• |
ide | kryesore

Të burgosurve u ulej dënimi, 18 punonjësit e burgut falsifikuan dokumentet

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
fier



Dalin detaje të reja nga arrestimi i 18 punonjësve të burgut në Fier. Me vendim të Gjykatës së Tiranës ata janë lënë në arrest shtëpie. Hetimet u kryen nga Drejtoria e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme të Burgjeve në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë. Ata akuzohen për një sërë veprash penale. Renditen “Falsifikim i dokumenteve”, “Falsifikim i vulave stampave dhe formularëve”, “Shpërdorim detyre”, “Vjedhje e energjisë elektrike” të kryera në bashkëpunim.

RASTET

Në pranga u vu Gerald Nonaj, me detyrë Përgjegjës i Sektorit Ligjor në IEVP Fier. Nga muaji qershor i vitit 2018 ai është dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Falsifikim i vulave, stampave dhe formularëve”, “Shpërdorim detyre. Ai akuzohet se nuk ushtron detyrat e përcaktuara nga ligji. Lejon dhe kryen falsifikimin e dokumenteve dhe falsifikimin e formularëve për të dënuarit. Këta kanë përfituar ulje dënimi në mënyrë të pa drejtë në 41 raste.

U arrestua Ervis Alliaj, me detyrë Përgjegjës i Sektorit Ligjor i cili ishte larguar më herët nga detyra. Ai akuzohet për “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Falsifikim i vulave, stampave dhe formularëve”. Akuzohet se ka shënuar në kartelën personale përfitimin e amnistisë dhe lejon kryerjen falsifikimin e dokumenteve dhe falsifikimin e formularëve për të dënuarit në 21 raste.

Bashkim Meçi, ish-Përgjegjës i Sektorit të Policisë dyshohet për “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim i dokumenteve”. Duke qenë anëtar në komisionin e vlerësimit të sjelljes në bashkëpunim me sektorë të tjerë në IEVP Fier ka pasqyruar të dhëna të rremë në lidhje me procesin e rehabilitimit të dënuarve. Nga kjo janë përfituar ulje dënimi në gjykatë. Ai dyshohet se ka falsifikuar formularë për të dënuarit. Këta kanë përfituar ulje dënimi në mënyrë të pa drejtë në 40 raste.

Në arrest është lënë Eris Isufaj, me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Kujdesit Social. Ai akuzohet se nuk ka hapur regjistër për përllogaritjen e ditëve të punës. Duke qenë anëtar në komisionin e vlerësimit të sjelljes në bashkëpunim me sektorë të tjerë në IEVP Fier ka pasqyruar të dhëna të rreme në lidhje me procesin e rehabilitimit të dënuarve. Këta kanë përfituar ulje dënimi në mënyrë të padrejtë në 46 raste.

Arrestohet Albi Rezhda, me detyrë ish-Përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore. Akuzohet se nuk ka zbatuar urdhrat dhe për pasojë ka sjellë regjistrim fiktiv të të dënuarve për dalje në punë. Akuzohet nuk kanë marrë masa konkrete për aktivizimin e saktë e të dënuarve në punë në 28 raste.

LEXO EDHE: Arrestohen 18 punonjës të burgut të Fierit

Në pranga është vënë Dorjan Nukaj, me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore (i Komanduar). Në 22 raste nuk ka regjistruar të dënuarit që kanë dalë në punë. Është arrestuar Arbëri Gjërmeni, me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Shëndetësisë. Në 28 raste nuk ka regjistruar të dënuarit që kanë punuar. Kjo ka bërë që ata të përfitojnë pa të drejtë ulje dënimi. Enflor Hoxha, Përgjegjës i Sektorit të Shëndetësisë (i komanduar), i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Në 23 raste ka regjistruar dalje fiktive të të dënuarve në punë.

Florida Mata, Përgjegjëse e Sektorit të Financës e dyshuar se ka konsumuar element të veprës penale “Vjedhje të energjisë elektrike” dhe “Shpërdorim detyre”. Pasi është vënë në dijeni të lidhjes së kontratës së qirasë me një subjekt tregtar në IEVP Fier ka lejuar vjedhjen e energjisë elektrike nga ky subjekt. Ajo ka plotësuar fatura aforfe të pagesës së energjisë elektrike. Në 12 raste ka futur fiktivisht në punë 12 të burgosur që kanë përfituar ulje dënimi. 

U arrestua Fatos Lika, Përgjegjës i Sektorit të Policisë i komanduar në këtë detyrë dhe shefit të regjimit të brendshëm. Dyshohet se ka pasqyruar të dhëna të rremë në lidhje me procesin e rehabilitimit të dënuarve. Në 23 raste janë përfituar ulje dënimi pa të drejtë. N.Xh me detyrë Specialist i Regjimit të Brendshëm. Në 6 raste ka falsifikuar dokumente duke bërë që 6 të burgosur të përfitojnë ulje dënimi. Në arrest do qëndrojë Mato Mataj, Specialist i regjimit të brendshëm. Ka falsifikuar dokumentet për 12 të burgosur që kanë përfituar ulje dënimi.

Ermal Liçaj, Specialist i sektorit social i dyshuar për kryerjen e veprave penale ”Falsifikim i dokumenteve”, “Falsifikim i vulave, stampave dhe formularëve”, “Shpërdorim detyre”. Akuzohet për falsifikimin e dokumenteve për 1 rast që ka marrë ulje dënimi. Xheniana Buzi me detyre Specialiste e sektorit social. Ka paraqitur dokumente me përmbajtje të ndryshme në 10 raste që kanë përfituar ulje dënimi. U arrestua Denisa Bendai me detyre specialiste e sektorit social. Ka paraqitur të dhëna të rreme për 5 raste që kanë marrë ulje të dënimit.

Në pranga u vu Sidorela Vogli, specialiste e sektorit social. Është përfshirë në 4 raste që kanë përfituar padrejtësisht ulje dënimi. U arrestua Jonida Qato me detyre specialiste e sektorit social. Kjo akuzohet për falsifikim të dokumenteve në 3 raste. Në pranga është vënë edhe Eduart Rrapaj administrator i njësisë tregtare në IEVP Fier. Ai akuzohet për “vjedhje të energjisë elektrike” në bashkëpunim. ©LAPSI.al



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *