• |
ide | kryesore

“Kanë ndodhur gjëra që nuk arrij t’i kuptoj, fati im është në duart e presidentit”: Edoardo Reja nuk jep dorëheqjen

-Instant, Sport
Edoardo Reja



“Të vjen keq që të humbësh një ndeshje të tillë, është shumë keq. Kur je në avantazh, kishim mundësi që të mbyllnim ndeshjen, nuk ia dolëm, dhe duhet të kërkojmë ndjesë, përfshirë edhe nga unë”. Edoardo Reja ndërhyn në konferencën për shtyp, duke marrë përgjegjësitë. Por kush mendonte një deklaratë dorëheqje të teknikut italian, duhet të ketë mbetur i zhgënjyer. Reja ka mbrojtur punën e tij, duke shpjeguar edhe gjendjen e lojtarëve: “Të gjithë, edhe unë, nuk më ka pëlqyer vetja, ekipi. Kemi bërë shumë gabime. Ne kishim më parë lojtarë të fortë fizikisht, mora Ajetin, mbrëmë me temperature. Sot u dëmtua Ismajli. Ishte masakër e plotë, kishim mungesa. Ata që luajtën, kanë bërë të tyren, por ndonjë mangësi e kishim, kemi bërë një reagim të mirë, por në periudhën e fundit ekipi nuk u përgjigj ashtu siç e prisja”.

Italiani shkon drejt fundit të kontratës, duke e mbyllur ndeshjen e fundit kompetitive. Pikërisht kundër Islandës, skuadër ndaj të cilës debutoi në 8 qershorin e vitit 2019, duke mbyllur praktikisht një cikël: “Nuk kam asnjë peng, kemi bërë një punë të shkëlqyer, kemi krijuar një grup të shkëlqyer. Nuk kërkoj justifikime, marr përgjegjësi se trajneri merr përsipër fatet e ekipit. Kur nuk ka rezultate, jam i pari që jam fajtor – analizoi tekniku, duke kundërsulmuar kritikët -. E kam ndërgjegjen e pastër se kam punuar me seriozitet dhe sakrificë. Unë marr përgjegjësinë, nuk kam probleme, kam pranuar shumë situata, nuk kam folur. Kam marrë kritika të drejta e të padrejta, kjo është puna jonë. Nuk më interesojnë kritikat. Por rezultatet nuk erdhën, për një arsye apo tjetër kanë ndodhur situata që nuk arrij t’i kuptoj”.

E ARDHMJA

Tani, është i pashmangshëm takimi me presidentin e FSHF-së Armand Duka për të vendosur të ardhmen. Dorëheqje nuk do të ketë, sepse Reja e ka bërë të qartë se pret vendimin e numrit 1 të futbollit shqiptar: “Nuk e di, nuk mund të dihet se çfarë ndodh, fati im është në duart e presidentit. Unë kam kontratë deri në nëntor, pastaj do të takohemi ndoshta këtë javë dhe do të flasim e gjejmë një zgjidhje. Mendoj se kemi bërë një punë të mirë, kemi ndërtuar një ekip të mirë, jemi ngjitur në kategori”.

Të gjithë, edhe unë, në periudhën e fundit, nuk kemi dhënë atë që mund të jepnim. Edhe pse kishim shumë mangësi të rëndësishme lojtarësh ekspertë. Kishim 7-8 lojtarë që mund të cilësohen titullarë. Megjithatë, të mos gjejmë justifikime, kam gjetur të rinj se tani duhet bërë bilanci dhe të shohim cilët janë lojtarë funksionalë për ekipin dhe në këtë pikë duhen bërë zgjedhje”. Edoardo Reja ka bërë 34 ndeshje në krye të pankinës shqiptare, duke arritur 13 fitore, 13 humbje e 8 barazime.



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *