• |
ide | kryesore

Derbi kryeqytetas “pushtet” mbi Superioren: Bylis i bën poker mbrojtjes së pathyer të kampionatit

-Instant, F1, Sport
derbi



Kampionati i Kategorisë Superiore ofron ndeshje interesante, me plot surpriza të fshehura, e konfirmuar kjo edhe nga rezultatet e të premtes. Erzeni që nuk kishte pësuar asnjë gol në 5 javë, mori 4 nga Bylis. Në Niko Dovana Teuta shtyn akoma takimin me fitoren, por ndali pa gola Vllazninë. E megjithatë, sikur të ishte e nevojshme për më shumë adrenalinë në mbyllje të javës së gjashtë luhet edhe derbi kryeqytetas mes Partizanit e Tiranës.

Të kuqtë kryesues me 12 pikë nga 15 të mundshme kohët e fundit nuk kanë patur marrdhënie të mirë me suksesin kur përballë i është rreshtuar Tirana. Kështu, Colella ëndërron fitoren e parë në derbi dhe një thellim avantazhi nga 4 në 7 pikë ndaj një rivali kryesor për titullin. Të besuarit e Shehit janë konstant në performancë, pavarësisht ndonjë luhatje rezultati. Por tani e shohin këtë ndeshje si një pikë për ti dhënë hov kampionatit të tyre.

Lexo më tej: “Ç’t’i bëjmë, është pjesë e arbitrimit”: Mehmeti akuzon e thumbon Tiranën: “Të parët në derbi fituam ne”

ÇFARË NDODHI TË PREMTEN

E mbyll derbi, por javën e ndezi pokeri i Bylis ndaj Erzenit 4-1. Skuadra e Kapllanit nuk kishte pësuar asnjë gol deri në sfidën e Adush Muçës, ku u rrëzua keq. Sfida nisi menjëherë me gol për ballshiotët, të cilët në minutën e 9’ shënuan me Lajthian. Goli i parë i pësuar për Erzenin, por nuk ishte i vetmi. Pas 14 minutash ishte Kaçorri ai që realizoi dhe golin e dytë. Në pjesën e dytë, Bylisi gjeti dhe golin e tretë me anë të Antoni Bej në minutën e 57’. Shpresat për shijakasit u zgjuan shumë vonë, me Oliver De Souzën që gjeti golin në minutën e 71’. Në fund të ndeshjes, Felipe mbylli logaritë me ballshiotët që barazuan Erzenin me pikë në vendin e dytë momentalisht me 11 pikë.

Në ndeshjen tjetër Teuta barazoi 0-0 me shkodranët, pavarësisht një dueli të luftuar. Skuadra e Shkëmbit nuk e gjeti rrugën e rrjetës në rastet që krijuan sidomos në pjesën e parë. Josa nuk i dha dot vazhdimësi të tijve, me një pjesë të dytë ku portat e Qirkos dhe Zogoviç nuk u rrezikuan. Teuta mbetet ende pa fitore në kampionat, ndërsa Vllaznia humbet rastin për të vënën nën presion Partizanin kryesues në javën e derbit.

NDESHJET E TJERA

Të shtunën në orën 15 do të luhen edhe dy ndeshjet e tjera, tepër të ekuilibruara. Laci e Kukësi nga pretendentë për titull e shohin veten të sfidohen në gjendje të vështirë. Dobi ndjek fitoren e parë, Vukicevic ka një fitore e katër humbje dhe nuk i lejohet asnjë gabim tjetër. Në të njëjtën ore zbret në fushë edhe Egnatia, që do të presë në Rrogozhinë Kastriotin, të ndarë nga vetëm dy pikë në mesin e renditjes.

SUPERIORE, JAVA VI

30/09/22
Bylis        4-1       Erzeni
Teuta      0-0       Vllaznia
01/10/22
Laçi         15 : 00 Kukësi
Egnatia   15 : 00 Kastrioti
02/10/22
Partizani 19 : 00 Tirana



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *