse fare në mediat e rëndësishme perëndimore. Përkundrazi aty trumpetohet lajmi se Rama strehoi 3000 afganë, për çka u kujdes vetë Hilary Clinton t’i japë së fundmi një medalje heroizmi në SHBA.

Të kuptohemi, nuk e mohoj se qenia e Shqipërisë me BE dhe SHBA s’ka pasur ndikime pozitive. Ka ndikuar edhe që të mos instalohen regjime edhe më të korruptuara e më antidemokratike se ky që kemi, por dua të theksoj faktin se interesat e ekonomike e gjeostrategjike perëndimore shpesh kanë ndikuar të përkrahen e mbahen në pushtet regjime autoritare. Aq më të madh e shoh rrezikun e kësaj qasjeje në kohën e re që po inauguron lufta në Ukraninë. Nuk do të çuditesha sikur një ditë NATO, që pretendon se po e armatos Ukrainën në emër të mbrojtjes së demokracisë, të gjejë ndonjë mënyrë për t’i ekstraduar Erdoganit Gulenin dhe “terrroristët” kurdë. 

Për ta përmbledhur me dy fjalë gjithë çfarë thashë, Shqipëria po përjeton sot keqqeverisjen e radhës nga një elitë politike kulturore që historikisht i ka parë institucionet e shtetit si instrument për interesa private e që kësaj here ka instalur një sistem politik narko-oligarkik, paraadoksalisht me mbështetje perëndimore, veçanërisht amerikane. 

Nga ana tjetër kush është kuptimi i marrdhënieve të sistemit politik me Turqinë? Është e saktë është se Turqia kërkon “territor jetik” në Ballkan dhe në veçanti në vende sikundër Shqipëria? Nga i buron kjo mundësi?

Mendoj se qartazi Turqia e Erdoganit i ka rritur ambiciet e krijimit të zonave të veta të influencës veçanërisht në vendet me popullsi muslimane në Ballkan, por edhe me gjerë. Erdogani ka ecur drejt këtyre politikave duke instrumentalizuar mendësinë e trashëguar imperiale, por edhe duke dashur të imitojnë fuqitë e mëdha si Rusia e Putinit apo edhe SHBA. Po të kemi parasysh se kjo vjen pas një periudhe kur Rusia dhe Turqia kanë aspiruar të bëhen pjesë e një hapësire euroaziatike them se kemi të bëjmë me një ndryshim vizioni të së ardhmes. Një nga arësyet e këtij ndryshimi lidhet me atë se, duke mos qenë në gjendje të arrijnë standartet perëndimore, si përsa i përket ekonomisë ashtu dhe shtetit të së drejtës, të dy liderët i janë kthyer traditës së lavdishme imperiale. Por unë mendoj se kjo është vetëm gjysma e të vërtetës. Gjysma tjetër lidhet me dështimin e politikave perëndimore për shkak se neoliberizmi globalist imperial ka prodhuar edhe në Perëndim probleme gjithnjë e më në rritje përsa i përket demokracisë, saqë Colin Crouch flet për një ecje të vendeve perëndimore drejt “postdemoracisë”. 

Afrimi i Edi Ramës me Erdoganin është rezultat i këtij dështimi të dyfishtë që ka bërë që dallimi midis Erdoganit dhe një lideri perëndimor të vijë duke u zvogluar dhe Edi Rama të rrijë rehat midis tyre.

Por marrdhëniet e shqiptarëve me turqit nuk duhet të përkthehen vetëm nëpërmjet marrdhënieve të Ramës me Erdoganin të cilët përdorin njëri tjetrin për interesat e pushtetit të tyre.  Madje do të thoja se ky raport i ka dëmtuar marrëdhëniet e shqiptarëve me turqit duke forcuar komponenten negative në perceptimin dualist që kanë shqiptarët për historinë e përbashkët me Turqinë. Çfarë kam parasysh me këtë? Më një anë nëpërmjet mitologjisë nacionaliste, që ka ndërtuar identitetin kombëtar, shqiptarët e konsiderojnë Perëndorinë Osmane si pushtuese për rreth 500 vjet, si shkak prapambetjeje. Ata kanë zgjedhur për hero kombëtar Skënderbeun që, sipas kësaj mitologjie, ka luftuar për mbrotjen e atdheut evropian nga pushtuesit. Më anë tjetër ata ndjehen të afërt me Turqinë dhe me turqit jo vetëm për shkak të fesë, por edhe për shkak të atyre 500 vjetëve që s’mund të quhen pushtim, por jetë e përbashkët që ka krijuar shtresëzime kulturore identitare të përbashkëta. Duhet t’u shtojmë këtyre edhe faktin se nacionalizmi shqiptar, veçanërisht tek pjesa muslimane që është më e madhja, më shumë sesa si thirrje për t’u shkëputur nga Perandoria ka lindur dhe është ushqyer nga nevoja për të mbrojtur territoret e banuara nga shqiptarët prej ekspansionit serb dhe grek. Kështu Luftën e Parë Ballkanike, që u solli pavarësinë, shqiptarët e kanë përjetuar më shumë si një luftë të humbur sëbashku me turqit, që i përgjysmoi, sesa si një çlirim.

Ky dualizëm midis një identiteti të aspiruar perëndimor dhe një identiteti të trashëguar osman është i fortë edhe sot. Shqiptarët të kthyer nga nacional – komunistë në nacional – evropianistë thonë se po ta gërvishtësh pak shqiptarin musliman do të gjesh të krishterin, por është më e vërtetë e kundërta: po ta gërvishtësh pak shqiptarin nacional – evropianist do të gjesh vëllain e tij turk. Edhe Ramës po t’i heqësh kostumin me të cilin propagandon veten në Perëndim si artist që ka sakrifikuar për të emancipuar vendin e tij do të gjesh vëllain e madh sulltan Erdogan.

Në këtë dualizëm gjysma që na afron me turqit ka ndikuar e ndikon që psikologjikisht shumë shqiptarë, veçanërisht muslimanë, të ndjehen më të pranuar nga turqit sesa psh. nga grekët (por edhe perëndimorët në përgjithësi) tek të cilët perceptojnë një racizëm ndaj tyre. Mirëpo, nga ana tjetër, shumë prej tyre, kur shohin Ramën të sillet si një sulltan i vogël i kthehen gjysmës që na lidh me aspiratën evropiane.

Erdogani kërkon të përdorë gjysmën që na afron duke ndihmuar ekonomikisht e politikisht vëllain e vogël i cili e pret me nderime të veçanta kur vjen inauguron financimet e tij për ndërtimet pas tërmetit, spitale, (këtë verë pritet të vijë të inaugurojë edhe xhaminë e madhe në Tiranë). Ndërkaq Perëndimi i i njeh dhe respekton që të dy si aleatë të rëndësishëm, kështu që gjithçka shkon mirë e bukur për ta e keq e më keq për popujt që qeverisin.

Është e mundur perspektiva Evropiane e Shqipërisë në bazë të vullnetit të popullit shqiptar dhe kushtet që vendosin burokracitë e Bashkimit Evropian?

Sot për mua pyetja shtrohet se çfarë do të thotë “perspektivë evropiane”. Ndryshe nga vitet 90 kur narrativa e tranzicionit drejt Evropës na dukej krejt e qartë, sot mendoj se kjo narrativë u ndërtua mbi dy paradigma semplicizmi i të cilave po rezulton burim problemesh: ajo e ‘vendeve të përçara’ (torn countries) e Hantingtonit dhe ajo e ‘fundit të historisë’ e Fukujamës. Sipas kësaj narrative elitat pro-perëndimore në vendet lindore si Shqipëria, nën mbikqyrjen dhe kujdesin e Perëndimit, do të duhej të udhëhiqnin popujt e tyre me mentalitet lindor (prandaj Huntingtoni i quan “vende të përçara”) drejt ‘Tokës së premetuar’ (fundi i historisë) që Perëndimi e kishte arritur tashmë. Në këtë projekt asokohe ishte edhe Rusia dhe Turqia. 

Në realitet, Trumpi, Brexiti, lëvizjet sovraniste në vendet e BE, etj. kanë treguar se Perëndimi nuk e kishte arritur tokën e premtuar. Po ashtu zhvillimet autokratike në shumicën e vendeve lindore kanë treguar se elitat e këtyre vendeve nuk kanë qenë “të ndara” nga populli i tyre, por pasqyrë e tij. Nga ana tjetër ajo që na u servir si tërheqje e vendeve tona drejt tokës së premtuar perëndimore më shumë i ka ngjarë një ekspansioni të sistemit neoliberal drejt tokave tona, ku problemet në rritje të këtij sistemi na kanë ardhur si një pandemi e re me efekte shumë më të rënda se në Perëndim. 

Sot mendoj se ndoshta në vend të narrativës së tranzicionnit të ndërtuar sipas mitit të ebrejve që kalojnë shkretëtirën për të arritur në tokën e premtuar do të duhej të kishim ndërtuar një narrativë tjetër: atë të një lundrimi të përbashkët në një anije të përbashkët drejt “daljes nga gjendja infantile” – sikurse do të thoshte Kanti – që do të thotë dalje nga gjendja e nënshtrimit e cila nuk nënkupton vetëm “daljen” e të nënshtruarve, por edhe të nënshtruesve. Pra ku pasagjerët e klasit të parë, të dytë dhe të tretë të anijes do të vinin duke u bërë gjithnjë e më solidarë e më të barabartë në jetën dhe rolin brenda saj. Në fakt sot jemi duke lundruar të gjithë së bashku, por duke i thelluar këto dallime që po na çojnë në një drejtim të gabuar.

Prandaj kur flas për perspektivë evropiane të Shqipërisë, personalisht i mëshoj më shumë idesë së daljes së shqiptarëve nga gjendja e të nënshtruarit nëpërmjet kultivimit të vlerave më të mira evropiane të shtetit të së drejtës dhe jo futjen në BE, siç jemi futur më herët edhe në NATO, si udhëtarë të klasit të tretë, për interesa gjeostrategjike dhe ekonomike të të mëdhenjve. 

Ka forca në vendin tuaj dhe Kosovë që do të shpinin në një zgjidhje paqësore me Serbinë, përveç predispozicioneve të fuqive të mëdha (SHB, BE)? – Si e shihni bashkëpunimin e 3+1 shteteve (Shqipëri, Serbi, Maqedhoni e Veriut + dhe me predispozicionin pozitiv të kryeministrit të ri të Malit të Zi) në nismën “Open Balkans”?

Gjuha që përdoret në Shqipëri e Kosovë rreth normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë është shumë ambige. Në politikat e brendshme retorikat nacionaliste antiserbe mbeten mbizotëruese, jo vetëm në Kosovë, ku çështja e pavarësimit të territorit mbetet më e rëndësishme sesa puna për t’i shërbyer njerëzve në të, por edhe në Shqipëri. Ndërkaq përdoret edhe një retorikë tjetër për BE dhe SHBA në favor të dialogut, marrëveshjeve, sipas së cilës problemet e urrejtjeve nacionaliste do vijnë duke u dobësuar në favor të bashkimit nën ombrellën evropiane. 

Kjo gjuhë e dyfishtë reflekton ecjen si të Serbisë edhe të Shqipërisë e Kosovës në dy shina: njëra e “planit A” evropianist dhe tjetra e “planit B” nacionalist. Gjer më sot, sipas meje, më shumë mund të thuhet se B-ja ecën e maskuar me A-në. Aq më tepër kjo strategji po forcohet duke parë rritjen e sovranizmave e nacionalizmave në Evropë.

Ballkani i Hapur, i lançuar nga Rama dhe Vuçiç, duket në përputhje me gjuhën e  “planin A”, por mbart dyshime të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe nga opozita në Shqipëri, se është një një manovër e maskuar serbe për të vendosur hegjemoninë ekonomike në rajon që nesër të realizojë planin e saj B me Kosovën dhe Republika Serbska-n.

Personalisht mendoj se, siç e provon dhe lufta në Ukrainë, bashkëpunimi ekonomik duhet kombinuar me zhvillime demokratike dhe kulturore që të sjellë zgjidhje paqësore konfliktesh nacionale që implikojnë edhe territore. Kurse Ballkani i Hapur po kërkohet tu imponohet tre vendeve që ndjehen të rrezikuar gjeostrategjikisht nga Serbia si plan ku ekonomia do të zgjidhë të gjitha problemet mes tyre. Dhe kjo nga dy liderë autoritarë që në vendet e tyre kanë mbyllur hapësirat e dialogut me opozitën dhe shoqërinë civile, që kontrollojnë mediat, që bashkëpunojnë me krimin e organizuar dhe që deri dje kanë përdorur gjuhë të fortë nacionaliste brenda vendit.

Ndërkaq, nëse Ballkani i Hapur i pranohet Vuçiçit brenda vendit pyetja shtrohet se pse e mbështet Rama, që ka hequr dorë edhe nga kërkesat e vazhdueshme që u bënte serbve deri dje për njohjen e Kosovës, çka po i kontestohet fort edhe atje edhe në Shqipëri. Pse ai për të arritur të njëjtin qëllim që deklamon me Ballkanin e Hapur nuk i referohet planit gjerman të “Procesit të Berlinit” i cili kërkon bashkëpunimin e të gjashtë vendeve? Një arsye sipas meje është se me këtë “hapje” të dy liderët autokratë synojnë të punojnë për oligarkët e tyre të cilëve u intereson ky plan ekonomikisht dhe njëherësh të mbulojnë mbylljet antidemokratike brenda vendit. Por ndoshta qëndrimi i Ramës lidhet edhe me faktin se ky është një projekt alternativ ndaj atij gjerman që mbështetet fort nga Fondacioni Open Society i Sorosit një nga mbështetësit kryesorë të Ramës në SHBA. Dhe siç e kam thënë më herët mbështetja nga SHBA për Ramën është më e rëndësishme sesa opinioni i shqiptarëve. Më herët Fondacioni është akuzuar edhe për bashkëpunim me një projekt që parashikonte zgjidhjen e çështjes Serbi – Kosovë nëpërmjet ndarjes territoriale të Kosovës, që u iniciua edhe ai nga Rama e Vuçiçi e që u pengua nga evropianët, veçanërisht gjermanët.

Për gjithë sa thashë Ballkani i Hapur mbetet një nismë jo transparente që më përforcon kritikat ndaj BE e SHBA se nuk po impenjohen në Serbi, në Shqipëri e Kosovë ashtu siç do duhej dmth. nëpërmjet nxitjes së një procesi demokratizimi e ndryshimi kulturor që do të sillte një zgjidhje paqësore të pakthyeshme të konfliktit.  Më së shumti i shoh të kërkojnë një zgjidhje gjeostrategjike nëpërmjet liderëve autoritarë që i kontrollojnë dhe i mbështesin, për të evituar hyrjen e Rusisë dhe Kinës në rajon, çka, sipas meje, do të sillte thjesht një ngrirje të konfliktit me rreziqet që ky të shkrijë në një kontekst tjetër gjeopolitik.

“Kontstatoni” aktualisht forca të reja të jenë duke luajtur një rol pozitiv në riorganizimin e skenës politike? p.sh. organizimi i aktivistëve “Organizata Politike”. Pakënaqësia e qytetarëve shqiptarë mund të orientojë në tjetër drejtim me fuqitë ekzistuese? 

Ka pasur disa nisma në dekadën e fundit në Shqipëri për të krijuar alternativa ndaj dy tre partive që kanë dominuar jetën e vendit, por fatkeqësisht në vend se të vijnë duke u rritur me rritjen e pakënaqësisë së popullit ato kanë ardhur duke u tkurrur ose zhdukur. Kur kërkoj të analizoj shkaqet shpesh më ka ardhur në mend përvoja e Syrizas në Greqi që arriti për një periudhë të shpejtë të shkojë nga 4% në afro 40% dhe gjej dy arsye pse nuk del dot një Syrizë në Shqipëri. E para, lidhet me faktin se sistemi tek ne ka prodhuar pabarazi të mëdha, prandaj lëvizja duhet të jetë e majtë, përfaqësuese e shtresave më të brishta, ndërkohë që termi “i majtë” vazhdon të ketë një konotacion negativ si për shkak të diktaturës komuniste edhe sepse e ka okupuar Partia Socialiste në pushtet lideri i të cilës i fton biznesmenët perëndimorë të investojnë në Shqipëri se aty nuk do t’i bezdisin sindikatat. Megjithatë them se shkaku kryesor është se elita politike në Greqi apo edhe në Itali, ku lindi Cinque Stelle apo në Spanjën e Podemosit, për shkak të një kulture më të zhvilluar demokratike dhe të një ekonomie më të lirë nga kontrolli i pushtetit nuk e shtypin të renë, rininë siç bën elita jonë tradicionalisht dhe sistematikisht. Historia tregon se e reja e mirë nuk lind vetëm nga dështimet, por edhe nga sukseset e paraardhësve.

Për këto dy arsye “Organizata politike”, si lëvizje e majtë e ka shumë të vështirë të rritet. Narko-oligarkia që ka kapur shtetin dhe zotëron thuajse krejtësisht mediat i mbyll thuajse të gjitha hapësirat për ata që i kundërvihen në emër të viktimave të saj. Gjithashtu, me sa u kam ndjekur aktivitetin e Organizatës, do të thoja se ia kufizon rritjen edhe një lloj ortodoksie në aplikimin e disa kategorive të vjetra të së majtës së shekullit XX, siç është mitizimi i rolit udhëheqës të klasës punëtore në transformimin e një shoqërie. Kjo nuk ka funksionuar as në shekullin e XX, e jo më sot kur, sipas meje, jetojmë një kapitalizëm “post-borgjez, post-proletar” – siç e cilëson filozofi italian Costanzo Preve – në të cilin kanë humbur si vlerat e borgjezizë (ndër to edhe “ndërgjegja e palumtur” e borgjezëve si Marksi apo Engelsi) ashtu edhe ndërgjegja klasore e proletarëve; duke krijuar një masë (99%-shin) të atomizuar individësh që sundohen nga 1%-shi. Analizimi i këtij kapitapizmi që ka integruar në favor të tij dhe kulturën e majtë të të drejtve civile si dhe lufta kundër pasojave të tij kërkon kategori të tjera nga ato që sollën dështimin e socializmit ndaj kapitalizmit në shekullin XX.

Kini tratjuar në shkrime çështje të arsimit, emigrimit etj. Sipas mendimit tuaj si mundet të rregullohen ndryshe ato?

Po ju tregoj një ngjarje që mund t’ju duket e pabesueshme por, po të kërkoni në rrjet, do ta gjeni në lajmet e kronikës politike shqiptare të vitit të kaluar. Në një takim që bëri kryeministri Rama me një grup biznesmenësh në qytetin e Shkodrës njëri prej tyre iu ankua se nuk gjente punëtorë për biznesin e tij. Përgjigja e kryeministrit ishte: “unë të sugjeroj të marrësh banglladeshas. Ata kanë edhe një të mirë se nuk dinë as shqip. Madje, sapo të fillojnë të mësojnë shqip dhe të belbësojnë fjalët “liri”, “demokraci”, ndërroi, merr të tjerë.”

Mund t’ju duket skandaloze, por nuk është edhe aq. Ai ka shprehur bash të vërtetën më të hidhur të pasojave negative të neoliberizmit globalist: rritjen e trajtimin e njeriut nga njeriu si mjet, si “përdor e hidh” dhe jo “si qëllim”. Këto fjalë të Ramës tregojnë se Shqipëria në rendjen për tu bërë sa më shpejt kapitaliste është një rast ekstrem i tij (siç ka bërë edhe me komunizmin), por ekstremet shërbejnë edhe për t’i parë më mirë pasojat e disa fenomeneve. 

Për mua emigracioni në Shqipëri dhe jo vetëm është i lidhur ngushtë jo vetëm me mungesa ekonomike, por edhe më shumë me faktin se elitave politiko-ekonomike, që të sundojnë të patrazuara, u interesojnë njerëz pa gojë dhe pa qëllim, “homo œconomicus” që nuk arrijnë të bëhen edhe “homo politicus”. Sepse kur njerëzit duhet të përdoren si mjete nuk është nevoja të shkollohen si duhet, dhe as të kenë një gjuhë të kultivuar, një kulturë të gjithanëshme, një histori, një identitet të tyrin që i lidh me vendin e njëherësh i jep kuptim jetës së tyre si qënie sociale. 

Prandaj të mendosh për rritjen e arsimimit dhe për uljen e emigrimit, për mua është si të mendosh për të njëjtën gjë: nevojën e ndryshimit të këtij sistemi që e redukton njeriun në qënie që jeton pa gojë e pa qëllim, pa ngritur pyetjen se pse ka ardhur në këtë botë. Nganjëherë mendoj se ndoshta një zgjidhje mund të vijë nga sovranistët e majtë që kërkojnë kthimin në shtetin komb, jo në emër të nacionalizmit, por për të rikthyer demokracinë dhe të drejtat sociale të bjerrura e së bashku me to edhe kultivimin e gjuhës e kulturës së vendit që i përkasim. Por halli është se, sikurse thotë Ajnshtajni, problemet që kemi nuk mund të zgjidhen me metodat me të cilat i kemi krijuar ato. Prandaj më shumë sesa për ‘kthim” preferoj të flas për nevojën e një sinteze të re. Për nevojën e ndryshimit të sistemit ashtu që, gjithë duke ruajtur arritjet e liberalizmit në të drejtat e njeriut si qënie individuale, të kthehemi e të punojmë fort për të drejtat e tij si qënie sociale, që ta bëjmë “homo œconomicus” vetëm një dimension të “homo politicus”. Dhe kjo kërkon të ndryshojmë shkollën, vendin e punës, raportin me natyrën, me të tjerët për të rritur një njeri që ka kurajo të mendojë me kokën e tij, që më shumë se sensin e përshtatjes zhvillon sensin e mundësisë, që më shumë se kompeticionin praktikon bashkëpunimin, e që në vend se te mirëpasja e kërkon lumturinë tek mirëqënia.

E shoh se, megjithatë, po përsëris gjëra të vjetra që na kthejnë deri te Sokrati, Platoni e Aristoteli, (me të cilët e fillova këtë intervistë e po dua ta mbyll), që na kanë udhëzuar të njohim vetveten, të dalim nga hijet e shpellës e të gjejmë dritën, ta kërkojmë të vërtetën nëpërmjet dialogut, ta shohim veten si pjesë e natyrës dhe jo si zotër të saj, apo se vetëm po të jemi zot ose kafshë mund të jetojmë të vetëm në një “polis”.  Por them se kërkimi i një rruge të re nuk mund të arrihet pa u mbështetur në forcën e këtyre revolucionarëve të së shkuarës.

Intervistoi Jorgos Kyriakou



18 Comments

  1. O fatos deri diten kur shqiptaret dhe ti fatos do te punoni ketu nga bangladeshi do te vijne puntore sepse ato jane koke ulur duan pune,ti dhe shpiptaret shpellkare bejne lloqe neper cepat e pallatit ne fcb dhe ti neper portHalet e studiot e paguara nga salih metaj

      1. Mire ia the.Nuk ekupton injoranti qe Edi Rama neser nuk eshte, por pasojat e vendimeve te tij do i paguaj dhe ky dhe femijet e tij.

      2. Lere cerek sufllaqen e fuges , do ta kuptojë kur tja cajnë sumen banglladeshasit qofshin ata nga bangladeshi shqipërua apo kudo tjetër. Cerek sufllaqe merr dhe hidhe.

        Hedjka nuk ndosh shpejt do vite të ndodhë, dhe ndodh atëhere kur je vonë shumë vonë për të ndryshuar. për shpëtim nuk mund të flitet

    1. o “suflake” po te jete robi kaq i rrotkarizum sa c’je ti eshte e cuditshme Po si e shpjegon qe keta “dembelat” ne Shqiperie dalin e punojne jashte shtetit? Mos eshte valle aresyeja qe vendi eshte mbushur vetem me sufllaqe punetor administrate si puna jote?😜. Dhe ato pak biznese te vogla qe mbijetojne paguajne nje hale me lek taksa per te mbajt me rroga 240 mije patronazhiste ne administrate.

  2. Ti flet per raketa kozmike kur jeton ne epoken e gurit . Palloshi edhe matematiken e ka kthyer ne shkence politike.
    ne kete vend eshte e kot , ka shume por shume propagande dhe zero pune e rezultat . Na thone shtet bananesh por une do thoja ku ta gjejme te ishim shtet bababesh jemi kthyer ne kosh plehrash te se keqes .

    1. Këto shprehje të Lubonjës nuk janë tjetër veçse po ato opinione që ai jep në çdo studio televizive.Shume janë korrekte por ka dhe të tjera që i shikon në këndin e një intelektuali me bindje të majta sidomos kur flet për shoqërinë neoliberiste për nacionalizmat e kryesisht per atë shqiptar.Por tërësisht është pozitiv përsa i përket interpretimit të situatave aktuale si në vënd në rajon e më tej.

      1. Kjo e keqe Shqipërisë ka nisur t’i vijë në 2008, sot Berisha të bërtasë si të dojë, Berisha nuk bind më njeri, sepse nëse ka një përgjegjës për atë që Rama demonstron sot, është Berisha. Ramën me këtë pushtetet e ka prodhuar Berisha me ndryshimet kushtetuese të 2008”

  3. O tosi fare kosiii…ne shume gjera nuk jam dakord me ty por….mesohuni te thoni gjithmone te verteta me keta gazetaret e huaj e jo te lepiheni e te tregoheni si intelektuale te medhenj pa ju thene te verteten ne sy…eshte e vertete qe Shqiperia ka qene 500 vjet e pushtuar nga turqia por miqesia mes dy vendeve nuk lindi si pasoje e vasalitetit te shqiptareve por si pasoje e kercenimeve shume serioze teritoriale te fqinjeve ndaj Shqiperise .Keshtu shqiptaret te detyruar nga rethanat zgjodhen Turqine si partner strategjik nder vite jo se po te gervishesh nje shqiptar te krishter apo musliman gjen nje turk siç thua zotrote…eshte e lehte te besh kritika siç ben ti nate e dite por eshte po kaq e veshtire tu thuash te verteten qe djeg perballe te tjereve siç i tha Rama ne Beograd Vuçiçit per Kosoven.

  4. Leri te rrojne ne shpellen e erret te edmut kristaq perdhunuesit.
    Te shesin votat e te hane qull.
    Sorrollop bolshevikesh qe do vetem dajak.
    Skeni pare gje akoma.

  5. O i paemer i pare, lexoje me vemendje nje intelektual si Fatos Lubonja, dil nga shpella dhe erresira mendore ne te cilen jeton, sepse po thote gjera te sakta. Por nuk mundesh, fatkeqesisht je ashtu sic te cileson i paemer i dyte.

  6. Ne mos i vetmi filozof, mendimtar, dhe kerkues i zeshem qe kemi per t’u njohur sakte dhe me gjitheperfshirje kush jemi si individe dhe si grup – kombetar, familjar e shoqeror. Ne fund te leximit te mendimeve dhe analizave te z. Lubonja, e kam me te thjeshte te shoh dhe kuptoj ate çfare dua dhe jo si qytetare dhe si shqipe.

  7. Nga viti 2005 deri në vitin 2009, Sali Berisha angazhoi të gjithë strukturat e nevojshme shtetërore për të privatizuar dhe kaluar në duart e familjarëve të tij pronën shtetërore ish Klubi Partizani.

    -I vetmi zyrtar që doli kundër makinerisë së Sali Berishës ishte Gjenerali Vladimir Qirjazi, i cili u kërcënua, shantazhua, transferua dhe më pas u ndëshkua me shkarkim.Fatosi qe nuk kishte bythe te merrte nje post dhe te tregonte se cfare di te beje nga ato qe llomotit neper studio,ka zgjedhur te beje ate qe eshte me e lehte ‘te kritikosh’ te tjeret kete pune e bejne te gjithe shqiptaret neper cepa rrugesh,kafe,palestra,disko,teater,sport,zyra dhe kur shkojne me pushime,kete ben dhe Fatosi i enverit qe pranon qe vendin ta drejtoje salih metaj agjentet spiune te komunizmit dhe demokracise

  8. Nga sa lexova këtu, kjo intervistë e Lubonjës me gazetarin grek , është kryer para muajve të verës së këtij viti e nuk kuptoj se pse e sjell Lapsi tani për lexuesit.
    Padyshim se Lubonja është një ndër intelektualët më të “lëçitur” shqiptarë, por nuk mund ta vlerësosh ate si opinionistin me realist.
    Një opinionist që është i ndërvarur nga një fillozofi e veçantë siç është ideja e solidaritetit komunist, rikthimin e shoqërisë njerëzore në modelin e barazisë në mardhëniet e komunës primitive, pas një historie dhjetra mijë vjeçare të evolucionit të njerëzimit, i kalon caqet e teorive utopike marksiste.
    Të bie menjëherë në sy në këtë interviste, se internacionalisti Lubonja, një kundërshtari zellshëm i nacionalismit, flet nga pozitat e një qytetari planetar, pa kombësi e etnitet e bile shkon edhe më tej duke i skicuar shqiptarët si një popull primitiv duke folur për ta me gjuhën e nacional shovinistëve fqinjë.
    Meqë për Lubonjën Greqia , nisur nga historia antike e modelit të saj të demokracisë e fillozofisë ka qenë para dymijë vitesh një nga vendet më të zhvilluara kulturore të botës , mesa duket ai e sheh me adhurim edhe shtetin e sotëm grek e na fton ta adhurojmë të gjithë, duke injoruar faktin se nga shtetet antare të BE , është vendi me demokracinë më të cunguar.
    Internacionalisti Lubonja është tepër kontradiktor kur , ndonëse predikon barazinë planetare të shoqërisë njerëzore, si faktor të “prapambetjes” së shqiptarëve, sheh përhapjen e myslimanizmit e mbivlerëson perëndimin vetëm për besimin e krishterë .
    Pra sipas “fillozofisë” ideollogjike komuniste e të krishterë, një të tretës së popullsisë së planetit, duhet ti nënshtrohen dy të tretat e myslimanëve e budistëve që popullojnë botën.

  9. Më tërhoqi vëmëndjen tek kjo intervistë e “Ljubës”, vazhdimësia e propogandës së dikurëshme enveriste, për imperializmin amerikan e social – imperialiumin sovjetik.
    Nuk i emërton kështu drejtëpërdrejtë Lubonja, por përmend fjalën “imperium” si për SHBA, ashtu edhe për Rusinë, duke dashur të na thotë se të dy këto “perandori”, kanë të njejtat politika imperialiste.
    Pa u zgjatur shumë në këtë krahasim ireal, do të desha të përmend vetëm një fakt real me pyetjen :
    Gjatë tre dekadave që Putini ka qenë në krye të regjimit totalitar rus, sa presidentë republikanë e demokratë ka pasur SHBA, apo sa kryeministra ka pasur Italia, vendi ku jeton më së shumti Lubonja ?
    Si mund të heqësh pra shenjën e barazimit midis demokracisë perëndimore me “demokracinë” putiniane ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *